
Raporti prej 335 faqesh i publikuar më 5 gusht tregon se Titan, një nëndetëse 22 metra e gjatë, shpërtheu më 18 qershor 2023, për shkak të faktorëve që ishin kryesisht në kontrollin e kompanisë që e operonte atë.
Nga Jeanine Santucci
USA TODAY
Raporti i sapo publikuar i Rojës Bregdetare ka zbuluar se shpërthimi i nëndetëses që shkonte drejt Titanikut në qershor 2023, një tragjedi që mori vëmendjen e botës në të cilën u vranë pesë persona, ishte "i parandalueshëm", por u nxit nga ndërtimi i papërshtatshëm i saj dhe nga kultura toksike në punë.
Raporti prej 335 faqesh i publikuar më 5 gusht tregon se Titani, një nëndetëse 22 metra e gjatë e bërë nga fibra karboni, shpërtheu më 18 qershor 2023, për shkaqe që ishin kryesisht në dorën e kompanisë që e operonte atë, OceanGate.
Në këto shkaqe përfshihet një "proces i papërshtatshëm i ndjekur nga OceanGate në lidhje me projektimin, certifikimin, mirëmbajtjen dhe inspektimin e Titanit", thuhet në raport.
Gjatë shpërthimit humbën jetën të pesë personat që ishin në bord: themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i OceanGate, Stockton Rush, miliarderi britanik Hamish Harding, eksperti francez detar Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar, Suleman Dawood.
“Ky aksident detar dhe humbja e pesë jetëve ishte e parandalueshme”, tha Jason Neubauer, kryetar i Bordit të Hetimit Detar të Rojës Bregdetare të SHBA-së për Titanin. “Hetimi dyvjeçar ka identifikuar një numër faktorësh që që çuan në këtë tragjedi, dhe ka nxjerrë mësime të vlefshme për të parandaluar ngjarje të ardhshme.”
Raporti lëshon kritika të ashpra ndaj OceanGate dhe Drejtorit Ekzekutiv të saj
Sipas Raportit të Rojës Bregdetare faji i drejtpërdrejtë për shpërthimin katastrofik është i OceanGate, që nuk ndoqi protokollet e sigurisë, testimit dhe mirëmbajtjes. Në raport thuhet se për vite me radhë para shpërthimit, OceanGate “përdori taktikat e frikësimit, lejet për operacionet shkencore dhe reputacionin e favorshëm të kompanisë për të shmangur shqyrtimin rregullator”.
Titani nuk ishte i regjistruar, i certifikuar ose i inspektuar nga ndonjë organizatë e njohur, thuhet në raport.
Sipas Raportit, nëse Rush, Drejtori Ekzekutiv, do të kishte mbijetuar, ai mund të ishte përballur me akuza penale. Hetuesit arritën në përfundimin se ai "ka treguar neglizhencë që çoi në vdekjen e katër individëve".
"Është e rëndësishme të theksohet se përcaktimi nëse është kryer apo jo ndonjë krim do të duhej të arrihej nga analiza dhe hetimi i Departamentit të Drejtësisë, por që në këtë rast nuk do të kryhet për shkak se z. Rush ka vdekur", theksohet në raport.
Kronologjia e çasteve të fundit të Titanit
Raporti dokumenton kohën e saktë kur
Titani humbi komunikimin me Polar Prince,
anijen mbështetëse ku ndodhej pjesa tjetër e ekuipazhit të ekspeditës, dhe që në
fund shpërtheu. Ekspedita filloi më 16 qershor, kur Polar Prince u nis në lundrim nga Newfoundland dhe Labrador,
në Kanada. Dy ditë më vonë, Polar Prince
mbërriti në afërsi të rrënojave të Titanikut në Atlantikun e Veriut dhe nëndetësja u lëshua në det.
8:30 e mëngjesit: Pesë anëtarët e ekuipazhit hipin dhe mbyllen në nëndetëse.
9:14 e mëngjesit: Titani fillon rënien e tij të lirë drejt Titanikut. Zakonisht, gjatë
zhytjeve, Titani manovronte pranë sipërfaqes së oqeanit për të bërë "kontrollin e komunikimit", por sipas raportit nuk arriti ta bënte këtë në zbritjen e tij të fundit.
9:28 e mëngjesit: Ekuipazhi i Titanit duke komunikuar me mesazhe të shkurtuara me tekst, konfirmon se anija po zbret me një shpejtësi prej 33 metrash (më shumë se 100 këmbë) në minutë.
9:53 e mëngjesit: Komunikimi ndërmjet Titanit dhe Polar Prince humbet për rreth 15 minuta, prandaj anija e kërkimit dërgonte në mënyrë të përsëritur këtë mesazh: "A shihni Polar Prince në ekranin tuaj?”.
10:08 paradite: Titani i dërgon Polar Prince mesazhin "k", duke rivendosur komunikimin. Anija vazhdon të dërgojë mesazhe në lidhje me pozicionin e saj.
10:47:02 paradite: Titani dërgon një mesazh se "ka hedhur dy pesha", duke treguar se ka hedhur pesha balasti për të ngadalësuar zbritjen e saj.
10:47:08 paradite: Titani dërgon një transmetim automatik që regjistron vendndodhjen e saj përfundimtare në një thellësi prej 3,346.28 metrash (pak më pak se 11,000 këmbë).
10:47:09 paradite: Titani shpërthen dhe të gjithë në bord vdesin menjëherë. "Dy sekonda më vonë, Ekipi i Komunikimit dhe Ndjekjes TITAN në POLAR PRINCE dëgjoi një 'shpërthim' që vinte nga sipërfaqja e oqeanit, të cilin më vonë hetimi e lidhi me shpërthimin e TITANIT", thuhet në raport. "Pas kësaj, të gjitha komunikimet dhe gjurmimi i TITANIT humbën."
7:10 pasdite: Pasi ndoqi pa sukses protokollet e misionit për të rivendosur komunikimin me anijen Titan, anija Polar Prince njofton Rojën Bregdetare Kanadeze se Titani është në rrezik. Roja Bregdetare Kanadeze udhëzon ekuipazhin të njoftojë Rojën Bregdetare të SHBA-së, duke nisur një operacion shumëkombësh kërkimi që zgjati deri në gjetjen e një fushe me mbeturina më 22 qershor.
Cilët faktorë çuan në shpërthimin e Titanit? Konstrukti i dobët, vend pune toksik
Raporti identifikoi tetë faktorë kryesorë dhe disa faktorë që çuan në katastrofë:
• Procedurat e projektimit dhe testimit të OceanGate ishin të papërshtatshme për të siguruar saktësinë inxhinierike të nevojshme për një anije si Titani, e cila vetvetiu duhej të lundronte në kushte të rrezikshme.
• OceanGate nuk kreu analiza për të përcaktuar jetëgjatësinë e pritur të trupit të Titanit.
• OceanGate u mbështet me tepri në sistemin e monitorimit në kohë reale për trupin me fibra karbonit, por nuk kreu një "analizë të plotë" bazuar në të dhënat e ofruara nga sistemi.
• Kompania vazhdoi të përdorte Titanin edhe pas një serie incidentesh që "kompromentuan integritetin e trupit të saj" dhe përbërësve të tjerë të nëndetëses, pa e vlerësuar ose inspektuar atë.
• Projektimi dhe ndërtimi i vetë trupit të Titanit "tregoi të meta që dobësuan integritetin e përgjithshëm strukturor".
• OceanGate nuk i hetoi siç duhet aksidentet e mëparshme.
• Kompania e kishte një "mjedis toksik pune" që shfaqej në shkarkimin e punonjësve ose kërcënime për shkarkime nga puna për të shkurajuar punonjësit dhe kontraktorët që të flisnin hapur për shqetësimet që kishin në lidhje me sigurinë.
• OceanGate nuk e ruajti ose mirëmbjti siç duhet Titanin gjatë periudhës së pushimit.
Faktorë të tjerë që u përcaktuan në raport si kontribues të katastrofës përfshijnë mosndjekjen e protokolleve të shkruara të vet kompanisë për sigurinë; mburrjen e Rush se trupi i Titanit ishte "i pathyeshëm", duke krijuar një ndjesi të rreme sigurie për pasagjerët dhe rregullatorët; dhe dhënien përparësi të çështjeve financiare në raport me sigurinë. Gjithashtu, pjesërisht faji bie edhe mbi mungesën e rregullave për nëndetëset në ujërat e SHBA-së dhe mosshfrytëzimi i një mundësie për të ndërhyrë pasi Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë e SHBA-së deshi shumë kohë për të hetuar një ankesë të vitit 2018 të një sinjalizuesi, thuhet në raport.
Anija e kërkimit dëgjoi një “bum” kur shpërtheu Titani
Anëtarët e ekuipazhit në bordin e Polar Prince u thanë hetuesve se dëgjuan një "bum" në momentin kur humbën komunikimet me Titanin, por nuk i dhanë shumë rëndësi në fillim.
Sipas raportit, zhurma u dëgjua rreth orës 10:47:11 të paradites, dy sekonda pas shpërthimit. Në atë çast, drejtuesi i komunikimeve dhe ndjekjes i OceanGate që ishte në dhomën e hartave, iu drejtua një punonjësi tjetër të OceanGate duke i thënë tha: "Çfarë ishte ajo bum?".
Më vonë, kapiteni i Polar Prince u tha hetuesve përmes një deklaratë me shkrim: “Tani që di diçka më shumë, mendoj se rreth çastit kur thuhet se humbën komunikimet e ndjeva POLAR PRINCE të dridhej, por në atë kohë nuk e menduam fare këtë gjë… ishte e parëndësishme.”
Pamjet e atij çasti në Polar Prince të publikuara më herët këtë vit, me Wendy Rush, bashkëshortja e Drejtorit Ekzekutiv të OceanGate, dhe Gary Foss, pjesë e ekipit të gjurmimit dhe komunikimit me nëndetësen, të cilët dihet se ishin në dhomë. Në pamjet filmike, tingulli ngjan si një goditje “bum” e mbytur, dhe as Rush, as Foss, nuk dukeshin të alarmuar ndërsa punonin për të mbajtur komunikimin me Titanin.
Roja Bregdetare ka thënë se goditja e mbytur besohet të jetë tingulli i shpvrthimit, që arriti sipërfaqen e oqeanit pak çaste më vonë.
Cila ishte pika e fundit që i dha fund Titanit?
Në raport thuhet se hetuesit nuk ishin në gjendje të përcaktonin përfundimisht shkakun e saktë të dështimit të trupit të Titanit, por vunë në dukje humbjen e integritetit strukturor ose të fibrave të karbonit që përbënin trupin ose të nyjes ngjitëse brenda trupit cilindrik të presionit të anijes.
Një studim fizibiliteti i kryer nga Boeing në vitin 2013 tregoi se funksionimi i nyjeve ngjitëse ishte i pasigurt dhe rekomandoi kërkime të mëtejshme se si presioni intensiv në thellësitë e oqeanit do të ndikonte në to, gjë që OceanGate nuk e bëri, thuhet në raport. Studimi gjithashtu theksoi se fibra e karbonit nuk kishte dhënë prova për nëndetëse në thellësi të tilla.
Hetuesit që shqyrtuan mbeturinat e trupit panë se ngjitësi i përdorur për të lidhur trupin e fibrave të karbonit me elementët e titanit ishte "shkëputur nga i gjithë segmenti i përparmë".
"Çdo çarje ose shkëputje në njërën nga nyjet ngjitëse do të kishte çuar në shpërthimin e TITANIT për shkak të presioneve ekstreme që ndodhin në thellësinë maksimale të saj", thuhet në raport.
Kur nëndetësja shpërtheu, hetuesit besojnë se pika apo dritarja e saj e shikimit, u nxor jashtë; ajo nuk u gjet kurrë në zonën e mbeturinave, por unaza e saj mbajtëse u gjet e përkulur nga jashtë me 16 bulonat e saj të prerë, thuhet në raport.
Pasagjerët e Titanit vdiqën menjëherë pas shpërthimit
Shpërthimi i trupit të Titanit i ekspozoi pasagjerët e tij ndaj shtypjes së ujit prej 4,930 paund për inç katror, duke shkaktuar vdekjen e tyre të menjëhershme, zbulohet në raport.
Kur u raportua për herë të parë te autoritetet se Titani ishte në rrezik, u nis një ekspeditë kërkimore shumëkombëshe për të gjetur shenja se nëndetësja mund të ketë dalë në sipërfaqe me pasagjerët brenda saj ende gjallë, por që ndoshta po mbeteshin pa oksigjen. Vetëm pas zbulimit të zonës së mbeturinave në fund të oqeanit më 22 qershor, hetuesit përcaktuan përfundimisht se anija shpërtheu, dhe të gjithë ata që ishin në bord u vranë.
https://www.usatoday.com/story/news/nation/2025/08/05/titan-submersible-implosion-coast-guard-report/85522207007/?utm_campaign=channel&fbclid=IwQ0xDSwL-9ztleHRuA2FlbQIxMAABHqMRNhaG8BKUEFj9cpvBKMTz5HKWQfmNjVMaOxyWIBNVsnyT2yhZm1e9AauC_aem_GK7VrT_EVSyUpch9Iaq5XQ&sfnsn=mo