Bota 12 Shtator 2025, 16:07 Nga VNA

Qeveria e Kosovës reagon pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga SHBA

Ndaje në Whatsapp
Qeveria e Kosovës reagon pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeziu deklaroi se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka ndërmarrë hapa me synimin për të garantuar stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në vend.

Ai theksoi gjithashtu se kritikat e kryeministrit Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese janë bërë si reagim ndaj vendimeve që, sipas tij, kanë cenuar karakterin demokratik të Republikës së Kosovës.

Në fund, Kryeziu nënvizoi se kjo është qeveria e parë që ka përfunduar një mandat të plotë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Reagimi i Kryeziut:

Qeveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.

Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona.

 

Video

Vazhdon terrori në Gaza. Një nënë palestineze dëgjohet duke bërtitur për djalin e saj, pas një sulmi ajror izraelit që goditi një banesë pranë shtëpisë, ndërsa familja po përgatitej të evakuohej. Banorët e Gazës thonë se Izraeli jep vetëm 15 deri në 30 minuta paralajmërim përpara se të godasë ndërtesat.

Ky është momenti kur 43-vjeçari, Bardhyl Kaloshi, humbi jetën paraditen e 11 shtatorit në lagjen nr. 6 në Durrës, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike teksa kalonte në një rrugë të përmbytur nga reshjet. Ai preku një shtyllë ndriçimi që kishte kabuj të zhveshur brenda saj. Sipas banorëve dhe bizneseve përreth, rreziku ishte raportuar prej ditësh, por autoritetet nuk morën masa. Fatkeqësisht, kjo neglizhencë rezultoi fatale, duke i marrë jetën një babai të tre fëmijëve.

Hyrja në parlament- Sali Berisha e konsideron këtë akt si luftë dhëmbë për dhëmbë me narko-regjimin

Mirë do ishte të dëgjonim një herë edhe dajën e Shabanit. Se tezja e Lapajt nuk qenka shumë bindëse.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme