Bota 15 Shkurt 2026, 14:15 Nga VNA

Rubio siguron Zelenskyn për angazhimin e SHBA-së, por paralajmëron për lëshime “të vështira”

Ndaje në Whatsapp
Rubio siguron Zelenskyn për angazhimin e SHBA-së, por

Në ditën e tij të dytë në Konferencën e Sigurisë në Munih, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të ulte shqetësimet dhe të përcaktonte fokusin: Ukraina dhe siguria, sinjalizoi ai, mbeten qendra e gravitetit të politikës transatlantike të Uashingtonit.

Edhe pse gjatë fjalimit në konferencë shmangu përmendjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës, kjo rezultoi të jetë jetëshkurtër. Sapo nisi sesioni i pyetje, lufta, por edhe roli i Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin e përfundimit të saj, kaluan në plan të parë.

Ky fokus u vu në pah në një intervistë për Bloomberg TV, menjëherë pas fjalimit të tij, ku Marco Rubio dha vlerësimin e tij më të qartë deri më tani për mënyrën se si konflikti mund të shkojë drejt përfundimit.

Ai deklaroi se nuk pret që lufta të përfundojë me atë që shumë do ta konsideronin një “humbje tradicionale” për njërën palë, duke argumentuar se Rusia ka pak gjasa të arrijë objektivat e saj fillestare të luftës.

Në vend të kësaj, sugjeroi ai, ambiciet e Moskës janë ngushtuar në konsolidimin e rreth 20 për qind të rajonit të Donjeckut që ende nuk e kontrollon, një synim që, sipas tij, do të kërkonte lëshime “të vështira” nga Kievi, si në aspektin taktik ashtu edhe në atë politik.

Gjetja e një formule të pranueshme për Ukrainën dhe për Rusinë, tha ai, mbetet sfida kryesore. “Mund të mos funksionojë”, paralajmëroi kryediplomati Rubio, megjithëse theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për arritjen e një marrëveshjeje.

Ai vuri në dukje shenja të përparimit në javët e fundit dhe theksoi se negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të rifillojnë bisedimet në ditët në vijim.

Që nga ai moment, dita vazhdoi me takime të nivelit të lartë.

Rubio u takua fillimisht me homologët e tij të G7, përfshirë ministrin e Jashtëm të Ukraina. Diskutimi ishte i gjerë, duke nisur nga konfliktet që po destabilizojnë Afrikën dhe Lindjen e Mesme, te presionet në rritje të sigurisë në Indo-Paqësor dhe Hemisferën Perëndimore.

Megjithatë, Ukraina mbeti tema e pashmangshme. Rubio “përsëriti angazhimin e SHBA-së për promovimin e stabilitetit në Venezuelë dhe për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainlë, përmes negocimit”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, ndërsa ministrat u zotuan për koordinim më të ngushtë të G7 kundër një sërë kërcënimesh globale. 

Në margjinat e konferencës, Rubio u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Takimi zgjati rreth 40 minuta. Përmes një deklarate të publikuar në Telegram, Zelensky tha se e informoi Rubion për “situatën në vijat e frontit, sulmet e vazhdueshme ruse dhe pasojat e sulmeve ndaj sistemit të energjisë”.

Të dy gjithashtu biseduan në detaje rrugën diplomatike, përfshirë bisedimet trepalëshe të planifikuara për javën e ardhshme në Gjenevë.

“Është e rëndësishme që negociatat e planifikuara në Gjenevë të jenë produktive dhe e falënderoj Shtetet e Bashkuara për qasjen e tyre konstruktive”, tha Zelensky.

Zelensky po ashtu bisedoi me të dërguarit e Trumpit, Witkoff dhe Kushner para rundit të ri të bisedimeve. Ata folën për zhvillimet që nga rundi paraprak i mbajtur në Abu Dabi.

Ai po ashtu i informoi për bisedën me Rubion dhe u shpreh falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës./REL 

 

 

Video

Një ortek i fuqishëm goditi zonën malore të Val Veny, në Alpet italiane pranë kufirit me Francën, duke shkaktuar vdekjen e tre shtetasve francezë. Sipas autoriteteve lokale, orteku ndodhi në një zonë alpine të frekuentuar nga alpinistë dhe turistë.

Të paktën 11 persona u vranë gjatë tre sulmeve të forcave ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, dy në Oqeanin Paqësor dhe një në Karaibe. Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetin X nga Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara. Sipas ushtrisë amerikane, operacionet janë pjesë e një fushate që ka nisur prej më shumë se gjashtë muajsh kundër karteleve të drogës që synojnë tregun amerikan. Që nga shtatori, raportohen të paktën 140 viktima. Megjithatë, ligjshmëria e këtyre sulmeve është vënë në pikëpyetje nga ekspertë dhe organizata ndërkombëtare. Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i ka cilësuar bombardimet si “vrasje jashtëgjyqësore”, ndërsa kritika janë shprehur edhe në Uashington për mungesë provash konkrete mbi përfshirjen e anijeve të goditura në trafik të paligjshëm.

Të ikë Rama. Të ikë edhe Fevziu.

Kur nisesh nga Londra për t’i dhënë një nga gjymtyrët Sali Berishës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme