Bota 13 Shkurt 2026, 19:53 Nga VNA

“Kurti 3” - nga zotimi për reduktim te zgjerimi i kabinetit

Ndaje në Whatsapp

“Kurti 3” - nga zotimi për reduktim te zgjerimi i kabinetit

Qeveria e re e Albin Kurtit, e votuar më 11 shkurt në Kuvendin e Kosovës, përbëhet nga gjithsej 19 ministri – apo katër më shumë se kabineti i vitit 2021.

Kryeministri i Kosovës e zgjeroi strukturën ekzekutive për mandatin e ri katërvjeçar, ndonëse dikur vetë premtonte reduktim të dikastereve qeveritare, në emër të efikasitetit, uljes së kostove dhe një qeverisjeje më të thjeshtë.

“Nuk do të shkojmë përtej numrit të ministrive që i kemi pasur në pranverën e vitit 2020. Atëherë i kemi pasur 15 ministri, do të synojmë më pak, por jo më shumë”, zotohej Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Kryeministrit për të pyetur për arsyet specifike që çuan në rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë e sapoformuar, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike dhe institucionale kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket zgjerimit të kabinetit qeverisës. Disa paralajmërojnë për rritje të burokracisë dhe për vendimmarrje më të ngadalta, ndërkohë që ka vlerësime të tjera se ndarja më e qartë e përgjegjësive mund ta bëjë ekzekutivin më funksional.

Pse u rrit ekzekutivi?

Në Lëvizjen FOL, organizatë që promovon transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike, vlerësojnë se zgjerimi i Qeverisë me dikastere shtesë shënon një kthim prapa të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe udhëheqësit të saj Kurti nga diskursi i vitit 2021.

Drejtorja ekzekutive e kësaj organizate, Mexhide Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimi i Kurtit për një qeveri “të vogël e efikase” është zëvendësuar me nevojën për një qeveri “të gjerë e gjithëpërfshirëse”.

Zgjerimin e Qeverisë së re, ajo e sheh më shumë si nevojë të LVV-së për të akomoduar partnerët e koalicionit.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV-ja, bashkë me partinë Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), u futën në një listë të përbashkët zgjedhore, si një koalicion.

“Vetë fjala koalicion tregon se do të ketë edhe interesa të partive tjera. Prandaj, qoftë për të menaxhuar fraksionet e brendshme partiake apo brenda koalicionit, këto janë arsyet që kanë çuar LVV-në ta lërë në plan të dytë zotimin e mëparshëm për numër më të vogël ministrish”, vlerëson Demolli.

Ajo shton se zgjerimi i kabinetit qeveritar nga Kurti mund të krijojë burokraci më të madhe, dhe për pasojë edhe një proces vendimmarrjeje më të ngadaltë.

Por, ndryshe e sheh situatën analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Guxo, Alternativa dhe PSHDK-ja, sipas tij, në zgjedhjet e fundit ishin “forca satelite” të LVV-së, dhe jo subjekte të fuqishme që imponojnë edhe ndarjen e pushtetit me këtë parti.

“Në këtë kuptim, Kurti ka qenë komod, dhe nuk mendoj që ka bërë kalkulime për këtë qëllim. Mendoj që rritja e numrit të ministrive është rezultat i analizimit të mënyrës së qeverisjes dhe rritjes së efikasitetit”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se premtimi i dikurshëm i Kurtit për zvogëlimin e numrit të ministrive ishte i natyrës populiste dhe jo reale, sepse ulja e shpenzimeve nuk mund të prodhojë “rritje të efikasitetit”.

Në këtë drejtim, ai nuk e sheh si vendim të keq rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë “Kurti 3”.

Efikasiteti dhe kostoja

Rritja e numrit të ministrive rrit edhe koston e shpenzimeve publike, vlerëson Demolli.

Aty, sipas saj, përfshihen edhe pagat e ministrave, të zëvendësministrave, të stafit politik, të kabineteve, si dhe shpenzimet operative, ku hyjnë objektet për zyra, veturat, udhëtimet e të tjera.

Ndryshe nga ajo paraprake, Qeveria aktuale, thotë Demolli, do të shpenzojë edhe për katër dikastere më shumë.

“Në vend që të kursehen taksat e qytetarëve për reforma që janë më se të nevojshme, ato do të shkojnë për mirëmbajtjen e strukturës së kësaj qeverie”, shprehet ajo.

Demolli e konsideron të panevojshme ndarjen e disa ministrive të mëparshme në dy dikastere, ose shtimin e kompetencave për ministri të caktuara.

Shembull për këtë, sipas saj, është ish-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga e cila, tashmë kanë dalë dy ministri: Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si dhe Ministria e Sportit dhe Rinisë.

“Nuk e kam parë të nevojshme, sepse jemi vend i vogël që të kemi ndarje në dy ministri. Por, duhet pasur parasysh që në këtë rast, Ministria e Kulturës po i takon LVV-së, ndërkaq Ministria e Sportit i takon Guxo-së”, thekson Demolli, duke mbështetur mendimin se LVV-ja ka rritur numrin e ministrive për të akomoduar partnerët e saj.

Por, Paçarizi e sheh si veprim të mirë ndarjen e disa ministrive në dy, siç është rasti në ndarjen e çështjeve të kulturës dhe të sportit në dy dikastere.

Po ashtu, çështjet e teknologjisë dhe inovacioneve kanë dalë nga kompetencat e Ministrisë aktuale të Arsimit dhe Shkencës, dhe janë transferuar në formë të dikasterit brenda Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

Ai e sheh pozitive edhe formimin e disa dikastereve të reja, sikurse ai për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

“Unë mendoj se [Kurti] ka bërë zgjidhje të mira, dhe ka emëruar njerëz të duhur në këto ministri, të cilat i ka ndarë. Ata ministra kanë predispozita për të ofruar qasje më dinamike, efikase dhe të mira administrative”, vlerëson Paçarizi.

Ai shton se vendosja e personave të caktuar në krye të ministrive përkatëse nga ana e LVV-së dhe Kurtit, është më shumë rezultat i vlerësimit të brendshëm, sesa i një pazari të mundshëm politik.

Qeveria e re me figura të përsëritura

Kabineti aktual qeveritar i Kurtit ka përfshirë edhe emra të rinj, të cilët më parë nuk kanë qenë pjesë e ekzekutivit.

Por, shumica e dikastereve do të drejtohen nga figurat e njëjta dhe më të zëshme të LVV-së, të cilët ishin pjesë e qeverisjes, si dhe të legjislaturës paraprake.

Në dikasteret, sikurse ato për financa, mbrojtje, polici, shëndetësi, pushtet lokal, detyrën e ministrave do ta vazhdojnë emrat e njëjtë që i kanë drejtuar ato edhe më parë.

Ndërkaq, disa emra të tjerë nga mandati paraprak qeverisës kanë ndryshuar dikasterin që drejtojnë.

Vazhdimi i qeverisjes dhe për një mandat, me shumicën e figurave të njëjta, sipas Demollit, është shenjë e stagnimit të reformave nga LVV-ja.

“Rikthimi i të njëjtave figura në të njëjtat poste sinjalizon mungesë të një freskimi të ideve dhe politikave. Kjo sugjeron se Qeveria po luan sigurt, duke vazhduar me status quo-në, në vend që të sjellë ekspertizë të re ose njerëz të rinj për të trajtuar sfidat e vjetra”, thekson Demolli.

Ajo shton se qeverisja për dy mandate me figura të njëjta nxit dilema se a ka kërkuar ose fare Kurti llogaridhënie nga emrat e caktuar për rezultatet dhe përmbushjen ose jo të objektivave në qeverisjen paraprake.

Për Paçarizin, caktimi i fytyrave të njohura në kabinetin qeveritar është sinjal se Kurti nuk ndihet rehat me arritjet në mandatin paraprak qeverisës.

Megjithatë, sipas tij, Kurti, duke riemëruar një numër të madh të udhëheqësve të ministrive në pozicionet e tyre, dëshiron të përçojë mesazhin se në mandatin paraprak qeverisës ka qenë i suksesshëm.

“Mendoj se secili kryeministër do ta kishte ndjekur të njëjtin model, sepse, përndryshe do të duhej të pranonte se nuk ka funksionuar diçka apo shumëçka në ministritë e tij... Unë nuk mendoj se ka qenë i suksesshëm, por qëllimi i zotit Kurti është të tregojë se qeverisja [paraprake] ka qenë e suksesshme”, thekson Paçarizi.

Ai shton se Kurti nuk do të arrinte të dërgonte sinjale te qytetarët se ka qeverisur mirë, në rast se do të ndërronte numrin më të madh të emrave nga qeverisja e kaluar.

Mandatin e tretë qeverisës, Kurti e mori pas pothuajse një viti qeverisjeje në detyrë.

Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, konstituimi i Kuvendit të Kosovës u zvarrit për disa muaj, ndërkaq partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse fituese, nuk kishte vota të mjaftueshme për ta bërë qeverinë.

Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, LVV-ja siguroi 57 vende në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh, ku 20 u takojnë komuniteteve joshumicë./REL 

Video

Një person i armatosur me thikë ka tentuar të sulmojë një polic pranë Arc de Triomphe në Paris. Sipas kryetares së bashkisë së Parisit, policia ka reaguar menjëherë duke qëlluar me armë zjarri ndaj personit për të neutralizuar rrezikun. Ende nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e të dyshuarit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar. Zona është rrethuar nga forcat e sigurisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Një tenor i ri rus ka kënduar arien e famshme “Nessun dorma” nga opera Turandot e Giacomo Puccini në sheshin përpara Duomo di Firenze, por performanca e tij përfundoi me gjobë. Nuk është hera e parë që këngëtari kapet duke performuar pa leje në sheshe historike ku ndalohen shfaqjet spontane. Këtë herë, ndërsa ai mori duartrokitje nga kalimtarët, patrulla e policisë bashkiake – që e gjobiti dhe i sekuestroi pajisjet e amplifikimit – u përball me fishkëllima nga publiku i improvizuar. Jo vetëm kaq: kur autoritetet i morën rreth 100 eurot që kishte fituar nga performanca, kalimtarët reaguan menjëherë duke ia kthyer shumën aty për aty. E gjithë skena u filmua rastësisht nga influenceri Diego Fusina, i cili ndodhej aty dhe e publikoi videon në rrjetet sociale. Siç pritej, pamjet u bënë virale brenda pak orësh.

Një përleshje e dhunshme shpërtheu gjatë një fluturimi të "Jet2" nga Turqia drejt Mançesterit, duke detyruar pilotin të kryejë një ulje emergjente në Bruksel. Konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje për një telefon mes pasagjerëve britanikë dhe u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike në korridor të avionit. Dëshmitarët raportuan kaos në bord, përfshirë dhe gjak në sedilje e dhëmbë në dysheme. Sipas pasagjerëve, një nga personat e arrestuar kishte konsumuar shumë alkool dhe dyshohet se kishte bërë komente raciste para përplasjes. Pas uljes emergjente, policia arrestoi dy persona në bord, ndërsa fluturimi vijoi më pas drejt destinacionit të tij final. Piloti vlerësoi se incidenti ishte ndër më të dhunshmit që kishte përjetuar në 30 vite karrierë. Kompania ajrore e përshkroi sjelljen si “të papranueshme” dhe njoftoi se të përfshirët do të ndaloheshin përjetë nga fluturimet e saj.

Operatorët e TV sot, në shenjë proteste, ulën kamerat dhe nuk xhiruan eksponentët e PD që u paraqitën në gjykatë ku shqyrtohen masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar. Reagimi vjen pasi gjatë të martës, një operator rrezikoi jetën duke marrë flakë gjatë hedhjes së molotovëve, teksa ishte duke xhiruar mbi makinën e News 24.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme