Bota 26 March 2026, 18:47 Nga VNA

Raporti vjetor i NATO-s: Rusia, kërcënimi më i madh për sigurinë

Ndaje në Whatsapp
Raporti vjetor i NATO-s: Rusia, kërcënimi më i madh për

Raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si ‘kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë në rajonin euroatlantik’, duke vlerësuar se Kremlini ‘ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik’.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, prezantoi raportin vjetor të NATO-s, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Rusia ka të ngjarë të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike nëse Moska ndonjëherë sulmon NATO-n.

‘Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i frikshëm për sigurinë në rajonin euroatlantik. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të testojë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimeve dhe aktiviteteve dashakeqe kibernetike, apo përmes ndërhyrjes politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamenduara, qoftë nga Rusia apo të tjerët, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare’, tha Rutte në një konferencë për shtyp.

Raporti vjetor shqyrton përfundimet kryesore dhe arritjet e NATO-s në vitin 2025 dhe thekson se ‘lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se energjia ka të ngjarë të jetë objektivi kryesor në çdo sulm të drejtuar ndaj NATO-s’.

Në dokument thuhet po ashtu se ‘NATO identifikon mësimet e nxjerra nga Ukraina, ndërkohë që intensifikon stërvitjet, trajnimet dhe koordinimin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike’, duke iu referuar një stërvitjeje ushtarake në shtator që testoi sigurinë energjetike të aleancës dhe çoi në ‘një kuptim të asaj që nevojitet për të garantuar sigurinë e furnizimit’.

 

Ballkani Perëndimor, rajon me rëndësi strategjike për NATO-n

Për Ballkanin Perëndimor thuhet se është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n.

Në kapitujt që i referohen rajonit thuhet se prania e NATO-s në Kosovë është kyç për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Kujtohet se që nga viti 1999, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, punon për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet, si dhe lirinë e lëvizjes.

Po ashtu theksohet rëndësia e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vlerësohet si thelbësor për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

‘NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, veçanërisht përmes dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së, i cili është kyç për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon’, thuhet në raportin vjetor të aleancës ushtarake perëndimore.

Në pjesën që i referohet Bosnjës dhe Hercegovinës, dokumenti thekson se miratimi i Programit të parë të Partneritetit të Përshtatur Individual për Bosnjë dhe Hercegovinën në tetor, si dhe dorëzimi i paketës së parë të mbështetjes në kuadër të nismës për ofrimin e këshillimit strategjik, trajnimit dhe ndihmës praktike për vendet partnere, ‘kanë shënuar momente të rëndësishme kthese’ në raportet mes Sarajevës dhe aleancës.

Prania e shtuar e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes selisë së aleancës në Sarajevë dhe Njësisë për Mbështetje të Angazhimit Politik, ka vazhduar të ofrojë mbështetje në nivel lokal, duke u angazhuar për mbrojtjen dhe sigurinë.

‘Mbështetja e NATO-s për operacionin EUFOR Althea, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në kuadër të marrëveshjes ‘Berlin Plus’, ka ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë’, thuhet në dokument.

Sa i përket Serbisë, në raportin vjetor thuhet se kontaktet me këtë vend kanë vazhduar në trajtimin e çështjeve me rëndësi rajonale dhe në nisjen e nismave për bashkëpunim të ardhshëm ushtarak.

Vendet anëtare të NATO-s rrisin shpenzimet për mbrojtje

Një pjesë e madhe e dokumentit të prezantuar i kushtohet shpenzimeve për mbrojtje, që është një kërkesë kyç e presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas të dhënave nga raporti vjetor, anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja investuan gjithsej 574 miliardë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind në terma realë krahasuar me vitin paraprak.

‘Vazhdimi i këtij trendi kyç do të jetë prioritet në vitet që vijnë. Për shumë kohë, aleatët evropianë dhe Kanadaja janë mbështetur tepër në fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk kemi marrë mjaftueshëm përgjegjësi për sigurinë tonë. Por, ka një ndryshim të vërtetë në mënyrën e të menduarit, një njohje kolektive e mjedisit tonë të ndryshuar të sigurisë’, deklaroi sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, duke vlerësuar se po arrihet përparim i madh./REL

Video

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme