Sociale 18 Mars 2026, 08:44 Nga VNA

Jo vetëm protesta: Banorët e Durrësit ndjekin rrugën ligjore kundër projektit TID

Ndaje në Whatsapp
Jo vetëm protesta: Banorët e Durrësit ndjekin rrugën ligjore

Rrugica që bashkon bulevardin “Epidamn” me portën mesjetare të Durrësit në mesditë është e shkretë. Që prej 15 vitesh, banorët e saj nuk janë “as në qiell, e as në tokë”, siç thotë Pask Simaku, ndërsa nuk lëviz në asnjë çast nga shkallarja e banesës së tij.

“Tre-katër familje që ishin në krye të rrugicës, i kompensuan siç duhet dhe ata ikën që në vitin 2015. Kurse ne të tjerët? Me ne të tjerët, vetëm një zot e di se çfarë do të bëhet,” tha Simaku.

E gjatë vetëm 100 metra, rrugica ka formën e mureve lindore të amfiteatrit të Durrësit. Përpjekjet e qeverisë për ta çliruar këtë zonë nga banesat nisën pas tërmetit të vitit 2019, ndërsa projekti TID u dha atyre formë institucionale.

Projekti kundërshtohet prej muajsh nga dhjetra banorë të prekur, të cilët po protestojnë kundër masës së kompensimit dhe mungesës së transparencës.

Sipas urbanistes Entela Koja, projekti TID u ndërtua mbi shkelje të njëpasnjëshme, të cilat lidhen me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV) dhe Planet e Detajuara Vendore.

“Kundërshtimi ynë nuk është çështje numrash, por çështje ligjesh të shkelura në vite,” tha Koja për BIRN.

“Shkeljet janë perifrazuar dhe cituar një nga një, në praktikën tonë ligjore dhe në kërkesën zyrtare drejtuar Këshillit Bashkiak Durrës për ngritjen e një grupi hetimor. Nëse materialet e reja faktojnë përgjegjësi të tjera institucionale, sigurisht që rruga ligjore mbetet opsioni kryesor për t’i referuar,” shtoi Koja.

Banorët e shtëpive që përfshihen nga projekti TID kanë gjetur edhe mbështetjen e medias lokale “Amfora”, e ndjeshme ndaj problematikave të trashëgimisë kulturore. Sipas drejtorit të Amfora, Geri Emiri, ky forum qytetar është një alternativë për të sjellë zërin e qytetarëve përballë heshtjes dhe mbylljes së institucioneve.

“Ky bashkëpunim nënkupton transparencë dhe dokumentim publik të fakteve. Materialet e botuara nga forume si Amfora kanë ndihmuar në evidentimin e shkeljeve dhe në informimin e opinionit publik,” theksoi urbanistja Koja.

Nga përvoja e tij, arkitekti urbanist Artan Kacani ka mësuar se që të arrish të drejtat kushtetuese duhet të fitosh të drejtat ligjore, një nga një.

Sipas Kacanit, dëgjesat e organizuara janë një proces demokratik, por ajo që mbetet është marrëveshja mes bashkisë dhe banorëve, e cila në rastin konkret nuk ekziston.

“Marrëveshjet individuale duhet të nënshkruhen nga çdo familje dhe do të mjaftonte mungesa e një të tretës së firmave për ta hedhur poshtë projektin,” tha Kacani.

Shtëpia e Kacanit përfshihet gjithashtu në projektin TID, që sipas tij i mungon një plan menaxhimi; po ashtu edhe një buxhet i parashikuar për gërmimet e programuara arkeologjike.

Në fakt, projekti paraqet vetëm një plan të prishjeve të banesave. Kacani është mjaft kritik për projektin e mangët, që sipas tij është paraqitur deri tani.

“Ne duam një projekt të shëndetshëm, një projekt vlerësimi të trashëgimisë kulturore të lagjes Kala,” theksoi ai.

Ndryshimet e fundit në projektin TID kanë përfshirë edhe disa banesa në rrugët anësore të bulevardit “Epidamn”, nga Xhamia e Madhe deri në instalacionin “Veliera”. Bashkë me hapësirën rreth amfiteatrit, janë afro 110 banesa gjithsej, të cilat sipas TID do të prishen në disa faza.

Flamur Bala ka marrë pjesë në të gjitha protestat e banorëve të lagjes “Kala”. Ai thotë se” nuk i pëlqen heshtja, kur ka përpara një padrejtësi”.

“Para një muaji, miqve të mi në banesat e amfiteatrit iu sollën shkresat nga IKMT se prishjet do të fillonin në mes të muajit shkurt Nuk kanë harruar, jo, sepse shkatërrimet, si dhe herë të tjera mund t’i bëjnë edhe gjatë sezonit turistik,” thotë Bala, ndërsa e çon përpara me shkathtësi karrocën me të cilën lëviz.

Bashkë me protestat përballë bashkisë së Durrësit, banorët po eksplorojnë të gjitha rrugët e mundshme ligjore për ta kërkuar të drejtën e tyre. Urbanistët Koja dhe Kacani po diskutojnë me banorët mbi rrugët ligjore të zgjidhjes.

Koja i referohet afreskut të famshëm “Darka e fundit” nga Leonardo da Vinçi për ta shpjeguar situatën, ndërsa përshkruan se në çdo njeri mund të gjendet një Krisht dhe një Judë.

“Në këtë çështje, ne e shohim veten si qytetarë që mbrojmë të drejtën dhe pronën, ndërsa përgjegjësia bie mbi ata që kanë krijuar problemin,” tha Koja.

“Thirrja jonë është ndaj ndërgjegjes së tyre, që në momentin e vendimmarrjes të zgjedhin drejtësinë dhe jo kompromisin me padrejtësinë,” përfundoi ajo./Birn

Video

Një video nga prapaskenat e klipit të Katy Perry për këngën “Watch It Burn” u bë virale dhe mblodhi miliona shikime. Pamjet tregojnë artisten të rrethuar nga flakë gjatë performancës, duke shqetësuar fansat që menduan se ishte në rrezik real. Shumë reagime në rrjete sociale vunë në dyshim sigurinë gjatë xhirimeve dhe spekuluan për një incident. Burime nga industria sqaruan se bëhej fjalë për një skenë të kontrolluar me efekte piroteknike profesionale. Kostumi rezistent ndaj zjarrit dhe prania e ekipeve të sigurisë garantonin që nuk kishte rrezik për këngëtaren.

Një aksident zinxhir në tunelin Villafranca në Sicili. Në aksident u përfshinë rreth 80 automjete, përfshirë furgonë, makina dhe mjete të rënda. Për shkak të përplasjes së madhe, qarkullimi në autostradë u bllokua plotësisht për të lejuar ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës dhe nxjerrjen e personave që ndodheshin brenda tunelit.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka përshkallëzuar retorikën ndaj Kubës, duke thënë se pret të ketë “nderin” për ta “marrë Kubën”. Duke folur me gazetarët, Trump la të kuptohet se beson që Shtetet e Bashkuara “mund të bëjnë çfarë të duan” me Kubën. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Havana kanë nisur bisedime me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të tyre kryesisht të tensionuara, të cilat kanë arritur një nga momentet më të kontestuara në 67 vite, që nga rrëzimi i një aleati të ngushtë të ShBA-së nga Fidel Castro.

Pas 35 vitesh ja kush sfidon seriozisht Sali Berishën për postin e kryetarit të PD…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme