Bota 15 January 2026, 22:27 Nga VNA

Minneapolis në krizë: Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake pas protestave për emigracionin

Ndaje në Whatsapp

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të aktivizojë Aktin e Kryengritjes (Insurrection Act) për të dislokuar forcat ushtarake në shtetin e Minesotës, pas disa ditësh protestash të ashpra në Minneapolis kundër pranisë masive të agjentëve të emigracionit në rrugë.

Tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm pas vrasjes së një shtetaseje amerikane, Renee Good, e qëlluar për vdekje tetë ditë më parë nga një agjent i Immigration and Customs Enforcement (ICE) gjatë një incidenti me makinë në Minneapolis. Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera, ndërsa përplasjet mes banorëve dhe forcave federale janë bërë gjithnjë e më të dhunshme.

Kërcënimi i Trump erdhi vetëm pak orë pasi një tjetër agjent emigracioni qëlloi me armë një shtetas venezuelian në Minneapolis. Sipas autoriteteve, ai ishte duke u larguar me automjet kur u ndalua nga agjentët. Burri u plagos në këmbë.

“Nëse politikanët e korruptuar të Minesotës nuk zbatojnë ligjin dhe nuk ndalojnë agjitatorët profesionistë dhe kryengritësit që po sulmojnë patriotët e ICE, të cilët po bëjnë vetëm detyrën e tyre, unë do të zbatoj AKTIN E KRYENGRITJES,” shkroi Trump në rrjetet sociale.

Prej javësh, Trump ka sulmuar ashpër drejtuesit demokratë të shtetit dhe ka përdorur gjuhë fyese ndaj komuniteteve emigrante, veçanërisht atyre me origjinë somaleze.

Administrata e tij ka dërguar tashmë rreth 3,000 oficerë federalë në zonën e Minneapolis-it. Ata janë parë duke patrulluar rrugët e qytetit me armë, të veshur me uniforma kamuflazhi të stilit ushtarak dhe me maska që u mbulojnë fytyrën. Përballë tyre, banorët kanë protestuar ditë e natë, me fishkëllima, zhurma dhe grumbullime masive.

Të mërkurën në mbrëmje, pranë vendit ku u qëllua shtetasi venezuelian, protestuesit u përplasën sërish me forcat federale, të cilat përdorën granata verbuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Më vonë, një grup i vogël vandalizoi një automjet që besohej se i përkiste oficerëve federalë, duke shkruar me bojë të kuqe slogane kërcënuese.

Minneapolis në krizë: Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake


Që nga nisja e këtij operacioni, agjentët kanë arrestuar jo vetëm emigrantë, por edhe protestues, ndërsa ka pasur denoncime për ndalime arbitrare, thyerje xhamash makinash dhe nxjerrje me forcë të personave nga automjetet. Sipas dëshmive, agjentët kanë ndaluar dhe kërkuar dokumente edhe nga shtetas amerikanë me ngjyrë dhe latino.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare identifikoi personin e plagosur si Julio Cesar Sosa-Celis, i cili kishte hyrë në SHBA në vitin 2022 përmes programit të lejes humanitare të administratës Biden. Administrata Trump ka revokuar këtë program për shtetasit venezuelianë dhe të tjerë që ishin lejuar të hynin në vend vitet e fundit.

Situata në Minneapolis mbetet e tensionuar, ndërsa kërcënimi për përdorimin e ushtrisë në territor amerikan ka hapur një debat të fortë politik dhe kushtetues në SHBA.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme