Bota 8 December 2025, 21:12 Nga VNA

Liderët europianë: është moment kritik të rritet mbështetja për Ukrainën dhe presioni ndaj Rusisë

Ndaje në Whatsapp
Liderët europianë: është moment kritik të rritet

Liderët europianë kanë deklaruar se “tani është një moment kritik” për të rritur mbështetjen për Ukrainën dhe për të ushtruar më shumë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të hënën në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, për të diskutuar versionin më të fundit të një plani paqeje të hartuar javën e kaluar mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë.

Gjatë takimit, liderët europianë theksuan se nevojiten ende përpjekje për të siguruar garanci sigurie për Ukrainën, ndërsa SHBA po ushtron presion mbi Kievin për të arritur shpejt një marrëveshje me Rusinë.

Zelensky, i cili po udhëton drejt Brukselit për takime me zyrtarë të NATO-s, deklaroi se Ukraina do t’i paraqesë SHBA-së një plan të rishikuar të martën. Ai tha se “pikat më qartësisht anti-ukrainase” janë hequr nga projekti fillestar i propozuar në nëntor, por pranoi se ende nuk është gjetur kompromis për çështjen e territorit.

SHBA ka propozuar që Ukraina të tërheqë plotësisht forcat e saj nga rajonet lindore që Rusia ka tentuar t’i pushtojë, në këmbim të tërheqjes ruse nga zona të tjera dhe ndalimit të luftimeve. Por kjo është një linjë e kuqe për Zelenskyn, i cili ka paralajmëruar se Rusia do ta përdorte çdo territor të marrë si bazë për sulme të ardhshme.

Presidenti ukrainas theksoi se çështja e garancive të sigurisë, të domosdoshme për të penguar agresionin e ardhshëm rus, ende nuk është zgjidhur.

Nga ana e tij, zyra e kryeministrit britanik deklaroi se liderët ranë dakord se duhet të rritet mbështetja për Ukrainën dhe presioni ekonomik ndaj Vladimir Putinit për t’i dhënë fund “këtij luftë barbare”. Ata theksuan gjithashtu rëndësinë e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, që përfshin garanci të forta sigurie.

Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu skepticizëm për disa elemente të planit të paqes të propozuar nga SHBA, ndërsa Franca deklaroi se puna për garantimin e sigurisë së Ukrainës do të intensifikohet.

Ndërkohë, në Kiev dhe në Europë ka shqetësime se SHBA mund ta ndërpresë mbështetjen për Ukrainën për shkak të ngecjes së negociatave. “Nuk mund të menaxhojmë pa amerikanët dhe as pa Europën”, tha Zelensky.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, lufta vazhdon. Nga e diela deri të hënën, 10 persona u vranë dhe 47 u plagosën nga sulmet ruse me dronë, bomba dhe raketa në nëntë rajone të Ukrainës.

Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Që atëherë, mijëra civilë dhe ushtarë janë vrarë ose plagosur, ndërsa qytetet ukrainase vijojnë të bombardohen pothuajse çdo natë.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme