Bota 18 August 2025, 19:20 Nga VNA

Lufta drejt fundit? Hamas pranon marrëveshjen e propozuar për armëpushim me Izraelin dhe lirimin e pengjeve

Ndaje në Whatsapp
Lufta drejt fundit? Hamas pranon marrëveshjen e propozuar për

Kajro, 18 gusht (Reuters) – Hamas ka pranuar një propozim për armëpushim 60-ditor me Izraelin, i cili përfshin lirimin e gjysmës së pengjeve të mbajtura në Gaza dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë nga Izraeli, tha një burim zyrtar egjiptian të hënën.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, konfirmoi miratimin e marrëveshjes duke shkruar në Facebook: “Lëvizja i ka dorëzuar miratimin e saj propozimit të ri të paraqitur nga ndërmjetësit.”

Mediat izraelite raportuan se përgjigjja e Hamasit është marrë, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu, në një video nga zyra e tij, deklaroi: “Ashtu si ju, edhe unë dëgjoj raportimet në media, dhe prej tyre mund të kuptohet një gjë – Hamas është nën presion të madh.”

Marrëveshja dhe ndërmjetësimi

Burimi egjiptian theksoi se marrëveshja përfshin pezullimin e operacioneve ushtarake izraelite për 60 ditë dhe vendos një kornizë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon t’i japë fund konfliktit pothuajse dyvjeçar.

Një burim i njohur me negociatat tha se propozimi është i ngjashëm me planin e mëparshëm të paraqitur nga i dërguari amerikan Steve Witkoff, i pranuar nga Izraeli.

Bisedimet u zhvilluan të dielën në Kajro, ndërsa të hënën në diskutime iu bashkua edhe kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i cili u takua me presidentin egjiptian el-Sisi dhe me përfaqësues të Hamasit.

Situata në terren

Ndërkohë, mijëra palestinezë po largohen nga lagjet lindore të Gazës, nën bombardime të pandërprera, duke u zhvendosur drejt perëndimit dhe jugut të territorit. Izraeli ka miratuar planin për të marrë kontrollin e Gazës së Veriut, me Gaza City-n të konsideruar nga Netanyahu si bastioni i fundit i madh urban i Hamasit.

Të hënën vonë, dëshmitarë panë të paktën nëntë tanke dhe buldozerë izraelitë duke avancuar në lagjen Sabra, në qendër të Gaza City.

Një ofensivë tokësore e re mund të zhvendosë qindra mijëra njerëz, shumë prej të cilëve janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës.

Reagime dhe dilema

Protesta të mëdha u mbajtën të dielën në Tel Aviv, ku dhjetëra mijëra izraelitë kërkuan një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e pengjeve. Zyrtarët izraelitë besojnë se rreth 20 nga 50 pengjet e mbetura janë ende gjallë.

Familjarë të pengjeve shprehën frikë se një ofensivë e plotë në Gaza City mund të rrezikojë jetën e tyre. “Kam frikë se djali im do të dëmtohet,” tha Dani Miran, babai i një pengu, në Tel Aviv.

Nga ana tjetër, brenda Gazës, shumë palestinezë kanë nisur protesta duke kërkuar fundin e luftës dhe intensifikimin e negociatave për të shmangur ofensivën izraelite.

Pengesa në bisedime

Raundi i fundit i bisedimeve për armëpushim dështoi në fund të korrikut, me palët që fajësuan njëra-tjetrën. Izraeli ka këmbëngulur se armëpushimi do të jetë i mundur vetëm nëse të gjithë pengjet lirohen dhe Hamas dorëzon armët – një kërkesë e refuzuar publikisht nga ky i fundit, që e kushtëzon me krijimin e një shteti palestinez.

Një zyrtar i Hamasit konfirmoi për Reuters se grupi refuzon kërkesat për çarmatim ose për largimin e udhëheqësve nga Gaza. Mosmarrëveshje vazhdojnë gjithashtu për shkallën e tërheqjes izraelite dhe mënyrën e shpërndarjes së ndihmave humanitare në enklavë, ku uria dhe mungesa e ushqimit janë në rritje të frikshme.

Pasojat e luftës

Sipas shifrave izraelite, konflikti nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit vranë 1,200 persona në jug të Izraelit dhe morën 251 pengje në Gaza.

Që atëherë, mbi 61,000 palestinezë janë vrarë nga ofensiva ajrore dhe tokësore izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza. Vetëm 24 orët e fundit, pesë palestinezë kanë vdekur nga uria, duke e çuar në 263 numrin e viktimave nga kequshqyerja, përfshirë 112 fëmijë.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump shkroi të hënën: “Pengjet e mbetura do të kthehen vetëm kur Hamas të përballet dhe të shkatërrohet. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më të mëdha janë shanset për sukses.”

Video

Disa protestues janë mbledhur përpara Gjykatës së Lartë pak minuta para nisjes së seancës për shqyrtimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Me thirrjet "shqiptarët në liri, Erioni në qeli", ata kërkojnë që Veliaj të vijojë të qëndrojë në burg.

“Revanshi”/ GJKKO shpall vendimin për shtatë të pandehur, ja sa u dënua i forti i Niklës, Durim Bami, dhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme