Papa Leo XIV deklaroi të martën se islamofobia në Evropë shpesh nxitet nga ata që kërkojnë të përjashtojnë njerëz të besimeve apo prejardhjeve të ndryshme.
Ai theksoi se bashkëjetesa mes të krishterëve dhe myslimanëve në Liban ofron mësime për Evropën dhe Amerikën e Veriut, dhe se duhet kërkuar vazhdimisht rrugë për dialog të sinqertë dhe respekt të ndërsjellë.
Ati i Shenjtë u kthye në Romë me një avion të posaçëm të ITA Airways, pas përfundimit të vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit, që përfshiu Türkiyen dhe Libanin.
Duke folur me gazetarët që e shoqëronin në aeroplanin papal, ai bëri vlerësime mbi vizitën e tij, si edhe mbi disa zhvillime ndërkombëtare e rajonale.
I pyetur nëse synon të përdorë marrëdhëniet e tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas komenteve të tij të fundit se “Izraeli është miku ynë”, për të ndihmuar ndalimin e sulmeve izraelite në Liban dhe nëse paqja e qëndrueshme në rajon është e mundur, Papa u shpreh se: “Para së gjithash, po, besoj se paqja e qëndrueshme është e mundur. Kam nisur të bisedoj me disa prej liderëve që përmendët, edhe në mënyrë të kufizuar, dhe kam ndërmend ta vazhdoj këtë qoftë personalisht, qoftë përmes Vatikanit”.
Kreu i Vatikanit tha se kishte zhvilluar bisedime edhe në Liban me autoritete politike të lidhura me konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare.
“Puna jonë nuk është diçka që e njoftojmë publikisht. Ajo zhvillohet më shumë pas skene. Në fakt, ne tashmë po e bënim këtë, dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të bindim palët të braktisin armët dhe dhunën, të ulen në tryezën e dialogut dhe të kërkojnë zgjidhje jo të dhunshme, më efektive dhe më të mira për popullin”, tha ai.
I pyetur nëse grupi libanez Hezbollah kishte marrë mesazhin e tij të lidhur me vizitën, Papa u përgjigj: “Po, e pashë këtë. Është e qartë se Kisha propozon braktisjen e armëve dhe kërkimin e dialogut. Por përtej kësaj, preferoj të mos komentoj në këtë kontekst.”
Duke iu përgjigjur pyetjeve për rritjen e tensioneve mes NATO-s dhe Rusisë dhe për propozimin e Trumpit për një plan paqeje në Ukrainë që fillimisht përjashtonte Evropën, Papa tha: “Ky është padyshim një çështje shumë e rëndësishme për paqen botërore. Por Vatikani nuk ka përfshirje të drejtpërdrejtë, sepse nuk jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk kemi pasur rol të drejtpërdrejtë në dialogun që është zhvilluar deri tani.Megjithatë, kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për armëpushim, për dialog dhe për t'i dhënë fund luftës. Por sot përballemi me një konflikt me shumë dimensione”.
Papa Leoni XIV shtoi se Trump fillimisht kishte shqyrtuar një plan paqeje pa pjesëmarrjen e Evropës.
“Prania e Evropës është në fakt shumë e rëndësishme. Për këtë arsye, ai propozim fillestar u ndryshua në përputhje me shqetësimet e shprehura nga Evropa. Mendoj se Italia mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, sepse në aspektin kulturor dhe historik, Italia ka kapacitet të veprojë si ndërmjetëse mes palëve të ndryshme, përfshirë Ukrainën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.






















