Bota 12 March 2026, 07:22 Nga VNA

Fund i ëndrrës së Dubait? Lufta me Iranin zbeh shkëlqimin e qytetit të miliarderëve

Ndaje në Whatsapp
Fund i ëndrrës së Dubait? Lufta me Iranin zbeh shkëlqimin e

 


Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po trondit rëndë Dubain, qytetin që për dekada ishte ndërtuar si simbol i luksit, turizmit dhe biznesit global. Konflikti ka goditur drejtpërdrejt Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë marrë më shumë se dy të tretat e sulmeve iraniane në rajon.

 


Që nga fillimi i luftës, dhjetëra mijëra turistë dhe banorë të huaj janë larguar nga Dubai, ndërsa alarmet për rrezik raketash bien çdo ditë në telefonat e qytetarëve. Edhe pse mbi 90% e rreth 1700 raketave dhe dronëve iranianë janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes, disa prej tyre kanë goditur objektiva të rëndësishëm, përfshirë baza ushtarake, komplekse industriale dhe aeroportin e Dubait, një nga nyjet ajrore më të mëdha në botë.

 


Një sulm goditi edhe hotelin luksoz Fairmont në ishullin artificial Palm, ndërsa një shofer taksie nga Pakistani, Zain Anwar, tregoi se makina e tij u shkatërrua gjatë sulmit ndërsa ai ishte duke u falur.

“Jam me fat që kam mbijetuar, por tani familja po më thotë të kthehem në shtëpi. Nuk ka më punë dhe turizmi është zhdukur,” tha ai.

 


Ekonomia e Dubait rrezikon goditje të rëndë, pasi turizmi gjeneron rreth 30 miliardë dollarë në vit. Mbi 90% e banorëve të qytetit janë të huaj, përfshirë një numër shumë të madh miliarderësh që kanë zgjedhur Dubain për shkak të taksave shumë të ulëta.

 


Ndryshe nga emiratet e tjera të Gjirit, Dubai nuk ka rezerva të mëdha nafte, ndaj ekonomia e tij varet kryesisht nga turizmi, financat dhe investimet. Analistët paralajmërojnë se nëse lufta vazhdon edhe disa javë, dëmet për aviacionin, turizmin dhe bizneset e huaja mund të jenë shumë të mëdha.

 


Disa banka ndërkombëtare, përfshirë Citibank dhe Standard Chartered, kanë filluar tashmë evakuimin e punonjësve nga Dubai për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

 


Autoritetet e Dubait ndërkohë po përpiqen të ruajnë një imazh normaliteti. Policia ka paralajmëruar se personat që përhapin panik në rrjetet sociale mund të arrestohen, ndërsa zyrtarët theksojnë se shpërthimet që dëgjohen në qiell janë “zëri i sigurisë”, pasi shumica e raketave po neutralizohen.

 


Megjithatë, ndërsa turistët dhe të pasurit po largohen, miliona punëtorë migrantë nga Azia dhe Afrika nuk kanë mundësi të ikin. Shumë prej tyre vazhdojnë të punojnë në ndërtim, transport dhe shërbime, pavarësisht rrezikut nga sulmet.

 


Deri tani, katër persona kanë humbur jetën në Emiratet e Bashkuara Arabe nga sulmet e lidhura me konfliktin, shumica prej tyre punëtorë migrantë nga Azia Jugore. Analistët paralajmërojnë se nëse lufta vazhdon, “ëndrra e Dubait” si strehë e sigurt për turizmin dhe biznesin global mund të vihet seriozisht në pikëpyetje.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme