Bota 19 January 2026, 07:37 Nga VNA

BE planifikon t’i përgjigjet me tarifa, por Trump nuk tërhiqet: Ka ardhur koha për Groenlandën

Ndaje në Whatsapp

BE planifikon t’i përgjigjet me tarifa, por Trump nuk tërhiqet:

Nuk duket se Donald Trump po “i vë veshin” reagimeve evropiane lidhur me Groenlandën, pasi në orët e para të mëngjesit të së hënës ai shkroi në platformën Truth Social se “tani është koha dhe do të ndodhë” për planet e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll ishullin arktik.

“Prej 20 vitesh NATO i thotë Danimarkës se ‘duhet të largoni kërcënimin rus nga Groenlanda’. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ishte në gjendje të bënte asgjë për këtë. Tani ka ardhur koha dhe do të ndodhë!!! Presidenti Donald Trump”, shkroi presidenti amerikan në postimin e tij.

Postimi i Trump erdhi vetëm disa orë pas raportimit të Bloomberg se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po diskutojnë disa opsione se si të reagojnë ndaj kërcënimit të presidentit amerikan për vendosjen e tarifave doganore, ndërsa është hedhur në tryezë edhe propozimi për pezullimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-në.

Reagimi i BE-së ishte tema kryesore e takimit që u thirr të dielën në Bruksel nga presidenca qipriote, ku ambasadorët e vendeve anëtare u përpoqën të formësonin një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve të Trump.

Më vonë të dielën u bë e ditur se presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thirrur një Samit të Jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian, në sfondin e çështjes së Groenlandës dhe kërcënimit për vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve, nga të cilat gjashtë janë anëtare të BE-së. Sipas një zyrtari të BE-së dhe një diplomati të njohur me planifikimin, samiti është parashikuar të mbahet të enjten, më 22 janar.

Një nga propozimet që janë hedhur në diskutim, sipas mediave ndërkombëtare, është vendosja e tarifave ndaj produkteve amerikane me vlerë 93 miliardë euro.

Gjithashtu u diskutua edhe përdorimi i fuqishëm i Instrumentit Kundër Praktikave Shtrënguese (Anti-Coercion Instrument), një masë që fillimisht ishte projektuar për t’iu kundërvënë taktikave frikësuese të Kinës dhe që do t’i lejonte Evropës të vendosë tarifa dhe kufizime investimesh ndaj vendeve që shkelin rregullat.

Ky instrument ofron një gamë të gjerë kundërmasash të mundshme, përfshirë vendosjen e tarifave, kufizime në tregtinë e shërbimeve dhe në aspekte të të drejtave të pronësisë intelektuale që lidhen me tregtinë, si edhe kufizime në aksesin ndaj investimeve të huaja direkte dhe kontratave publike.

Madje, presidenti francez Emmanuel Macron, më herët të dielën, kishte propozuar që BE-ja të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të këtij instrumenti, ndonëse Franca kishte shmangur përdorimin e tij në të kaluarën.

Vitin e kaluar, BE-ja kishte miratuar tarifa hakmarrëse ndaj produkteve amerikane me vlerë 93 miliardë euro, por pezulloi zbatimin e tyre pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare mes dy palëve.

Eurodeputetët kishin propozuar gjatë fundjavës që të shtyhej miratimi i marrëveshjes tregtare, duke iu referuar pikërisht lëvizjes së fundit të Trump.

Të shtunën, presidenti amerikan kërcënoi se do të vendoste tarifa 10% ndaj tetë vendeve evropiane (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Holanda, Suedia dhe Finlanda) duke filluar nga 1 shkurti, si përgjigje ndaj veprimeve të tyre lidhur me Groenlandën. Nëse nuk do të realizohej aneksimi i plotë, tarifat do të rriteshin në 25% nga 1 qershori.

Reagon Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, riafirmoi angazhimin e palëkundur të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe për të mbështetur sovranitetin e Groenlandës dhe të Mbretërisë së Danimarkës, në sfondin e tensioneve gjeopolitike në rritje në rajonin e Arktikut.

Në një postim në platformën X, presidentja e Komisionit bëri të ditur se ka diskutuar zhvillimet lidhur me Groenlandën me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe me liderë kryesorë evropianë. Konkretisht, në konsultime morën pjesë kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Ursula von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në mbrojtjen si të interesave ekonomike, ashtu edhe të çështjeve të sigurisë që lidhen me sovranitetin evropian.

“Ne do të mbrojmë gjithmonë interesat tona strategjike ekonomike, si edhe interesat tona të sigurisë”, deklaroi ajo.

Në përmbyllje të postimit të saj, presidentja e Komisionit Evropian përcolli një mesazh uniteti evropian përballë sfidave që po shfaqen në skenën ndërkombëtare.

“Do t’u përgjigjemi këtyre sfidave ndaj solidaritetit tonë evropian me qëndrueshmëri dhe vendosmëri”, theksoi ajo, duke konfirmuar vullnetin e BE-së për të luajtur një rol aktiv në zhvillimet gjeopolitike të rajonit.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme