Bota 18 August 2025, 08:02 Nga VNA

Fëmijët e parë nga Gaza pritet të sillen në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor në javët në vijim

Ndaje në Whatsapp
Fëmijët e parë nga Gaza pritet të sillen në

Një grup prej 30 deri në 50 fëmijësh palestinezë të sëmurë rëndë dhe të plagosur pritet të evakuohen nga Gaza drejt Mbretërisë së Bashkuar për trajtim mjekësor, raporton BBC.

Këta do të jenë fëmijët e parë që do të dërgohen në Britani si pjesë e një operacioni të organizuar nga qeveria britanike në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme dhe Departamentin e Shëndetësisë.

Përzgjedhja e fëmijëve do të bëhet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërsa udhëtimi i tyre drejt Britanisë do të kalojë nëpër një vend të tretë, ku do të mblidhen të dhëna biometrike si pjesë e kontrollit të sigurisë. Fëmijët do të shoqërohen nga anëtarë të familjes së tyre.

Vendimi vjen pas thirrjeve të shumta nga deputetë britanikë të të gjitha partive, të cilët në një letër të përbashkët i kërkuan qeverisë të veprojë menjëherë për të sjellë në Britani fëmijët e plagosur e të sëmurë nga Gaza.

Në letrën e dërguar javën e kaluar, 96 deputetë paralajmëruan se shumë fëmijë janë në rrezik të vdekjes së afërt për shkak të “shkatërrimit të sistemit shëndetësor në Gaza”, dhe se çdo pengesë për evakuimin e tyre duhet të hiqet menjëherë.

Deri tani, disa fëmijë nga Gaza janë sjellë privatisht në Britani përmes nismës humanitare Project Pure Hope (PPH), por qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë evakuim zyrtar gjatë konfliktit.

Në fillim të gushtit, qeveria britanike deklaroi se po punonte me përparësi për të sjellë më shumë fëmijë për trajtim. Ende nuk është e qartë përmes cilit vend të tretë do të kalojnë fëmijët, sa do të jenë saktësisht, apo nëse do të ketë grupe të tjera që do të pasojnë.

Për shkak të pamundësisë së kthimit të sigurt në Gaza pas trajtimit, disa nga fëmijët mund të hyjnë në sistemin e azilit në Britani.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, mbi 50,000 fëmijë janë vrarë ose plagosur që nga nisja e luftës në Gaza në tetor 2023.

Që nga fillimi i konfliktit, Mbretëria e Bashkuar ka ofruar fonde për trajtimin e të plagosurve palestinezë në spitale të vendeve të rajonit dhe ka bashkëpunuar me Jordaninë për hedhjen nga ajri të ndihmave humanitare në Gaza.

Fëmijët që do të sillen në Britani përmes këtij programi do të trajtohen në sistemin shëndetësor publik britanik (NHS). Ndërkohë, një taskforcë e përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike është duke punuar për të përshpejtuar evakuimin e atyre që kanë nevojë urgjente për trajtim.

Ministria e Brendshme britanike ka sqaruar më herët se para nisjes për në Britani, fëmijëve dhe kujdestarëve të tyre do t’u kryhen kontrolle biometrike dhe të sigurisë.

Që nga fillimi i luftës, dhjetëra palestinezë të sëmurë rëndë janë evakuuar drejt vendeve të tjera – përfshirë mbi 180 persona në Itali.

OKB ka paralajmëruar për përhapje të madhe të kequshqyerjes në Gaza, ndërsa një raport i fundit nga ekspertë të mbështetur nga OKB-ja theksonte se “skema më e keqe e urisë” po ndodh realisht në Gaza.

Izraeli, nga ana e tij, ka mohuar se ka vendosur kufizime për ndihmat humanitare dhe ka akuzuar organizatat ndërkombëtare për dështim në shpërndarjen e tyre.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, mbi 60,000 persona janë vrarë në Gaza që nga nisja e ofensivës izraelite, e cila erdhi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme