
Elon Musk mund të bëhet trilioneri i parë në botë nëse aksionarët e Teslës miratojnë një propozim të ri që do t’i ofronte një shumë të konsiderueshme parash nëse kompania arrin disa objektiva ambicioze të përcaktuara.
Sipas raportimeve të CNN, paketa e propozuar për pagat mund t’i sigurojë Muskut 423.7 milionë aksione shtesë të Teslës, të cilat me vlerën aktuale të aksioneve do të arrinin 143.5 miliardë dollarë. Megjithatë, Musk do të përfitonte këto aksione vetëm nëse vlera e tregut të Teslës do të rritej ndjeshëm në vitet e ardhshme. Konkretisht, aksionet e kompanisë duhet të arrijnë një vlerë të përgjithshme prej 8.5 trilion dollarësh që Musk të marrë të gjitha aksionet, një shifër dukshëm mbi vlerësimin aktual të tregut prej 1.1 trilion dollarësh dhe afërsisht dyfishin e vlerës aktuale të Nvidia, kompani kjo që është aktualisht ndër më të vlefshmet në treg.
Propozimi i paraqitur nga kompania përfshin gjithashtu një mundësi që Tesla të marrë pjesë në xAI, kompaninë private të inteligjencës artificiale që zotëron Musk. Ky hap mund të ndihmojë në konsolidimin e perandorisë së tij në rritje të biznesit. XAI bleu së fundmi platformën e mediave sociale X (më parë Twitter), të cilën Musk e bleu për 44 miliardë dollarë në vitin 2022. Dokumenti i prokurës nuk ka dhënë një qëndrim specifik për propozimin e aksionarëve dhe nuk përcakton përmasën apo çmimin e aksioneve që Tesla do të kishte në xAI.
Aktualisht, Elon Musk zotëron 410 milionë aksione të Teslës, me një vlerë prej 139 miliardë dollarësh sipas çmimit të mbylljes së së enjtes. Ky portofol, së bashku me aksionet e tij në xAI, SpaceX dhe kompani të tjera që ka themeluar dhe drejton, e bëjnë atë personin më të pasur në botë, me një vlerë të përgjithshme prej 378 miliardë dollarësh, sipas gjurmuesit të miliarderëve të Bloomberg. Musk gjithashtu ka mundësinë për të blerë 304 milionë aksione shtesë të Teslës, por një gjyqtar në Delaware ka rrëzuar dy herë më parë paketën e pagesave të vitit 2018 që do t’i siguronte këto opsione, duke e konsideruar atë të paligjshme, pavarësisht miratimit të gjerë nga aksionarët. Nëse miratohet kjo paketë e re, Musk do të zotëronte rreth 18% të aksioneve të Teslës. Vlera e aksioneve të Teslës u rrit ndjeshëm midis ditës së zgjedhjeve dhe mesit të dhjetorit 2024, duke pothuajse u dyfishuar, pasi investitorët prisnin që lidhjet e ngushta të Musk me presidentin Donald Trump të favorizonin kompaninë. Megjithatë, përballja me protesta, rënien e shitjeve dhe uljen e fitimeve çoi në humbjen e këtyre fitimeve. Aksionet kanë rikuperuar pjesërisht, por mbeten 26% më poshtë nga niveli më i lartë i arritur në dhjetor.
Musk dhe mbështetësit e tij në Wall Street besojnë se Tesla është e pozicionuar mirë për rritje të mëtejshme dhe përfitime të konsiderueshme në të ardhmen. Ai ka vazhduar të parashikojë se planet për makinat vetë-drejtuese, duke përfshirë një shërbim robotaxi, do të krijojnë fitime dhe vlerë të madhe për aksionarët. Shërbimi i robotaxis do të ofrojë udhëtime për pasagjerët dhe gjithashtu do t’u mundësojë pronarëve të Teslës të japin me qira automjetet e tyre për udhëtime pa shofer kur nuk janë në përdorim.
Musk ka premtuar gjithashtu një linjë robotësh humanoide që mund të sjellë edhe më shumë të ardhura sesa biznesi i makinave elektrike të Teslës. Megjithatë, deri më tani, këto kanë qenë kryesisht premtime dhe projeksione, ndërsa kompania përballet me konkurrencë të fortë nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike, si BYD, e cila pritet të kalojë Teslën në shitjet globale të automjeteve elektrike. Tesla përballet gjithashtu me konkurrentë në shërbimin e robotaxis, përfshirë Waymo, njësi kjo e Alphabet që ofron shërbime udhëtimi me automjete autonome në partneritet me Uber në disa qytete.
Nëse aksionarët miratojnë paketën e re, Musk do të përballet me sfida të mëdha për të arritur objektivat ambicioze, por gjithashtu do të jetë në rrugën për t’u bërë trilioneri i parë në botë.