Bota 13 September 2025, 08:36 Nga VNA

Gruaja e Charlie Kirk flet mes lotësh: Nuk do ta lejoj trashëgiminë tënde të vdesë

Ndaje në Whatsapp
Gruaja e Charlie Kirk flet mes lotësh: Nuk do ta lejoj

E veja e aktivistit konservator Charlie Kirk, Erika Kirk, ka mbajtur një fjalim emocional dhe prekës, pak ditë pas vrasjes së bashkëshortit të saj në një kampus universitar në Utah. E mbushur me lot, ajo falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën ta shpëtonin, si dhe miqtë dhe bashkëpunëtorët që kanë qenë pranë familjes në këtë kohë të vështirë.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga selia e Turning Point USA në Arizona, ku karrigia bosh e Charlie Kirk ishte vendosur përkrah saj, znj. Kirk citoi pasazhe nga Bibla dhe foli për dashurinë e burrit të saj ndaj familjes, Presidentit Donald Trump, Zëvendëspresidentit JD Vance dhe Shteteve të Bashkuara.

Charlie Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një aktiviteti në ajër të hapur në Orem, Utah. I dyshuari për vrasjen, Tyler Robinson, u dorëzua dhe u arrestua të enjten në mbrëmje.

“Zëri i burrit tim do të mbetet,” tha Erika, duke e shoqëruar fjalën me një lutje në heshtje dhe emocion. Ajo falënderoi gjithashtu Presidentin e SHBA-së dhe familjen Vance për mbështetjen, ndërsa kujtoi me mall dashurinë e madhe të Charlie-t për fëmijët dhe për të.

“Por mbi të gjitha, Çarli i donte fëmijët e tij. Dhe më donte mua. Me gjithë zemër,” tha ajo me zë të thyer.

Duke iu drejtuar autorit të krimit dhe atyre që e urrejnë kauzën e burrit të saj, ajo u shpreh: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje… britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje.”

Erika Kirk njoftoi gjithashtu se turneu universitar i burrit të saj do të vazhdojë gjatë vjeshtës dhe në vitet në vijim, po ashtu edhe podkasti i tij.

Në përfundim të fjalës, ajo foli me dhimbje për dy fëmijët e tyre, një vajzë trevjeçare dhe një djalë njëvjeçar, të cilëve u përpoq t’u shpjegonte mungesën e babait.

“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin,” theksoi ajo t’i kishte thënë vajzës së tyre.

Sipas raportimeve, zonja Kirk dhe fëmijët ishin të pranishëm në audiencë kur ndodhi ngjarja tragjike. Ajo është 36 vjeç dhe ka premtuar se trashëgimia dhe misioni i bashkëshortit të saj do të jetojnë përtej vdekjes së tij.

 

Video

Pedonalja ku gara humbi rrugës/ Skualifikohen ofertat më të lira, tenderi 100 mln lekë i Bashkisë Lezhë përfundon me një ofertues

“Aleanca e Valamarit”: akuza që Bardhi duhet ta çojë deri në fund…ose të heshtë

Këto janë pamjet kur një efektiv i “Shqiponjave” godet me grusht një qytetar të shoqëruar gjatë protestës së sotme në Tiranë. Pas publikimit të videos, punonjësi i policisë është pezulluar nga detyra, ndërsa ngjarja pritet të verifikohet nga strukturat përkatëse.

SPAK zbarkon në qelinë e Ergys Agasit, gjenden pije alkoolike dhe pajisje wireless në paraburgimin e Bradasheshit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme