Bota 2 February 2026, 18:26 Nga VNA

Avokatët e viktimave të Epstein kërkojnë heqjen urgjente të dokumenteve nga interneti: “Skandal i rëndë”

Ndaje në Whatsapp

Avokatët e viktimave të Epstein kërkojnë heqjen urgjente

Avokatët që përfaqësojnë viktimat e Jeffrey Epstein i kanë kërkuar dy gjyqtarëve federalë në Nju Jork që të urdhërojnë Departamentin amerikan të Drejtësisë (DOJ) të heqë menjëherë nga interneti miliona dokumente të lidhura me çështjen Epstein, duke argumentuar se publikimi i tyre pa redaktimin e duhur të të dhënave të viktimave ka krijuar një situatë tejet të rëndë.

Në një letër të dërguar të dielën gjyqtarëve Richard Berman dhe Paul Engelmayer — të cilët mbikëqyrin çështjet Epstein dhe Ghislaine Maxwell — avokatët Brittany Henderson dhe Brad Edwards kërkojnë “ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”. Ata theksojnë se shumë prej dokumenteve të publikuara përmbajnë identitetet e viktimave, në shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrit të gjykatës.

Henderson tha për CNN se vetëm brenda 48 orëve ajo kishte raportuar mijëra dështime në redaktim në emër të gati 100 të mbijetuarave, jetët e të cilave janë tronditur rëndë nga ky publikim.

Në letër, avokatët shkruajnë se përmasat dhe përsëritja e gabimeve janë aq të mëdha sa nuk mund të justifikohen si thjesht paaftësi burokratike. Sipas tyre, gjykata kishte dhënë një urdhër të qartë dhe të thjeshtë: emrat e viktimave të njohura duhej të redaktoheshin kudo që shfaqeshin para publikimit.

Ata rendisin shembuj konkretë të shkeljeve, mes tyre:
• një viktimë e mitur, emri i së cilës u shfaq i pa redaktuar 20 herë në një dokument të vetëm;
• një email që listonte 32 viktima të mitura, ku vetëm një emër ishte fshehur dhe 31 të tjerët mbetën të dukshëm;
• formularë zyrtarë të FBI-së (“302”) ku shfaqeshin të plota emrat dhe mbiemrat e viktimave.

Pas ankesave, DOJ deklaroi se ka tërhequr nga publikimi dokumentet që u sinjalizuan nga viktimat dhe avokatët e tyre dhe po vijon kontrollet për materiale të tjera problematike. Megjithatë, sipas avokatëve, dëmi tashmë është bërë.

Letra përfshin edhe dëshmi të disa viktimave anonime (“Jane Doe”), të cilat tregojnë se pas publikimit të dosjeve kanë marrë kërcënime me vdekje dhe janë përballur me ngacmime nga media dhe persona të panjohur.

Njëra prej tyre thotë se ekspozimi i të dhënave jo vetëm që e ka traumatizuar sërish, por edhe e ka vënë në rrezik fizik atë dhe fëmijën e saj.

Avokatët theksojnë se DOJ kishte një procedurë të thjeshtë për t’u ndjekur: të kërkonte çdo emër të njohur në sistem dhe ta redaktonte përpara publikimit. Po të ishte bërë kjo, dëmi mund të ishte shmangur.

Henderson paralajmëron se çdo sekondë vonesë po shkakton dëm të ri për këto gra, të cilat janë të frikësuara dhe po kërkojnë mbrojtje reale nga shteti amerikan.

 

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme