Bota 10 January 2026, 16:06 Nga VNA

Irani në flakë: Spitalet në kolaps, dhjetëra të vrarë dhe kërcënime të hapura mes Teheranit dhe SHBA-së

Ndaje në Whatsapp

Irani në flakë: Spitalet në kolaps, dhjetëra të

Ndërsa protestat antiqeveritare vazhdojnë në dhjetëra qytete të Iranit, mjekë dhe personel shëndetësor kanë sinjalizuar se spitalet janë përfshirë nga një krizë e thellë për shkak të numrit të madh të të plagosurve. Një mjek në Teheran i tha BBC-së se spitali kryesor i syve, Farabi, ka kaluar në “gjendje krize”, me shërbimet emergjente të mbingarkuara dhe ndërhyrjet jo urgjente të pezulluara.

Mesazhe audio dhe video nga një spital në qytetin Shiraz tregojnë se mungesa e kirurgëve po e bën të pamundur përballimin e fluksit të të plagosurve, shumë prej të cilëve, sipas mjekëve, kanë plagë nga armët e zjarrit, kryesisht në kokë dhe sy. Edhe një tjetër punonjës shëndetësor në Teheran ka konfirmuar se mes pacientëve ka viktima me plagë nga plumbat.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, që nga nisja e protestave më 28 dhjetor, janë vrarë të paktën 51 protestues, mes tyre fëmijë, ndërsa mbi 2,300 persona janë arrestuar. Autoritetet iraniane mohojnë vrasje gjatë natës së fundit në Teheran, por pranojnë se dhjetëra ndërtesa janë djegur dhe dëmet materiale janë të mëdha.

Situata është përshkallëzuar edhe në planin ndërkombëtar. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është në “telashe të mëdha” dhe paralajmëroi se çdo përdorim force do të marrë përgjigje të menjëhershme. Nga ana tjetër, Teherani akuzoi SHBA-në në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se po nxisin protesta të dhunshme dhe vandalizëm të organizuar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu shqetësim të thellë për humbjen e jetëve, ndërsa liderët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë i bënë thirrje autoriteteve iraniane të respektojnë të drejtën për protestë paqësore. Megjithatë, udhëheqësi suprem Ali Khamenei u shfaq i palëkundur, duke deklaruar se regjimi nuk do të tërhiqet përballë asaj që e cilëson si “elementë shkatërrues”.

Në të kundërt, Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, i cilësoi protestat “madhështore” dhe u bëri thirrje iranianëve të intensifikojnë veprimet, duke sinjalizuar synimin për t’u rikthyer në vend. Protestat vazhdojnë nën errësirën e një bllokade pothuajse totale të internetit, që e bën të vështirë verifikimin e informacionit nga terreni.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme