Bota 22 February 2026, 13:41 Nga VNA

Trump ngre tarifën doganore nga 10% në 15% për çdo vend

Ndaje në Whatsapp
Trump ngre tarifën doganore nga 10% në 15% për çdo vend

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për tarifat doganore Presidenti amerikan reagoi me sulme verbale ndaj gjyqtarëve dhe vendosjen e tarifave të reja mbi importet. Tarifa do të rritet nga 10% në 15%.

Gjykatësit më të lartë të SHBA-së dhanë vendimin e tyre: shumica e tarifave doganore të vendosura në mënyrë të njëanshme nga Presidenti Donald Trump janë të pavlefshme dhe të papranueshme, vendosi të premten (20.02) Gjykata Supreme në Uashington. Një vendim historik dhe një humbje e rëndë për Trumpin, reagimi i të cilit nuk vonoi.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme Trumpi shpalli menjëherë një tarifë të re globale për pothuajse të gjitha importet, duke u mbështetur në një bazë tjetër ligjore. Ai gjithashtu i sulmoi verbalisht gjyqtarët: "Më vjen turp për disa anëtarë të gjykatës, vërtet më vjen turp, sepse nuk kanë guximin të bëjnë atë që është e drejtë për vendin tonë,” tha Trumpi në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

"Ata janë shumë jopatriotikë dhe jo besnikë ndaj Kushtetutës sonë”, vazhdoi Trump. Ai gjithashtu i përqeshi mbrojtësit e Kushtetutës duke i quajtur "budallenj dhe qenushë shtëpie”.

Edhe gjyqtarët konservatorë kundër tarifave

Ironia është se edhe gjyqtarë konservatorë, të emëruar personalisht nga republikani Trump, votuan pro ndalimit të tarifave doganore. Arsyeja është se nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trumpi i kishte vendosur tarifat ndaj dhjetëra partnerëve tregtarë gjithmonë duke anashkaluar Kongresin, pra pa u dhënë mundësi deputetëve dhe senatorëve të merrnin pjesë në vendimmarrje. Për të nxjerrë dekretet për tarifat doganore ai ishte mbështetur në një ligj për gjendjen e jashtëzakonshme të vitit 1977.

Tani është e qartë: Trump i ka tejkaluar kompetencat e tij. Sipas Gjykatës Supreme ligji për gjendjen e jashtëzakonshme nuk i jep atij autoritetin për të vendosur tarifa në mënyrë të njëanshme. Me këtë vendim Trumpi humbet një bazë ligjore që e kishte përdorur jo vetëm në politikën ekonomike, por edhe për të imponuar interesa të politikës së jashtme.

Dekret i ri

Pas vendimit të gjykatës Shtëpia e Bardhë njoftoi zyrtarisht se tarifat doganore të bazuara në "International Emergency Economic Powers Act (IEEPA)" nuk do të zbatohen më. Por Trumpi bëri të ditur se në vend të tyre do të vendoset një tarifë e re doganore globale prej 15 për qind, sërish pa miratimin e dy dhomave të Parlamentit. Fillimisht ai kishte njoftuar për një tarifë doganore prej dhjetë për qind.

Tarifa "për të gjitha vendet” do të hyjë në fuqi "thuajse menjëherë”, shkroi Trump në platformën e tij online Truth Social. Sipas Shtëpisë së Bardhë masa pritet të zbatohet duke nisur nga e marta për një periudhë 150-ditore. Për disa sektorë do të ketë përjashtime.

Këtë herë Trumpi po mbështetet në një ligj amerikan për tregtinë të vitit 1974, i cili në kushte të caktuara lejon, vendosjen e tarifave për importe deri në 150 ditë. Megjithatë ekspertët e kanë vënë që tani në dyshim, nëse përmbushen kushtet ligjore për një veprim të tillë. Për të vendosur tarifa për një periudhë më të gjatë, Trump në çdo rast ka nevojë për miratimin e Kongresit amerikan./DW

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme