Bota 25 February 2026, 13:51 Nga VNA

Fjalimi më i gjatë në Kongres: Çfarë janë të vërteta dhe çfarë jo në pretendimet e Donald Trump

Ndaje në Whatsapp

Fjalimi më i gjatë në Kongres: Çfarë janë

Donald Trump mbajti fjalimin e tij më të gjatë ndonjëherë në Kongres, që zgjati 1 orë e 47 minuta, duke deklaruar para ligjvënësve amerikanë se “vendi po fiton sërish”, ndërsa renditi arritjet e administratës së tij.

Ekonomia amerikane dhe përballueshmëria e çmimeve ishin temat kryesore të fjalimit – më i gjati në dekada. Trump bëri gjithashtu pretendime për emigracionin e paligjshëm dhe për përfundimin e një sërë luftërash në botë. BBC Verify i analizoi këto deklarata.

Çmimet dhe inflacioni

Trump tha: “Politikat e tyre krijuan çmimet e larta. Politikat tona po i japin fund me shpejtësi.”

Çmimet vijojnë të rriten, por norma e inflacionit është ngadalësuar që kur Trump mori detyrën në fillim të vitit të kaluar. Inflacioni ishte 2.4% në 12 muajt deri në janar 2026, nga 3% në vitin e fundit të presidencës së Joe Biden.

Gjatë dy viteve të para të Bidenit, inflacioni arriti kulmin në 9.1% në qershor 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, që ndikoi në rritjen globale të çmimeve.

Trump përmendi disa produkte ushqimore, përfshirë mishin e viçit, duke thënë se çmimi i tij “po bie ndjeshëm”. Çmimet e mishit të viçit ranë lehtë muajin e fundit, por në total janë rritur 15% në 12 muajt deri në janar 2026.

Ai theksoi se çmimi i vezëve ka rënë 34% gjatë vitit të fundit. Në tërësi, çmimet e ushqimeve janë rritur 2.1% në 12 muajt deri në janar 2026.

Ekonomistë nga Universiteti Harvard kanë vlerësuar se tarifat (taksat mbi importet) e vendosura nga Trump në vitin 2025 e rritën inflacionin me rreth 0.92 pikë përqindjeje në janar, krahasuar me nivelin që do të kishte qenë pa to.

Çmimi i benzinës

Trump deklaroi se benzina “është nën 2.30 dollarë për gallon në shumicën e shteteve, madje në disa vende 1.99 dollarë”.

Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilistëve (AAA), më 24 shkurt çmimi mesatar kombëtar ishte 2.95 dollarë për gallon. Shteti me çmimin më të ulët ishte Oklahoma me 2.37 dollarë për gallon.

Gjatë fjalimit, faqja GasBuddy raportoi se benzina nën 2 dollarë për gallon gjendej vetëm në katër pika karburanti nga rreth 150 mijë në të gjithë SHBA-në.

Punësimi

Trump tha: “Sot punojnë më shumë amerikanë se kurrë në historinë e vendit.”

Sipas Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës (BLS), në janar 2026 ishin të punësuar mbi 158 milionë persona – shifra më e lartë ndonjëherë.

Megjithatë, popullsia është gjithashtu në nivel rekord, mbi 342 milionë banorë. Përqindja e të punësuarve mbi 16 vjeç ishte 59.8% në janar 2026, pak më e ulët se 60.1% në janar 2025, kur Biden la detyrën. Papunësia është rritur lehtë nga 4.1% në dhjetor 2024 në 4.3% në janar 2026.

Investimet prej 18 trilionë dollarësh

Trump pretendoi se ka siguruar angazhime për mbi 18 trilionë dollarë investime nga e gjithë bota.

Nuk ka prova publike për një shifër kaq të lartë. Sipas faqes së Shtëpisë së Bardhë, investimet e reja në prodhim, teknologji dhe infrastrukturë arrijnë në 9.7 trilionë dollarë – një shumë e madhe, por shumë më e ulët nga ajo e pretenduar.

Ekspertë kanë paralajmëruar se këto përfshijnë edhe zotime që mund të mos realizohen.

Mashtrim zgjedhor

Trump tha se “mashtrimi është i përhapur në zgjedhjet tona” dhe kërkoi rregulla më të rrepta për identifikimin e votuesve.

Nuk ka prova për mashtrim zgjedhor të përhapur. Sipas një databaze të fondacionit konservator Heritage Foundation, që nga viti 1982 janë regjistruar 1,620 raste të provuara mashtrimi zgjedhor në të gjithë SHBA-në.

Studime të tjera tregojnë se rastet e votimit nga jo-shtetas janë shumë të rralla.

Emigracioni i paligjshëm

Trump deklaroi se “në nëntë muajt e fundit, zero emigrantë të paligjshëm janë pranuar në SHBA”.

Nëse i referohet migrantëve të liruar pas kapjes, kjo është e saktë, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, patrulla kufitare ka regjistruar 6,070 ndalime në kufirin jugperëndimor në janar 2026 – shumë më pak se 124,215 në janar 2024 nën Bidenin.

“Kam përfunduar tetë luftëra”

Trump tha se në dhjetë muajt e parë ka përfunduar tetë luftëra, përfshirë konfliktet mes Izraelit dhe Hamasit, Pakistanit dhe Indisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, Serbisë dhe Kosovës, etj.

Edhe pse ai mund të marrë meritë për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, nuk është e saktë të thuhet se ka përfunduar tetë luftëra. Disa prej konflikteve zgjatën vetëm disa ditë, ndërsa në rastin e Egjiptit dhe Etiopisë bëhej fjalë për një mosmarrëveshje mbi një digë, jo për luftë të armatosur.

Në disa raste, roli i SHBA-së është minimizuar nga vetë palët e përfshira.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme