Bota 23 January 2026, 21:13 Nga VNA

Autoritetet spanjolle zbardhin shkakun e aksidentit hekurudhor

Ndaje në Whatsapp
Autoritetet spanjolle zbardhin shkakun e aksidentit hekurudhor

Një hetim lidhur me përplasjen e dy trenave të shpejtë në Spanjë, që la të vdekur 45 persona, sugjeron se shina e hekurudhës ishte çarë para aksidentit, sipas një raporti preliminar të publikuar të premten, më 23 janar.

Spanja po kërkon përgjigje për një nga aksidentet më vdekjeprurëse të këtij lloji në Evropë në këtë shekull, që ka ngritur dyshime mbi sigurinë e rrjetit të dytë më të madh në botë të hekurudhave me shpejtësi të lartë.

Aksidenti ndodhi në rajonin jugor të Andaluzisë mbrëmjen e 18 janarit, kur një tren që operohej nga kompania private, Iryo, doli nga shinat dhe kaloi në shinat në anën tjetër, duke u përplasur me një tren që po vinte nga drejtimi i kundërt, tren që operohej nga kompania shtetërore, Renfe.

Një inspektim i trenit Iryo “zbuloi prerje në rrotat anësore në anën e djathtë” të katër vagonëve, u tha në raportin preliminar të komitetit CIAF për hetimin e aksidenteve hekurudhore.

“Këto prerje në rrota dhe deformimi në shina janë të përputhshme me faktin që shina ishte e çarë”, u tha në dokument.

Prerje u gjetën gjithashtu edhe në rrotat anësore në anën e djathtë të tre trenave që kishin kaluar mbi të njëjtat shina disa orë para aksidentit, tha CIAF.

Bazuar në këto informacione, “mund të propozojmë hipotezën se çarja e shinës ka ndodhur para kalimit të trenit Iryo që pësoi aksident, dhe prandaj para devijimit nga shinat”, u tha në raport.

CIAF paralajmëroi se “kjo hipotezë… duhet të verifikohet më pas përmes llogaritjeve dhe analizave të detajuara”.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, tha se ishte “qetësuese” që hetuesit kanë këtë hipotezë mbi shkakun e mundshëm të aksidentit.

“Gjetjet nuk janë përfundimtare, por ato hedhin dritë mbi teorinë që ekspertët e komisionit aktualisht e konsiderojnë më të mundshme”, u tha ai gazetarëve në Madrid.

Ai shtoi se çarja e shinës duhej të kishte qenë aq e vogël sa të mos ndërpriste energjinë elektrike që kalonte përmes saj, pasi nëse do të ishte më e thellë automatikisht do të aktivizohej sistemi i alarmit dhe ndalimin i trafikut hekurudhor.

Segmenti i hekurudhës ku ndodhi aksidenti ishte renovuar së voni, ndërkaq treni i Iryos ishte prodhuar në vitin 2022.

Gabimi njerëzor është përjashtuar si shkak i mundshëm i aksidentit, teksa trenat që u përplasën kishin qenë duke udhëtuar brenda kufirit të lejuar të shpejtësisë.

Spanja ka rrjetin më të madh në Evropë për trenat e shpejtë me mbi 3 mijë kilometra hekurudhë që lidhin qytetet e mëdha përfshirë Madridin, Barcelonën, Seviljan, Valencian dhe Malagën./REL

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme