Bota 6 March 2026, 21:22 Nga VNA

Nga vrasja e qenit të saj te avionët luksozë/ Sekretarja e Sigurisë në SHBA u shkarkua pas polemikave të shumta, gjashtë ngjarjet e bujshme të Kristi Noem

Ndaje në Whatsapp
Nga vrasja e qenit të saj te avionët luksozë/ Sekretarja e

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga detyra sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, pas muajsh polemikash dhe kritikash nga të dyja partitë në SHBA. Në vend të saj, Trump njoftoi emërimin e senatorit republikan Markwayne Mullin.

Noem kishte qenë përgjegjëse për zbatimin e politikës së deportimeve masive të administratës Trump. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të parë të mandatit të presidentit u realizuan rreth 675 mijë deportime, një shifër që mbeti nën objektivin e shpallur nga Shtëpia e Bardhë prej një milion deportimesh në vit.

Mandati i saj u shoqërua me një sërë polemikash dhe kritikash publike.

Një nga krizat më të mëdha lidhej me operacionet e imigracionit në shtetin e Minesotës, ku ndërhyrjet e forcave federale shkaktuan protesta në Minneapolis.

Gjatë përplasjeve u vranë dy qytetarë amerikanë, Alex Pretti dhe Renee Good. Noem i cilësoi ata si “terroristë të brendshëm”, por pamjet e kamerave të trupit dhe të telefonave celularë ngritën dyshime mbi versionin zyrtar të departamentit të saj. Incidenti shkaktoi reagime të forta edhe nga disa republikanë, të cilët iu bashkuan demokratëve duke kërkuar dorëheqjen e saj.

Një tjetër polemikë lidhej me akuzat për shpërdorim të fondeve publike. Noem miratoi blerjen e dy avionëve luksozë Gulfstream G700 dhe ekzistonin plane për blerjen e një Boeing 737 për rreth 70 milionë dollarë. Ajo i mbrojti këto shpenzime duke argumentuar se avionët do të përdoreshin si mjete komande dhe kontrolli me rreze të gjatë veprimi dhe për operacionet e deportimit.

Kritika të shumta mori edhe një fushatë reklamuese prej rreth 220 milionë dollarësh që synonte të nxiste emigrantët të vetëdeportoheshin. Në reklamat promocionale, Noem shfaqej me kapelë kauboji duke hipur mbi kalë në një preri me bizonë. Raportimet mediatike sugjeruan se presidenti Trump ishte irrituar nga projekti, ndërsa ai vetë deklaroi se nuk kishte dijeni për reklamën.

Kontroversë shkaktoi edhe një incident i raportuar në media që përfshinte shefin e saj de facto të stafit, Corey Lewandowski. Sipas raportimeve, ai shkarkoi një pilot të Rojës Bregdetare pasi e fajësoi për humbjen e një batanijeje që i përkiste Noem gjatë një udhëtimi zyrtar. Ngjarja u komentua gjerësisht në media dhe u quajt “porta e batanijes”. Lewandowski i kundërshtoi këto pretendime.

Në mars të vitit 2025, Noem tërhoqi vëmendje edhe gjatë një vizite në burgun e sigurisë së lartë Cecot në El Salvador, ku SHBA kishte rënë dakord të dërgonte disa të dëbuar. Fotografitë e saj para qelive të mbipopulluara të të burgosurve dhe fakti që mbante një orë ari Rolex me vlerë rreth 50 mijë dollarë u kritikuan në rrjetet sociale.

Një tjetër polemikë që mori vëmendje të madhe publike lidhej me kujtimet e saj të botuara në vitin 2024. Në libër, Noem tregonte se kishte vrarë qenin e familjes, Cricket, pasi e konsideronte të rrezikshëm dhe të padisiplinuar. Historia shkaktoi reagime të forta në internet, ndërsa ajo e mbrojti vendimin duke thënë se situata të tilla janë pjesë e jetës në fermë.

Pas më shumë se një viti në krye të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, largimi i saj shënon fundin e një mandati të karakterizuar nga polemika të shumta dhe debate politike.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme