Bota 30 October 2025, 09:40 Nga VNA

Trump i kërkon Pentagonit të rifillojë testimet bërthamore

Ndaje në Whatsapp
Trump i kërkon Pentagonit të rifillojë testimet bërthamore
Pentagoni

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të rifillojë menjëherë testimin e armëve bërthamore, për herë të parë pas 33 vitesh, raportoi agjencia Reuters.

Trump e bëri njoftimin surprizë të enjten në rrjetin e tij Truth Social, pak minuta para se të takohej me presidentin kinez Xi Jinping në Busan, Korenë e Jugut.

“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të nisë testimin e armëve tona bërthamore në mënyrë të barabartë. Ky proces do të fillojë menjëherë”, shkroi ai.

Presidenti Trump tha se testet do të kryheshin “në baza të barabarta” me fuqitë e tjera bërthamore, duke përmendur Rusinë si “të dytën” dhe Kinën si “shumë më pas”, por që “do të arrijë brenda pesë vitesh”.

Më vonë, gjatë fluturimit për në Washington, Trump i tha gazetarëve se testet janë të nevojshme për të garantuar që SHBA-të të mbeten në nivel me rivalët e saj.

“Meqë të tjerët po testojnë, mendoj se është e përshtatshme që ta bëjmë edhe ne”, deklaroi ai në bordin e Air Force One, duke shtuar se vendndodhjet e testimeve do të përcaktohen më vonë.

Kur u pyet nëse ky vendim mund të rrisë rrezikun global bërthamor, Trump e minimizoi shqetësimin, duke theksuar se arsenali amerikan është “i mirë-siguruar” dhe se ai do të mirëpriste një proces de-nuklearizimi.

“Do të doja të shihja një denuklearizim, sepse ne kemi shumë armë, Rusia është e dyta, Kina e treta dhe do të na arrijë brenda katër apo pesë vitesh”, tha ai.

Sipas Center for Strategic and International Studies (CSIS), Kina e ka më shumë se dyfishuar arsenalin e saj bërthamor në pesë vitet e fundit – nga rreth 300 koka në vitin 2020 në 600 në vitin 2025 – dhe pritet të kalojë 1 mijë deri në vitin 2030.

Ndërkohë, Rusia ka testuar së fundmi torpedon bërthamore “Poseidon” dhe raketën me lëndë bërthamore “Burevestnik”, duke nxitur garën e re të armatimeve.

Reagimet ndaj vendimit të Trump-it ishin të menjëhershme. Deputetja demokrate Dina Titus nga Nevada tha në platformën X se do të paraqesë një projektligj për ta ndaluar iniciativën.

Ndërsa Daryl Kimball, drejtor i Arms Control Association, e quajti Trump-in “të painformuar dhe të shkëputur nga realiteti”, duke paralajmëruar se vendimi mund të “shkaktojë një zinxhir testimesh bërthamore” dhe të minojë Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer testin e tyre të fundit bërthamor në vitin 1992. Që nga vitet 1990, pothuajse të gjitha fuqitë bërthamore, përveç Koresë së Veriut, kanë ndalur testet shpërthyese.

 

 

 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme