
Në plazhin Marina Beach në Dubai, Ashraf nga Egjipti qëndron i ulur i trishtuar në rërë pranë dy deveve të tij. Deri një javë më parë, ato ishin shumë të kërkuara nga fëmijët që paguanin vetëm 10 dirhamë (rreth 2 euro) për të bërë një xhiro dhe për të bërë një fotografi. Tani gjithçka ka ndryshuar.
“Familjet me fëmijë janë të parat që u larguan”, thotë ai. “Unë vij çdo ditë këtu, por nuk ka më punë”.
Edhe në Souq-in e vjetër Al Fahidi, dyqanet janë bosh. Ali, një shitës suveniresh që u largua nga Afganistani 20 vjet më parë për të gjetur siguri në Dubai, përpiqet të tërheqë klientë me zbritje të mëdha. “Të lutem, hyr në dyqan. Kanë kaluar ditë të tëra pa asnjë klient”, thotë ai.
Edhe Muzeu ikonik i së Ardhmes, një nga simbolët arkitektonikë të qytetit, është i hapur, por brenda ndodhen vetëm dy vizitorë. Në fakt gjithçka në Dubai është e hapur, por qyteti duket i zbrazët.
Qyteti është vënë në shënjestër nga raketa dhe dronë, të cilët sipas autoriteteve kapen nga mbrojtja ajrore në rreth 96 për qind të rasteve. Dëmet janë të kufizuara dhe shpesh mezi dallohen, sepse ndërtesat që goditen nga mbetjet e dronëve të rrëzuar riparohen menjëherë dhe rrugët pastrohen.
Megjithatë, lufta ka shkaktuar edhe viktima. Deri tani janë raportuar gjashtë të vdekur: katër punëtorë të huaj të goditur nga mbetjet e dronëve ndërsa ndodheshin jashtë dhe dy ushtarakë që humbën jetën kur u rrëzua helikopteri me të cilin udhëtonin.
Dubait, i njohur si qyteti i luksit dhe argëtimit, po përpiqet të tregojë se vazhdon të jetë “i hapur për biznes”. Autoritetet madje kanë vendosur të hapin parqet ujore falas për banorët për dy javë, në një përpjekje për të mbajtur gjallë atmosferën e qytetit.
Por realiteti është tjetër. Pazaret, qendrat tregtare dhe restorantet janë pothuajse bosh. Një kuzhinier italian në një restorant të njohur pranon se rezervimet kanë rënë me rreth 70 për qind. Edhe hotelet kanë mbetur pothuajse pa klientë: disa prej tyre raportojnë vetëm 8 për qind të dhomave të zëna.
Lufta po godet rëndë industrinë turistike të Gjirit Persik. Anulimet e fluturimeve, mbylljet e hapësirës ajrore dhe frika e udhëtarëve po i kushtojnë rajonit rreth 600 milionë dollarë në ditë. Vetëm në Dubai janë anuluar rreth 80 mijë rezervime turistike.
Për ekonominë e qytetit kjo është një goditje e rëndë. Turizmi gjeneron rreth 30 miliardë dollarë në vit, ndërsa Dubai nuk ka burime të mëdha nafte si emiratet e tjera të rajonit.
Për momentin qyteti futurist duket i pezulluar. Trafiku i famshëm është zhdukur dhe turistët janë larguar. Megjithatë, një pjesë e madhe e punëtorëve migrantë kanë mbetur, pasi nuk kanë mundësi të largohen për shkak të çmimeve të larta të fluturimeve.
Në Dubai jetojnë rreth 2 milionë indianë, 700 mijë nepalezë dhe 400 mijë pakistanezë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të punojnë edhe në këto ditë të pasigurta.
Megjithatë, disa njerëz vazhdojnë ta shohin qytetin si një vend të sigurt. Christina Bondarenko, një 24-vjeçare nga Ukraina, thotë se ndihet më e qetë këtu sesa në vendin e saj. “Shkoj në plazh dhe nëse bie alarmi, gjej strehë. Nuk duket sikur ka luftë. Jo si ajo që kam përjetuar në Ukrainë”, thotë ajo.























