
Një apel i fuqishëm ka ardhur nga disa prej akademikëve dhe ekonomistëve më të njohur në botë, të cilët i janë drejtuar qeverisë izraelite me një letër të hapur, duke e cilësuar situatën humanitare në Gaza alarmante dhe politikat e reja të planifikuara si të papranueshme. Letrën e ka publikuar e përditshmja italiane La Stampa.
“Shkruajmë me shqetësim të madh për urinë në rritje në Gaza dhe planin e qeverisë izraelite për të vendosur qytetarët në një të ashtuquajtur ‘qytet humanitar’. Si qenie njerëzore, ekonomistë dhe shkencëtarë, kërkojmë një fund të menjëhershëm për çdo politikë që përforcon përhapjen e urisë. Është e qartë se Hamasi duhet të mbajë përgjegjësi për mizoritë e tetorit dhe dënimin e pengjeve. Megjithatë, kjo nuk shfajëson nga përgjegjësia ushtrinë izraelite që kontrollon hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave,” thuhet në dokumentin e nënshkruar nga fituesi i çmimit Nobel Daron Acemoglu dhe 22 kolegë të tij, mes të cilëve Philippe Aghion, Joseph E. Stiglitz dhe Guido Tabellini.
Sipas nobelistëve, të dhënat nga Programi Ushqimor i Kombeve të Bashkuara flasin për një krizë të thellë humanitare, ku rreth një e treta e më shumë se 2,1 milionë banorëve të Gazës kanë ditë të tëra pa ushqim. “Uria e përhapur është e dokumentuar nga dërgesat e pamjaftueshme të ndihmës, dëshmitë e vetë banorëve dhe çmimet stratosferike të ushqimeve. Jo vetëm Kombet e Bashkuara, por edhe tregu po sinjalizon uri: çmimet e ushqimeve bazë në Gaza janë rritur dhjetë herë krahasuar me tre muaj më parë,” theksojnë ata.
Dokumenti shpjegon gjithashtu se “dështimi i shpërndarjes së ndihmave të Kombeve të Bashkuara dhe zëvendësimi i tyre me një numër të kufizuar qendrash të Fondacionit Humanitar të Gazës, të koordinuara nga Izraeli, kanë krijuar kaos vdekjeprurës: turma të panikosura për racionet e pakta, me mbi një mijë të vdekur ose të lënduar në përpjekjet për mbijetesë”.
Në përgjigje të presionit ndërkombëtar, qeveria izraelite ka lejuar hyrjen e më shumë ndihmave pas datës 26 korrik, por sipas nobelistëve, sasitë mbeten ende të pamjaftueshme dhe situata shëndetësore është kritike.
Daron Acemoglu ka theksuar se plani për “qytetin humanitar” do të përkeqësonte edhe më tej gjendjen, duke zhvendosur qindra mijëra banorë në një zonë të kufizuar, duke i privuar nga liria e lëvizjes dhe dinjiteti. “Është e papranueshme që Izraeli i trajton qytetarët si një barrë për t’u mbajtur sesa si qenie njerëzore që kanë të drejtën e kushteve dinjitoze jetësore. Ndërsa banorët e Gazës do të ishin të prekurit e parë, edhe vetë izraelitët do të paguanin një çmim të lartë dhe pasojat ekonomike do të ishin katastrofike,” tha ai.
Nobelistët paralajmërojnë se, në rast të vazhdimit të politikave aktuale, qeveritë evropiane mund të vendosin sanksione të ashpra që do të dëmtonin shkencën, tregtinë dhe punësimin në Izrael. Po ashtu, agjencitë e vlerësimit financiar do të vijonin të ulnin kredibilitetin e borxhit sovran, duke rritur koston e huamarrjes. Profesionistët do të detyroheshin të emigronin në masë, ndërsa sektori i teknologjisë së lartë, që përbën rreth 20% të PBB-së dhe një të tretën e të ardhurave nga taksat, do të përballej me një rënie të shpejtë, duke i hequr Izraelit motorin kryesor të rritjes ekonomike.
Në apelin e tyre, nobelistët i bëjnë thirrje qeverisë izraelite, kryeministrit Netanyahu dhe parlamentit të Knesset që:
të garantojnë furnizim të mjaftueshëm me ushqim dhe ndihma mjekësore,
të tërhiqen nga planet për vendosjen e kampeve për qytetarët e Gazës,
të nxjerrin një deklaratë zyrtare ku refuzohen propozimet për kufizimin dhe kontrollin e popullsisë,
të riafirmojnë përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar,
dhe me vullnet të mirë të vendosin një marrëveshje armëpushimi që përmirëson situatën humanitare, kthen pengjet dhe i jep fund luftës.
“Vetëm në këtë mënyrë, Izraeli mund të shmangë urinë masive, të ruajë karakterin demokratik dhe të mbrojë perspektivat afatgjata ekonomike,” përfundojnë nobelistët në letrën e tyre të hapur.