Një stuhi dëbore ka shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror në një nga fundjavat më të ngarkuara të vitit në Nju Jork dhe në rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qytetin e Nju Jorkut dhe në shtetin e Nju Xhersit.
Sipas “Sky News”, moti i keq ka sjellë ndërprerje të konsiderueshme për udhëtarët që po kthehen ose po udhëtojnë për festat e Krishtlindjeve. Shërbimi i ndjekjes së fluturimeve, “FlightAware”, raportoi se që nga mbrëmja e së premtes janë anuluar ose vonuar të paktën 9,000 fluturime.
Aeroportet kryesore të zonës, “John F. Kennedy International”, “Newark Liberty International” dhe “LaGuardia”, kanë shpërndarë paralajmërime për dëborë në mediat sociale, duke njoftuar se moti i keq mund të shkaktojë ndërprerje të mëtejshme të fluturimeve.






















