Bota 17 October 2025, 21:14 Nga VNA

Princi Andrea heq dorë nga titulli mbretëror

Ndaje në Whatsapp
Princi Andrea heq dorë nga titulli mbretëror

Një njoftim i papritur ka tronditur Pallatin Buckingham dhe mediat në mbarë botën: Princi Andrea, Duka i Jorkut, djali i Princit të ndjerë Filip dhe i Mbretëreshës Elisabeta II, ka shpallur synimin për të hequr dorë nga titulli i tij mbretëror.

Vendimi, që ka ardhur pas një sërë skandalesh të pandërprera që kanë hedhur hije mbi gjithë familjen mbretërore Windsor, është bërë publik orët e fundit nga mediat kryesore ndërkombëtare.

Pozita e Princit Andrea brenda monarkisë britanike kishte kohë që ishte bërë jashtëzakonisht e brishtë. Që në vitin 2022 ai ishte tërhequr nga jeta publike, me miratimin e Mbretëreshës, dhe iu hoqën të gjitha titujt ushtarakë nderi dhe të drejtat për t’u quajtur “Lartësia e Tij Mbretërore”. Duka i Jorkut u përfshi kryesisht në skandalin lidhur me çështjen Epstein.

Akuza për ngacmime seksuale, ngritur nga Virginia Giuffre – e cila pretendonte se ishte detyruar të kishte marrëdhënie me Princin kur ishte ende e mitur – shkaktoi një krizë pa precedentë. Edhe pse Andrea i ka mohuar gjithmonë akuzat, një fotografi që e tregon së bashku me Giuffre-n dhe një intervistë e dështuar për BBC në vitin 2019 komprometuan rëndë imazhin e tij publik. Çështja përfundoi me një marrëveshje gjyqësore me shumë milionë paund, e cila megjithatë nuk e ndali valën e reagimeve në media.

Kohët e fundit, presioni që Princi të largohej përfundimisht nga jeta publike ishte rritur, sidomos nën shtytjen e Mbretit Karli III. Sipas burimeve pranë Pallatit, Sovrani kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për ta izoluar të vëllanë, me qëllim mbrojtjen e reputacionit të kurorës. Së fundmi, Mbreti i kishte ndërprerë edhe shpenzimet për sigurinë dhe e kishte nxitur të transferohej në një rezidencë më modeste.

Heqja dorë nga titulli mbretëror nga ana e Dukës së Jorkut përbën kulmin e një historie të gjatë dhe të dhimbshme. Është një akt ekstrem, që synon të ndërpresë çdo lidhje formale mes Princit dhe monarkisë. Edhe pse ai mbetet ende në vijën e trashëgimisë për fronin, ky njoftim nënvizon përjashtimin e tij të plotë nga jeta institucionale.

Ky hap shihet si një përpjekje për t’i dhënë fund polemikave publike dhe për të zhvendosur vëmendjen e mediave larg Familjes Mbretërore.

Princi Andrea, i cili do të vazhdojë të njihet si Duka i Jorkut, po përgatitet tashmë për një jetë plotësisht private, duke u tërhequr nga dritat e skenës që në fund e dogjën.

Monarkia britanike po përpiqet të hapë një kapitull të ri, duke shpresuar se ky gjest do të mjaftojë për të rindërtuar besimin e publikut, i cili është tronditur thellë nga skandalet që përfshinë njërin prej anëtarëve më të dukshëm të saj./The Sun

 

 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme