
Në Stacionin Qendror të Milanos u shënua një situatë trazirash gjatë marshimit në mbështetje të Gazës. Një grup i rinjsh të veshur me të zeza tentuan të hynin në stacionin e metrosë, ku u përplasën me policinë. Hyrja e stacionit u dëmtua rëndë, ndërsa trenat për më shumë se një orë nuk ndaluan në këtë stacion.
Janë raportuar disa të lënduar, ndërsa personeli i emergjencës ka asistuar rreth 12 persona, me moshë nga 23 deri në 54 vjeç, të cilët u përfshinë në përplasjet gjatë protestës. Deri tani nuk ka raportime për të lënduar në radhët e policisë.
Demonstruesit përdorën edhe aparate fikëse zjarri dhe vendosën koshat e mbeturinave si barrikada, duke hedhur shishe, kanistra dhe objekte të tjera drejt forcave të rendit. Në përpjekjen për të hyrë në stacion, ata u bllokuan në shkallët lëvizëse, ku policia përdori shkopinj për t’i larguar. U hodhën tymuese dhe u zhvilluan disa operacione shpërndarjeje të turmës. Me ndihmën e skelave, demonstruesit shkatërruan xhamat e hyrjes kryesore të stacionit.
Policia arriti t’i nxirrte jashtë stacionit, por demonstruesit vazhduan të hedhin çadra, shkopinj dhe barrierë kundër policisë në rrugën Vittor Pisani.
Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala:
“Veprimet vandalizuese të sotme nga grupe të dhunshme nuk justifikohen dhe nuk ndihmojnë kauzën palestineze. Javët e fundit, në Milano janë mbajtur protesta masive pro-Palestinë, gjithmonë në mënyrë paqësore,” tha ai.
Marshimi filloi në mëngjes nën shi të rëndë, me mijëra pjesëmarrës në grevën kombëtare në mbështetje të Gazës. Studentë dhe grupe pro-palestineze u mblodhën në Largo Cairoli dhe iu bashkuan marshimit që nisi nga Piazzale Cadorna drejt Stacionit Qendror. Në pankarta lexoheshin mesazhe si “Do ta bllokojmë gjithçka, stop gjenocidit.” Në protestë morën pjesë punonjës të transportit publik, mësues dhe stafi akademik.
Kur marshimi mbërriti në Piazza della Repubblica, pranë konsullatës amerikane, organizatorët brohoritën: “Po afrohemi konsullatës amerikane, bashkëfajtore në këtë krizë,” dhe u dëgjuan thirrje “vrasës, vrasës.” Demonstruesit dogjën flamujt e SHBA-së, Izraelit, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në Cadorna, disa demonstrues bënë një aksion duke okupuar selinë e kompanisë Enel, ngjitën në skela dhe prenë një telon.
Grevë dhe vonesa në transportin publik
Nga ora 8:45 nisi greva në transportin publik: linja 4 e metrosë u mbyll deri në orën 13:00, ndërsa greva e dytë është parashikuar nga ora 18:00. Për shkak të grevës së thirrur nga Unioni Sindikal i Bazës, trenat në Milano u anuluan ose pësuan vonesa deri në 2 orë, duke krijuar vështirësi edhe në stacionet Porta Garibaldi dhe Rogoredo.
Ambra Angiolini:
Në marshim mori pjesë edhe aktorja dhe prezantuesja Ambra Angiolini, së bashku me vajzën e saj. Ajo tha: “Ajo që po ndodh është e papranueshme nga çdo këndvështrim. Në Gaza nuk është më luftë, nuk është më as politikë. Ne jemi njerëz, vajza ime dhe shoqet e mia janë njerëz. Çnjerëzimi i kësaj toke është tmerrësor. Fëmijët nuk kanë faj; ata janë të pafajshëm dhe bëjnë atë që ne të rriturit u themi.”