Bota 30 December 2025, 17:55 Nga VNA

Francë/ Brigitte Bardot mes nderimit dhe polemikës: homazh kombëtar apo lamtumirë pa ceremoni?

Ndaje në Whatsapp

Francë/ Brigitte Bardot mes nderimit dhe polemikës: homazh

Figura e së djathtës franceze, Éric Ciotti, ka bërë thirrje për një homazh kombëtar në nder të legjendës së kinemasë Brigitte Bardot, duke nxitur kundërshtime nga rivalët politikë në të majtë.

“Franca ka detyrimin të nderojë Marianën e saj”, tha Ciotti, duke iu referuar simbolit të lirisë franceze, fytyra e së cilës iu besua Bardot-it në vitet 1960.

Bardot vdiq të dielën në moshën 91-vjeçare. Një peticion i nisur nga Ciotti ka mbledhur deri tani më shumë se 23 mijë firma dhe ka mbështetjen e disa aleatëve të së djathtës ekstreme.

Por kreu i socialistëve, Olivier Faure, ka theksuar se homazhet kombëtare rezervohen për “shërbime të jashtëzakonshme ndaj kombit”. Bardot ishte një aktore ikonë, por ajo gjithashtu “i ktheu shpinën vlerave republikane”, argumentoi Faure.

Bardot është vlerësuar nga presidenti Emmanuel Macron si një “legjendë e shekullit” që mishëroi një jetë lirie, dhe Ciotti, kreu i partisë së djathtë UDR, i ka bërë thirrje atij të organizojë një ceremoni kombëtare lamtumire.

Ciotti tha se Franca duhet të njohë një grua që i solli vendit një nivel të jashtëzakonshëm njohjeje ndërkombëtare dhe që ndihmoi aktivisht në luftën për lirinë e grave dhe të drejtat e abortit.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Nicës, Christian Estrosi, ka njoftuar se qyteti do t’i japë emrin e Bardot-it një “vend simbolik”.

Por Bardot është e destinuar të mbetet figurë polemike edhe pas vdekjes, ashtu siç ishte gjatë jetës. Faure kujtoi se ajo ishte dënuar pesë herë për nxitje të urrejtjes racore.

Bardot luajti në rreth 50 filma, pasi shpërtheu në skenën kinematografike me filmin Dhe Zoti krijoi gruan në vitin 1956.

Ajo u tërhoq nga kinemaja në vitin 1973 për t’iu kushtuar mbrojtjes së kafshëve dhe jetoi për dekada në Saint-Tropez, në Rivierën Franceze, në shtëpinë e saj të quajtur La Madrague.

Por ajo u bë po aq e njohur për simpatitë e saj për të djathtën ekstreme sa edhe për dashurinë ndaj kafshëve. Disa nga deklaratat e saj kishin në shënjestër myslimanët, ndërsa të tjera fyenin banorët e ishullit francez Réunion në Oqeanin Indian.

“Të prekesh nga vuajtjet e delfinëve dhe të jesh indiferent ndaj vdekjes së migrantëve në Mesdhe – çfarë niveli cinizmi është ky?” pyeti deputetja e të Gjelbërve, Sandrine Rousseau, në rrjetet sociale.

Në Francë ekzistojnë forma të ndryshme homazhi kombëtar. Robert Badinter, i cili shfuqizoi dënimin me vdekje në Francë, u nderua me një homazh kombëtar në formën e një ceremonie solemne në vitin 2024, ashtu si edhe këngëtari Charles Aznavour në vitin 2018.

Një opsion më i mundshëm për Bardot-in do të ishte një lamtumirë publike e ngjashme me atë të yllit të rock-ut Johnny Hallyday, kur turma të mëdha mbushën rrugët e Parisit në vitin 2017.

Jo të gjithë në të majtë janë kundër idesë së një homazhi kombëtar për Bardot-in.

“Pse jo? E kemi bërë për figura të tjera, veçanërisht për Johnny Hallyday,” tha deputeti socialist Philippe Brun për radion franceze. “Nëse presidenti i republikës vendos për këtë, nuk shoh pse duhet ta kundërshtojmë.”

Bardot do të varroset pranë varreve të familjes së saj në varrezat detare të Saint-Tropez.

Vetë Bardot kishte shmangur vëmendjen publike për dekada dhe mikja e saj e ngushtë, Wendy Bouchard, tha se ajo nuk kishte aspak interes për medalje dhe ceremoni.

“Ndoshta vjen nga një qëllim i mirë, por nuk jam e sigurt se ajo, që jetoi një jetë thjeshtësie dhe privimi, do ta kishte dashur këtë homazh kombëtar,” tha ajo për televizionin francez.

Gazetari Steven Bellery, i cili e intervistoi Bardot-in më herët këtë vit, u shpreh dakord se ajo dëshironte diçka shumë më të thjeshtë dhe intime.

Bardot kishte kërkuar të varrosej në shtëpinë e saj në Rivierë, në La Madrague, dhe jo në një varrezë publike, nga frika se “një turmë idiotësh mund të dëmtonte varret e prindërve dhe gjyshërve të mi”.

Megjithatë, bashkia e Saint-Tropez ka bërë të ditur se ajo do të ketë një varrim privat në varrezën publike që mbikëqyr Mesdheun, pranë shtëpisë së saj.

Fondacioni Brigitte Bardot, i përkushtuar ndaj mirëqenies së kafshëve, njofton se funerali i saj do të mbahet më 7 janar në kishën Notre-Dame de l’Assomption dhe do të transmetohet në ekrane në të gjithë qytetin.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme