Bota 4 Janar 2026, 18:09 Nga VNA

Si reagoi Ballkani Perëndimor ndaj sulmit të SHBA-së në Venezuelë?

Ndaje në Whatsapp
Si reagoi Ballkani Perëndimor ndaj sulmit të SHBA-së në

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur reagime të përziera për sulmin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë të shtunën, i cili i parapriu kapjes së udhëheqësit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimit të tij në paraburgim në Nju Jork.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën deri në “kalimin e duhur të pushtetit” dhe do t’i shfrytëzojnë rezervat e saj të mëdha të naftës, pas rrëzimit të Maduros.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe (i pari majtas), presidenti amerikan, Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në Florida duke shikuar një transmetim nga distanca të misionit të ushtrisë amerikane për të kapur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, më 3 janar 2026.

Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork të dielën, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t'u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.

Para sulmit, Shtetet e Bashkuara e kishin akuzuar vazhdimisht Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

Më poshtë mund të lexoni reagimet e vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani të shtunën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.

“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook të shtunën.

Shqipëria

Ministrja për Çështje Evropiane e Shqipërisë, Elisa Spiropali, shkroi në X të shtunën se Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Trumpit në veprimet e tyre “vendimtare kundër regjimit narkoterrorist të Venezuelës”.

“Ne mbështesim udhëheqjen e fortë të sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale. Populli venezuelian ka të drejtë të padiskutueshme për liri, demokraci dhe sundimin e ligjit, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të mbetet i heshtur përballë shtypjes dhe frikës”, shtoi ajo.

Maqedonia e Veriut

Timco Mucunsk, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, tha se Shkupi e “mirëpret” njoftimin e Trumpit se Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë.

“Gjithashtu përgëzoj sekretarin e Shtetit [Marco] Rubio për udhëheqjen e tij në përballjen me rrjetet narkokriminale të regjimit të Maduros. Përgjegjshmëria ka rëndësi. Ne qëndrojmë përkrah Shteteve të Bashkuara dhe popullit venezuelas për liri dhe demokraci”, shkroi Mucunski në X të shtunën.

Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar kapjen e aleatit të tij Maduro, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.

Vuçiç tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Vuçiç thotë se rendi juridik ndërkombëtar “qartazi nuk funksionon” pas kapjes së Maduros nga SHBA. “Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, tha Vuçiç për media të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Bosnja e Hercegovina

Ministria e Jashtme e Bosnjës u bëri thirrje të dielën “të gjithë aktorëve të veprojnë në mënyrë racionale, me përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe vuajtjeve”.

“Ne shprehim mbështetjen tonë për popullin e Venezuelës dhe për stabilitetin në vend dhe në rajonin më të gjerë”, tha Ministria në X.

“Nicolas Maduro është diktator që ka qeverisur përmes frikës, përdorimit të forcës, ushtrisë dhe policisë, kontrollit të plotë të mediave dhe instrumenteve të tjera represive. Mbajtja e tij në pushtet nuk është bazuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në mashtrim dhe manipulim zgjedhor, si dhe në shtypjen sistematike të kundërshtarëve politikë dhe aktivizmit studentor përmes arrestimeve, frikësimit dhe kërcënimeve”.

“Të gjithë diktatorët politikë sillen në mënyrë të ngjashme dhe përdorin të njëjtat metoda represive, përfshirë edhe ata nga realiteti ynë politik në këtë pjesë të botës. Shtetet e Bashkuara janë partneri strategjik dhe miku më i rëndësishëm i Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Kroacia

Ministria e Jashtme e Kroacisë tha të shtunën se po ndiqte nga afër gjendjen në Venezuelë në bashkërendim me partnerët në Bashkimin Evropian.

“Do të angazhohemi që lufta kundër aktiviteteve të paligjshme ndërkombëtare të zhvillohet në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe parimet themelore, si dhe me mbrojtjen e popullsisë civile. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë sigurisë dhe mirëqenies së shtetasve kroatë që banojnë në Venezuelë, si edhe emigrantëve kroatë në atë vend”, shkroi ajo.

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Cilia Flores dhe nga kryetarja e Asamblesë Kushtetuese Kombëtare, Delcy Rodriguez, në Karakas, Venezuelë, maj 2018.

“Regjimi i Nicolas Maduros ka mungesë legjitimiteti që buron nga zgjedhje të mbajtura në mënyrë demokratike. Ndarjet e thella politike të brendshme, si dhe qasjet e ndryshme të komunitetit ndërkombëtar ndaj autoriteteve në Karakas, e kanë komplikuar edhe më tej situatën tashmë komplekse në vend”.

“Situata në Venezuelë prej shumë vitesh është karakterizuar nga një krizë e thellë politike, ekonomike dhe institucionale, e cila është shfaqur përmes funksionimit rëndë të cenuar të institucioneve shtetërore, rënies ekonomike, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe një krize të rëndë humanitare që ka nxitur migrime masive të popullsisë”.

Mali i Zi

Mali i Zi nuk ka reaguar deri tani./REL 

Video

Pas vrasjes së një gruaje nga agjentët federalë të imigracionit, në Minneapolis kanë shpërthyer protesta. Protestuesit nuk lejuan largimin e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe hodhën sende në drejtim të tyre. Si pasojë e tensioneve, agjentët përdorën sprej kimik për shpërndarjen e turmës. Sipas dëshmive, disa qytetarë u prekën nga substanca kimike edhe pse nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përplasje, duke pësuar irritime në lëkurë, sy dhe rrugët e frymëmarrjes.

Ikona e kinemasë franceze Brigitte Bardot u përcoll me nderime për në banesën e fundit me një funeral të mbajtur në Saint-Tropez, qytetin ku ajo jetoi për më shumë se 50 vite pas tërheqjes nga fama. Bardot do të prehet në një varrezë me pamje nga Deti Mesdhe, pranë prindërve të saj dhe bashkëshortit të parë, regjisorit Roger Vadim. Ajo u nda nga jeta më 28 dhjetor, në moshën 91-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Manjati rus Ilyas Gimandutdinov, pronar i kompanisë së transportit Tattranskom, ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua në qytetin e Permit. Sipas raportimeve, helikopteri është përplasur pasi është ngatërruar në linjat e energjisë elektrike. Si pasojë e aksidentit kanë vdekur dy persona që ndodheshin në bord, përfshirë Gimandutdinov dhe Elmir Koniakov, drejtues në të njëjtën kompani. Momenti i rrëzimit është filmuar dhe videoja është shpërndarë në rrjetet sociale. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.

Janë publikuar pamjet e incidentit në të cilin agjentë federalë të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje një grua 37-vjeçare në Minneapolis. Sipas videos, agjentët tentuan ta nxirrnin gruan nga automjeti, por ajo refuzoi të hapte derën dhe lëvizi makinën përpara. Në këtë moment, një agjent që ndodhej përpara mjetit u largua anash dhe hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja u filmua nga një dëshmitare dhe pamjet tregojnë automjetin e përplasur, ndërsa zona u rrethua nga policia dhe u mblodhën dhjetëra qytetarë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se të shtënat u kryen në vetëmbrojtje, pasi gruaja dyshohet se përdori automjetin për të kërcënuar oficerët. Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, reagoi duke shprehur mirëkuptim për zemërimin e komunitetit dhe duke kritikuar praninë e forcave federale në qytet, duke theksuar se veprimet e tyre nuk kontribuojnë në rritjen e sigurisë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme