Bota 25 January 2026, 14:53 Nga VNA

Avdullah Hoti thotë se do të garojë për kryetar të LDK-së

Ndaje në Whatsapp
Avdullah Hoti thotë se do të garojë për kryetar të

Avdullah Hoti i ka bërë të ditura synimet se dëshiron ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se “ka ardhur koha” për ta kthyer atë në forcën kryesore politike në vend.

Hoti – i cili shërbeu shkurtimisht si kryeministër i Kosovës mes viteve 2020 dhe 2021 – shkroi në Facebook të dielën se do ta kërkojë besimin e delegatëve të partisë në Kuvendin e LDK-së më 31 janar.

Ai tha se po e bën këtë “pas dorëheqjes së kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor”.

Kryetari i tanishëm Lumir Abdixhiku pritet ta kërkojë votëbesimin e delegatëve në Kuvendin e 31 janarit, pasi më parë kishte thënë se e ka ofruar dorëheqjen por se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.

Nuk është e qartë nëse Abdixhiku - i cili ka mandat deri më 2027 - do ta humbë votëbesimin për t’i hapur rrugë garës për kryetar të partisë.

Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, së bashku me kreun e partisë, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi zgjedhor në Prishtinë më 16 dhjetor 2025.

Hoti shkroi se “në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.

Hoti, 50 vjeç, është pjesë e LDK-së nga viti 2006 dhe, përveç si kryeministër i vendit, në të kaluarën ai ka shërbyer edhe si ministër i Financave i Kosovës.

“Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon”, shkroi ai.

Ai u shpreh i bindur se brenda LDK-së potenciali “është shumë më i madh”, duke shtuar se partia duhet ta shfrytëzojë atë për t’u kthyer në “forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror”.

LDK-ja caktoi Kuvendin e partisë për 31 janar pas një mbledhjeje të Kryesisë javën e kaluar, ku anëtarët diskutuan për rezultatin dëshpëruese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.

Një person kalon pranë një bilbordi me fotografinë e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Prishtinë më 21 dhjetor 2025. 

Disa anëtarë të partisë, përfshirë Hotin dhe Hykmete Bajramin - e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares të partisë - kërkuan largimin e Abdixhikut, pasi LDK-ja doli e treta duke i fituar vetëm rreth 13 për qind të votave.

Pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar, zyrtari i LDK-së Besian Mustafa nuk konfirmoi se do të kishte garë për kryetar të partisë në Kuvendin e 31 janarit.

Duke folur në një konferencë për media, Mustafa tha se “duhet të ketë një proces tjetër për të ardhur deri të kandidaturat e tjera për të pasur një proces zgjedhor në LDK”.

“Tani jemi të pjesa e votëbesimit. Do ta shohim rezultatin e votëbesimit së pari”, tha Mustafa./REL 

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme