
Një anije e madhe turistike e ankoruar në Dubai është kthyer në një lloj “kafazi të artë” për rreth 5 mijë turistë, mes tyre 576 italianë, të cilët kanë mbetur të bllokuar për shkak të bombardimeve dhe tensioneve në rajonin e Gjirit Persik.
Alarmet në telefonat celularë bien shpesh edhe në mes të aktiviteteve të zakonshme të anijes. Një prej tyre ra në orën 20:12, ndërsa në piano-bar po këndohej një këngë klasike, duke sinjalizuar një tjetër sulm me raketa në qiellin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Anija MSC Euribia, e ankoruar në Port Rashid në Dubai së bashku me gjashtë anije të tjera të mëdha turistike, ka mbetur në port që prej së dielës. Ajo mund të strehojë deri në 6 mijë pasagjerë në 2400 kabina dhe është projektuar të funksionojë me gaz natyror të lëngshëm për të reduktuar ndotjen.
Turistët kishin planifikuar një udhëtim njëjavor në Katar, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por përfunduan në mes të tensioneve dhe sulmeve me raketa.
“Është një përvjetor martese që nuk do ta harrojmë kurrë”, tregojnë Silvia dhe Sandro Lo Surdo, pensionistë që jetojnë në Milano. Udhëtimi ishte dhuratë nga nipërit e tyre për 50-vjetorin e martesës.
Sipas tyre, dy ditët e para ishin të vështira: shpërthimet dëgjoheshin qartë dhe alarmet binin edhe pesë herë gjatë një nate. Më pas situata u shpjegua dhe frika u ul disi.
Jeta në bord vazhdon me aktivitete normale: 10 restorante, 21 bare, katër pishina, kazino dhe teatër, por shumë pasagjerë thonë se ankthi më i madh është pasiguria për momentin kur do të mund të kthehen në shtëpi.
Mbyllja e shumë aeroporteve në rajon për shkak të sulmeve me raketa ka penguar largimin e turistëve. Vetëm një grup prej rreth 600 personash, mes tyre 170 italianë, arriti të largohej nga Abu Dhabi pas koordinimit mes kompanisë MSC Crociere, linjave ajrore dhe autoriteteve italiane.
Komandanti i anijes, Paolo Benini, tha se përparësi për largimin u është dhënë familjeve me fëmijë dhe personave me probleme shëndetësore. Sipas planit, rreth 1500 persona nga vende të ndryshme pritet të kthehen në shtëpi brenda së shtunës.
Megjithatë, çdo alarm i ri për sulme në rajon mund të ndryshojë planet, ndërsa e ardhmja e udhëtimit mbetet e pasigurt për shkak të situatës gjeopolitike dhe mbylljes së ngushticës së Hormuzit.






















