Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thirrur një takim urgjent me këshilltarët e tij më të lartë për të diskutuar të ashtuquajturin “Board of Peace” të shpallur nga Donald Trump për Gazën, pasi u bë e ditur se Izraeli nuk ishte përfshirë në bisedimet për krijimin e këtij organi.
Zyra e Netanyahut deklaroi se iniciativa “nuk është koordinuar me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij”, pas shpalljes së së shtunës të Bordit Ekzekutiv për Gazën, ku përfshihen ministri i Jashtëm i Turqisë, një zyrtar i Katarit, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.
“Board of Peace” është pjesë e planit me 20 pika të Trump për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas dhe pritet të ketë një rol të përkohshëm në administrimin e Gazës dhe menaxhimin e rindërtimit të saj. Megjithatë, struktura e saktë e këtij mekanizmi mbetet ende e paqartë dhe lista e anëtarëve nuk është përmbyllur.
Deri tani janë shpallur dy struktura të larta nën këtë bord: një Bord Ekzekutiv Themelues, me fokus investimet dhe diplomacinë, dhe një Bord Ekzekutiv për Gazën, i cili do të mbikëqyrë punën në terren përmes një tjetër organi administrativ, Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Izraeli përfaqësohet vetëm nga një emër në këtë strukturë, biznesmeni Yakir Gabay, i lindur në Izrael dhe rezident në Qipro. Në asnjërin nga bordet nuk ka përfaqësues palestinezë, fakt që ka nxitur reagime të forta politike në Izrael.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shkroi në rrjetin X se “Rripi i Gazës nuk ka nevojë për komitete administrative për ‘rehabilitim’, por për pastrim nga terroristët e Hamasit”. Ndërkohë, lideri i opozitës Yair Lapid e cilësoi nismën si “një dështim diplomatik për Izraelin”.
Në panelin këshillimor janë konfirmuar zyrtarë nga Katari dhe Turqia, dy vende që kanë qenë kritike ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Gaza. Sipas Shtëpisë së Bardhë, “Board of Peace” do të drejtohet nga vetë Donald Trump dhe do të përbëhet nga liderë botërorë, të cilëve u janë dërguar ftesa, përfshirë udhëheqës nga Britania e Madhe, Hungaria, Argjentina, Jordania, Turqia, India dhe Egjipti.
Deri tani, vetëm kryeministri hungarez Viktor Orbán ka konfirmuar publikisht se ka pranuar ftesën. Qeveri të tjera kanë reaguar me kujdes, duke kërkuar më shumë qartësi mbi rolin dhe financimin e bordit. Sipas Bloomberg, Trump u ka kërkuar vendeve të kontribuojnë me nga 1 miliard dollarë për t’u bërë pjesë e panelit, megjithëse një zyrtar amerikan sqaroi se ekziston edhe mundësia e anëtarësimit trevjeçar pa pagesë.
Në të njëjtën kohë, OKB ka paralajmëruar se kriza humanitare në Gaza është “larg përfundimit”. Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 80% e ndërtesave në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar, ndërsa familjet përballen me dimër të ashpër, mungesë ushqimi dhe strehimi. Izraeli, nga ana e tij, pohon se po lehtëson ndihmën humanitare, duke fajësuar OKB-në për shpërndarjen e pamjaftueshme të ndihmave dhe duke argumentuar se kufizimet synojnë të pengojnë përfitimin e Hamasit nga ndihmat./ Marrë nga BBC






















