Bota 25 Tetor 2025, 14:52 Nga VNA

Shumë jetë në Gaza ende varen në fije të perit

Ndaje në Whatsapp
Shumë jetë në Gaza ende varen në fije të perit
Një nënë me fëmijën e saj në Gaza

Në pavione të ndryshme të Spitalit “Nasser” qëndrojnë dy djem 10-vjeçarë: njëri i qëlluar nga zjarri izraelit, i paralizuar nga qafa e poshtë, dhe tjetri me tumor në tru.

Tani që një armëpushim i brishtë është në fuqi, ata janë mes rreth 15 mijë pacientëve që, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor jashtë Rripit të Gazës.

“Ai ka nevojë për operacion urgjent”

Ola Abu Said qëndron pranë shtratit të djalit të saj, Amarit, duke i ledhatuar flokët. Familja thotë se ai u plagos në tendën e tyre në jug të Gazës nga një plumb i një droni izraelit.

Plumbi është ngulur midis dy rruazave të shtyllës kurrizore, duke e lënë të paralizuar.

“Ai ka nevojë për operacion urgjent,” thotë Ola. “Por është shumë e ndërlikuar. Mjekët më kanë thënë se ndërhyrja mund t’i shkaktojë vdekjen, një goditje në tru ose hemorragji cerebrale. Ai duhet të operohet në një vend të pajisur mirë.”

Por Gaza sot është gjithçka tjetër përveç një vendi të tillë. Pas dy vitesh lufte, spitalet e saj janë në gjendje kritike.

Pranë shtratit të të vëllait të vogël, Ahmed al-Jadd, motra e tij Shahd kujton se ai ka qenë gjithmonë mbështetja e saj në dy vite luftë dhe zhvendosje.

“Është vetëm 10 vjeç dhe, kur gjendja jonë u bë shumë e keqe, dilte të shiste ujë për të sjellë pak para,” rrëfen ajo.

Shumë jetë në Gaza ende varen në fije të perit

Pak muaj më parë, Ahmedi nisi të kishte shenja sëmundjeje:

“Filloi t’i anohej goja nga njëra anë dhe ankohej për dhimbje koke. Ne i dhamë vetëm paracetamol, por më vonë nisi problemet edhe dora e djathtë.”

Shahd, e cila kishte qenë studente universitare, thotë se ëndrra e saj e vetme është që i vëllai të mund të udhëtojë jashtë për të bërë operacionin.

“Nuk mund ta humbim. Kemi humbur babanë, shtëpinë dhe ëndrrat tona,” thotë ajo. “Kur ndodhi armëpushimi, na lindi një grimë shprese — ndoshta një përqind shans që Ahmedi të shpëtojë.”

Të mërkurën, OBSH koordinoi konvojin e parë mjekësor që doli nga Gaza që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor.

Nëpërmjet kalimit të Kerem Shalom-it, 41 pacientë dhe 145 kujdestarë u dërguan drejt Jordanisë për trajtim, disa prej tyre kanë qëndruar atje.

Agjencia e OKB-së kërkon që numri i evakuimeve të rritet me urgjencë, për të përballuar mijëra raste të të sëmurëve dhe të plagosurve.

Shumë jetë në Gaza ende varen në fije të perit

Megjithatë, Izraeli mban ende të mbyllur kalimin e Rafah-ut drejt Egjiptit, duke kërkuar që Hamasi të kthejë trupat e pengjeve të vrarë, sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Ky kufi është i mbyllur që prej majit 2024, kur Izraeli mori kontrollin e tij gjatë luftës.

Drejtori i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se masa më e rëndësishme do të ishte që Izraeli të lejonte pacientët nga Gaza të trajtohen në spitalet e Bregut Perëndimor dhe të Jeruzalemit Lindor — siç ndodhte para luftës.

Kjo kërkesë është mbështetur nga mbi 20 vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, që kanë ofruar fonde, personel dhe pajisje mjekësore.

“Nëse do të rihapej ky itinerar, qindra pacientë mund të trajtoheshin brenda pak ditësh,” thotë Dr. Fadi Atrash, drejtori i spitalit “Augusta Victoria” në malin e Ullinjve.

“Vetëm ne mund të trajtojmë 50 pacientë në ditë për kimioterapi dhe rrezatim. Rrugëtimi është më i shkurtër, më efikas, flasim të njëjtën gjuhë dhe shpesh kemi dosjet e pacientëve nga Gaza.”

Ndërkohë, COGAT — autoriteti izraelit që kontrollon kalimet — tha se çështja është “vendim politik”, duke ia kaluar përgjegjësinë zyrës së kryeministrit, që nuk dha koment.

Izraeli citon arsye sigurie për ndalimin e hyrjeve të pacientëve palestinezë, duke kujtuar se pika kryesore e kalimit në Erez ishte sulmuar nga luftëtarët e Hamasit më 7 tetor 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, vetëm deri në gusht 2025 kanë vdekur të paktën 740 persona, përfshirë 140 fëmijë, ndërsa prisnin në listën e evakuimeve.

“Është ndjenja më e vështirë për një mjek të dijë çfarë ka pacienti, por të mos ketë mjetet për ta trajtuar,” thotë Dr. Ahmed al-Farra, drejtori i pediatrisë në Spitalin Nasser.

“Çdo ditë humbasim jetë për shkak të mungesës së kapaciteteve.”

Në javën e fundit, tre fëmijë të tjerë kanë humbur jetën:

Saadi Abu Taha (8 vjeç) nga kanceri në zorrë, Zain Tafesh (3 vjeç) dhe Luay Dweik (8 vjeç) nga hepatiti.

Nëse nuk merren masa urgjente, shumë të tjerë nuk do të kenë as mundësinë të jetojnë në paqe./Marrë nga BBC/

Video

Prokuroria e Parisit ka nisur hetime pas publikimit të një videoje ku tre të burgosur kërcënonin ish-presidentin Nicolas Sarkozy. Autoritetet kanë sekuestruar dy telefona celularë që dyshohet se janë përdorur për xhirimin e videos. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim për sigurinë e Sarkozy-t, i cili tashmë është nën hetim nga policia franceze. Rasti po trajtohet si kërcënim serioz ndaj jetës së tij.

U Spiropalizua edhe Diella.

Fushata për Tiranën pa datë, me tre kandidatë: Ministrja, Aktori dhe Profesori.

Diella paska fjetur me të gjithë grupin parlametar të PS!

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme