Bota 18 Shtator 2025, 17:05 Nga VNA

Paul Williams: Hashim Thaçi “s’kishte autoritet vendimmarrës” gjatë luftës së Kosovës

Ndaje në Whatsapp
Paul Williams: Hashim Thaçi “s’kishte autoritet

Në dëshminë e tij dy-ditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Paul Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës gjatë bisedimeve të dështuara të paqes në Rambuje në vitin 1999, dha dëshmi që mbështeti pretendimet e mbrojtjes se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk mund të kishte urdhëruar drejtpërdrejt krime lufte.

Williams i tha gjykatës të enjten se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, kishte “një strukturë të bazuar në fshatra” dhe se Thaçi nuk kishte autoritet për të marrë vendime pa miratimin e komandantëve të zonave operative të forcave guerile, ndër të tjerë.

Williams, dëshmitari i dytë në mbrojtjen e Thaçit kundër akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, konfirmoi gjithashtu pretendimet e mbrojtjes se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë komanduese ushtarake, por ishte një lëvizje e dalë nga baza, ku vendimmarrja vinte nga terreni.

Pretendime të ngjashme u bënë nga dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjyq, ish-ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së James Rubin, i cili dëshmoi nga e hëna në të mërkurën.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tjerë me të Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në gjyq për dyshimin se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet e kryera kundër të burgosurve të mbajtur në qendrat e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje, duke përfshirë 102 vrasje. Krimet dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në vitet 1998 dhe 1999. Të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Williams shpjegoi se Thaçi u bë udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në bisedimet e Rambujesë midis Kosovës dhe Serbisë në Francë në mars të vitit 1999. Sipas Williams, anëtari tjetër kyç, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, gjithashtu “ishte shumë i rëndësishëm, idetë e tij ishin pacifiste, por ai nuk ishte negociator. Ai nuk negocioi”.

Sipas Williams, ishte jetike që Thaçi, si përfaqësues i UÇK-së, të mund të tregonte se ishte “një negociator, një diplomat që mund të ishte një person ose partner i besueshëm”.

Williams i tha gjykatës se, megjithatë, Thaçi nuk kishte autoritet vendimmarrës gjatë Rambujesë së dështuar, por kishte nevojë për konfirmim nga komandantët e zonave operative të UÇK-së.

Thaçi ishte njëkohësisht nën presion nga Sekretarja e Shtetit e SHBA-së Madeleine Albright për të nënshkruar një marrëveshje dhe nga Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, dhe nga komandantët e zonave për të kërkuar pavarësinë e Kosovës në marrëveshje, tha Williams.

Williams theksoi të enjten se “u bë krejtësisht e qartë se komandantët e zonave të UÇK-së duhej të ishin pjesë e procesit”.

Ai tha gjithashtu në gjykatë të mërkurën se “nuk më dha përshtypjen se Thaçi kishte kontroll të plotë mbi negociatat. Mendoj se ai përfaqësonte interesa të jashtme dhe këto interesa kishin kontroll mbi autoritetin apo sjelljen e tij gjatë negociatave.”

“Ndërsa delegacioni i Kosovës ishte në Rambuje dhe po bëhej përparim, kishte presion të jashtëm nga komandantët lokalë, por gjithashtu kishte presion ideologjik e kulturor nga Adem Demaçi (drejtuesi politik i UÇK-së), i cili po pengonte përparimin e këtyre negociatave dhe po minonte lëvizjen drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje. Prandaj, ky aspekt duhej adresuar”, tha Williams.

Ai shtoi se Demaçi këmbëngulte për pavarësinë e Kosovës, në vend të autonomisë brenda një Jugosllavie të drejtuar nga Serbia, dhe se Thaçit iu desh të udhëtonte për ta takuar atë në Slloveni për të diskutuar çështjen.

Dhomat e Specializuara për Kosovën janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por ndodhen në Hagë me staf ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë, pas problemeve me kanosjen e dëshmitarëve në rastet e mëparshme që lidhen me UÇK-në.

Shumë shqiptarë etnikë dhe mbështetës të UÇK-së këmbëngulin se proceset kanë qenë të padrejta ndaj të akuzuarve. Fillimi i paraqitjes së mbrojtjes të hënën u parapri nga një tubim në Hagë, i organizuar nga qindra shqiptarë etnikë dhe veteranë të UÇK-së nga e gjithë Evropa dhe SHBA-ja, në mbështetje të Thaçit dhe tre të bashkë-akuzuarve të tij, ish-kryeparlamentarëve Veseli e Krasniqi, si dhe ish-deputetit Selimi.

Gjykata ka thënë për BIRN se Thaçi do të thërrasë 11 dëshmitarë, ndërsa ish-kryetari i Kuvendit, Krasniqi, do të thërrasë dy. Trupi gjykues ka caktuar 14 nëntorin si datën e përafërt të mbylljes së paraqitjes së mbrojtjes. Dëshmitari i tretë i Thaçit do të dëshmojë javën e ardhshme.

Reporter.al 

 

 

Video

Goli i Bayern Munchen në çerekfinalen e Champions League ne Santiago Bernabeu përballë Real Madrid u shënua nga Diaz në minutën e 41

Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Teheranit, ndërsa presidenti Trump ka paralajmëruar se kjo natë do të shoqërohet me sulme të forta, deri në “shkatërrimin e qytetërimit mijëravjeçar”, siç deklaroi ai sot në rrjetin Truth.

Mos i kafsho më të keqen teta!- i thotë policja qenit që plagosi sot një 4 vjeçare…

Mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn, dhe Mbretëresha Suthida po tërheqin vëmendjen e mediave botërore për një arsye të pazakontë për familjet mbretërore moderne: të dy janë pilotë të licencuar dhe mund të fluturojnë vetë avionët e tyre. Mbreti Vajiralongkorn është i trajnuar si pilot ushtarak dhe komercial, me eksperiencë nga avionët luftarakë deri tek aeroplanët e pasagjerëve të tipit Boeing. Edhe Mbretëresha Suthida zotëron një licencë piloti komercial, ndërsa më herët ka punuar si stjuardesë përpara se të ngjitej në radhët e ushtrisë dhe të bëhej mbretëreshë. Në vitin 2025, çifti mbretëror u bë kryefjalë e mediave pasi pilotuan personalisht një Boeing 737 gjatë një vizite shtetërore në Bhutan—me Mbretin në komandë dhe Mbretëreshën si bashkëpilote. Një moment i rrallë dhe thuajse i paprecedentë për liderët botërorë në udhëtime zyrtare.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme