Bota 21 January 2026, 07:51 Nga VNA

Foto të publikuara nga BBC zbulojnë fytyrat e qindra viktimave të shtypjes brutale të protestave në Iran

Ndaje në Whatsapp
Foto të publikuara nga BBC zbulojnë fytyrat e qindra viktimave të

Qindra fotografi që zbulojnë fytyrat e personave të vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në Iran janë publikuar nga BBC Verify. Pamjet, tepër tronditëse për t’u shfaqur pa u turbulluar, tregojnë fytyra të përgjakura, të enjtura dhe të mavijosura të të paktën 326 viktimave, mes tyre 18 gra.

Fotot janë realizuar në një morg në jug të Teheranit dhe për shumë familje kanë qenë e vetmja mënyrë për të identifikuar të afërmit e tyre të ndjerë. Shumë prej viktimave ishin aq të dëmtuara sa nuk mund të identifikoheshin, ndërsa 69 persona ishin shënuar në persisht si “John” ose “Jane Doe”, çka tregon se identiteti i tyre ishte i panjohur në momentin e dokumentimit. Vetëm 28 viktima kishin etiketa me emra të dukshëm qartë.

Etiketat e më shumë se 100 viktimave, ku ishte shënuar data e vdekjes, tregonin 9 janarin – një nga netët më vdekjeprurëse për protestuesit në Teheran. Gjatë përplasjeve me forcat e sigurisë, rrugët e qytetit u përfshinë nga zjarret, ndërsa protestuesit brohorisnin slogane kundër udhëheqësit suprem dhe Republikës Islamike. Protestat pasuan një thirrje për mobilizim mbarëkombëtar nga Reza Pahlavi, djali i shahut të ndjerë, që jeton në mërgim.

Fotot e publikuara ofrojnë vetëm një panoramë të pjesshme të mijëra personave që besohet se janë vrarë nga shteti iranian. BBC Verify ka ndjekur përhapjen e protestave në të gjithë Iranin që nga fundi i dhjetorit, por bllokada pothuajse totale e internetit e vendosur nga autoritetet e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë dokumentimin e shkallës reale të dhunës.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka pranuar publikisht se janë vrarë disa mijëra persona, por ka fajësuar Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe ata që i ka cilësuar si “nxitës të trazirave”.

Pavarësisht bllokadës së internetit që ka hyrë në javën e tretë, një numër i vogël personash kanë arritur të nxjerrin informacion jashtë vendit. BBC Verify ka analizuar 392 fotografi të realizuara brenda Qendrës Mjeko-Ligjore Kahrizak dhe ka identifikuar 326 persona, pasi disa viktima ishin fotografuar nga kënde të ndryshme. Burime pranë institucionit pretendojnë se numri real i të vdekurve në këtë morg shkon në mijëra.

Një burim, i cili nuk identifikohet për arsye sigurie, ka deklaruar se pamjet brenda kompleksit të morgut ishin tronditëse, me viktima që varionin nga fëmijë 12–13 vjeç deri te persona 60–70 vjeç. Familjarë dhe miq ishin mbledhur rreth një ekrani, duke u përpjekur të identifikonin të dashurit e tyre, ndërsa qindra imazhe shfaqeshin me radhë për orë të tëra.

Shumë prej viktimave kishin plagë aq të rënda sa identifikimi ishte i pamundur. Në disa raste, familjarët kërkonin që fotot të shfaqeshin sërish dhe të zmadheshin për t’u siguruar për identitetin. Në raste të tjera, njerëzit i njihnin menjëherë të afërmit e tyre dhe shembeshin në tokë duke bërtitur nga dhimbja.

Në shumë foto shiheshin qese trupash të hapura, pranë të cilave ishin vendosur dokumente me emra, numra identifikimi ose data vdekjeje. Në disa raste, sipas burimeve, i vetmi identifikues ishte një kartë bankare e vendosur mbi qesen e trupit – pasuria e fundit e viktimës.

BBC Verify ka verifikuar gjithashtu video nga i njëjti morg, të cilat dëshmojnë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Një prej tyre tregon trupin e një fëmije, ndërsa një tjetër një burrë me plagë të qartë nga armë zjarri në mes të kokës. Pamjet janë tepër të rënda për t’u publikuar. 

Disa iranianë kanë arritur të publikojnë emra të personave të vrarë nga forcat e sigurisë përmes lidhjeve të rralla me internetin, përfshirë Starlink ose rrjete nga vendet fqinje. BBC Verify ka krahasuar emrat e identifikuar në morg me postime në rrjetet sociale dhe ka gjetur pesë përputhje, por nuk i publikon emrat për shkak të pamundësisë për të kontaktuar familjet.

BBC Verify ka dokumentuar përhapjen e protestave antiqeveritare në 71 qytete dhe qyteza në Iran që nga 28 dhjetori, përmes videove të verifikuara, ndonëse numri real i zonave të përfshira mendohet të jetë shumë më i lartë. Pamjet e pakta të publikuara tregojnë automjete të djegura në rrugë dhe të shtëna me armë zjarri në Teheran gjatë protestave.

Bllokada e internetit ka penguar dokumentimin e plotë të bilancit të viktimave, por organizata amerikane Human Rights Activists News Agency (HRANA) vlerëson se numri i të vrarëve ka kaluar 4 mijë.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme