
I riu që dyshohet se vrau aktivistin konservator Charlie Kirk bëri shaka se “sozia” e tij e kishte shkrepur armën, ndërsa diskutonte aktin e rëndë në një bisedë private në rrjetin social Discord vetëm disa orë pas ngjarjes.
Tyler Robinson, 22 vjeç, ishte duke u tallur me kërkimin për personin e armatosur dhe hetimin e FBI- së, ndërsa bënte shaka për marrjen e parave si shpërblim përpara se t’i dorëzohej policisë, sipas mesazheve të siguruara nga The New York Times.
Robinson është arrestuar dhe është identifikuar si i dyshuari kryesor në vrasjen e Kirk.
Ai nuk tregoi shenja pendimi në bisedat e Discord të zbuluara nga një ish-shok klase i shkollës së mesme.
Në fakt, Robinson dukej se kënaqej nga vëmendja, duke shkëmbyer ‘meme’ me të njohurit e tij, ndërsa autoritetet përpiqeshin të gjenin personin përgjegjës.
‘Tyler vrau Charlie-n!!!!’ shkroi një përdorues në një grup bisedash të enjten pasdite, duke e etiketuar me shaka Robinson. Robinson iu kundërpërgjigj pothuajse menjëherë: “Sozia ime po përpiqet të më fusë në telashe”, shkroi ai.
Këto komunikime u zhvilluan vetëm disa orë pasi FBI-ja kishte publikuar pamje nga kamerat e sigurisë që tregonin një të ri me syze dielli dhe një kapelë, duke ecur nëpër shkallët e Universitetit të Luginës së Utah, ku Kirk kishte mbajtur një fjalim.
Në atë pikë, i dyshuari ishte ende i paidentifikuar publikisht, por privatisht, Robinson tashmë po luante me të vërtetën. Mesazhet, të verifikuara nga NYT, përshkruajnë një të ri plotësisht në dijeni të hetimit dhe duke e tallur atë.
Kur një përdorues tjetër bëri shaka rreth dorëzimit të Robinson për shpërblimin prej 100,000 dollarësh nga FBI-ja, ai u përgjigj me ironi: “Vetëm nëse marr një pjesë të pagesës”.
Biseda në Discord, e përbërë nga rreth 20 përdorues që njiheshin me njëri-tjetrin nga shkolla e mesme ose nga komunitetet online, u shndërrua në një dritare drithëruese në mentalitetin e të dyshuarit pas të shtënave.
Ndërsa homazhet publike për Kirkun po përmbytnin median konservatore dhe Presidenti Trump po lëshonte shpallje kombëtare në nder të tij, i akuzuari për vrasje ishte pas një ekrani, duke bërë shaka për gjithçka, nga politikat e shtetit të kuq deri te vdekjet e rreme.
“Unë në fakt jam Charlie Kirk”, shkroi Robinson në një moment. ‘Doja të largohesha nga politika, kështu që falsifikova vdekjen time, tani mund të jetoj jetën e ëndrrave të mia në Kansas.’
Kirk, 31 vjeç, bashkëthemelues i Turning Point USA, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një eventi ku po diskutonte me të rinj, i cili kishte tërhequr si mbështetës ashtu edhe protestues.
Autoritetet thonë se personi i armatosur u ngjit në çatinë e një ndërtese disa qindra metra larg vendit të ngjarjes dhe qëlloi një të shtënë të vetme, fatale, përpara se të largohej nga kampusi.
Policia thotë se Robinson më vonë nënkuptoi ose rrëfeu krimin dhe në fund u dorëzua në jugperëndim të Utah, më shumë se tre orë larg me makinë nga vendi i ngjarjes.
Familja e tij i kërkoi atij të dorëzohej pasi mësoi për përfshirjen e tij. Prokurorët vendas pritet të ngrenë akuza zyrtare të martën, duke përfshirë vrasje të rëndë dhe përdorim të armës së zjarrit në kryerjen e një krimi.