Bota 26 Shkurt 2026, 18:58 Nga VNA

Analiza e REL/Përtej emrave: Çfarë presidenti i duhet Kosovës sot?

Ndaje në Whatsapp
Analiza e REL/Përtej emrave: Çfarë presidenti i duhet

Vjosa Osmani presidente edhe një mandat? Dikush që i shkon për shtati kryeministrit Albin Kurti? Një figurë konsensuale? Të gjitha diskutimet e mundshme po bëhen këto ditë në Kosovë se kush duhet ta marrë pozitën e presidentit për pesë vjetët e ardhshëm, por askush nuk flet përtej. Çfarë figure i duhet sot Kosovës për president? Çfarë vetish duhet t’i ketë?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Individi që e ka mbajtur pozitën e presidentit të Kosovës jo rrallëherë është konsideruar fytyra e vendit jashtë kufijve.

Përveç rolit në politikë të jashtme, përgjegjësitë dhe obligimet e personit në këtë pozitë janë shumë të qarta. Mes tjerash, presidenti i Kosovës garanton respektimin e Kushtetutës nga institucionet tjera, është komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka rol në drejtësi në emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe emëron shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Një tjetër obligim shumë i rëndësishëm: presidenti duhet të jetë simbol i unitetit në skenën politike. Visar Ymeri, drejtues i Institutit “Musine Kokalari”, beson se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila e synon edhe një mandat, nuk e ka kaluar testin në këtë drejtim.

Ymeri thotë për Radion Evropa e Lirë se Osmani nuk ka qenë figurë uniteti më 2025, në vitin e krizës institucionale në Kosovë, dhe ka anuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti disa herë, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor – siç kishte kërkuar kjo parti.

Edhe partitë opozitare e kanë kritikuar me raste presidenten për njëanshmëri.

Por, në anën tjetër, Osmani është lavdëruar për përforcim të lidhjeve me Perëndimin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleaten më të rëndësishme të vendit.

Osmanit i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars që ta votojë emrin e presidentit për mandatin e ri.

Pse LVV-ja nuk po e propozon Osmanin?

Vjosa Osmani u bë presidente më 2021, me propozim të LVV-së. Për propozimin e një kandidati në Kuvend nevojiten 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh.

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin.

Sipas Ymerit, ekzistojnë dy arsye kryesore pse LVV-ja nuk dëshiron ta propozojë Osmanin për presidente:

• Ajo nuk ka përtuar ta zëvendësojë Kurtin në marrëdhëniet me SHBA-në, kur zyrtarët amerikanë nuk kanë dashur të flasin me Kurtin. Rrjedhimisht, nuk ia garanton nivelin e besnikërisë që e kërkon kryeministri.

• Mandati i dytë nënkupton mandatin e fundit të mundshëm për Osmanin, dhe kësisoj ajo mund të jetë edhe më e pavarur në marrjen e vendimeve.

Edhe Toby Vogel, analist në Këshillin për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e huaj e konsiderojnë Osmanin më pragmatike në krahasim me Kurtin, “i cili nuk duket shumë i gatshëm për kompromise”.

Osmani, përmend ai, ka marrëdhënie të ngushta me amerikanët, të cilat Kurti nuk i ka.

“Ajo e ka shfrytëzuar këtë në maksimum. Ajo është parë në fotografi me [presidentin amerikan, Donald] Trumpin të paktën dy herë, dhe disa herë tjera me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Nuk ka shumë politikanë ashtu në gjithë botën. Mund të ketë diskutime të gjata se pse është ashtu, lobimet, prapavija dhe të gjitha këto, mirëpo simbolikisht kjo është goxha e fuqishme”.

Duke mos dashur që t’ia nënvlerësojë arritjet, Ymeri rikujton që Osmani nuk është udhëheqësja e vetme e shtetit të Kosovës që ka pasur raporte të mira me partnerët, sidomos me SHBA-në.

“Të njëjtat i ka pasur edhe [Hashim] Thaçi, edhe [Ibrahim] Rugova, edhe [Fatmir] Sejdiu, të mos flasim për Atifete Jahjagën, e cila po ashtu e ka pasur një pritje të jashtëzakonshme në SHBA. Kjo tregon që, në fakt, nuk është presidenti ai që po e përcakton këtë marrëdhënie, por është Kosova dhe interesi i Kosovës”.

Uniteti i brendshëm apo përfaqësimi i jashtëm?

Ymeri beson se mund të gjendet një person që mund t’i bëjë të dyja, prandaj partitë opozitare duhet ta bëjnë të pamundurën që zëri i tyre të dëgjohet në këtë proces.

Megjithatë, ai ka vërejtur se nuk ekziston “një matricë kriteresh dhe tiparesh të cilën po e përdorin partitë politike për ta diskutuar emrin konsensual”, pasi diskutimet janë më tepër në rrafshin e taktikave politike.

Zëvendëskryeministri i vendit, Glauk Konjufca, tha më 25 shkurt se LVV-ja nuk dëshiron ta kandidojë një figurë për ta vendosur opozitën para aktit të kryer, ndërsa beson se një konsensus automatik e siguron vetëm dikush nga familja e heroit Adem Jashari. Orë më vonë, vetë anëtarë të familjes hodhën poshtë mundësinë e përfshirjes në garë.

Për Ymerin, përmendja e familjes Jashari ditëve të fundit është bërë për arsye simbolike, dhe është përdorur sakrifica e familjes dhe respekti që kanë qytetarët për të.

“Kur po vendoset theksi te familja Jashari dhe te sakrifica, po e shmangin këtë diskutim të nevojshëm se çfarë presidenti i duhet Kosovës, sepse respekti ndaj familjes dhe sakrificës së familjes po e mbulon këtë diskutim të rëndësishëm politik”.

Kurti, deri më tani, është takuar me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por takimet, përveç kërkesës për figurë unifikuese ose një marrëveshjeje politike, nuk kanë rezultuar me diçka konkrete.

Dështimi për finalizim të këtij procesi e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, proces që organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje të shmanget. Ato kanë kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak./REL 

Video

Pamje tronditëse nga Milano. ? Tramvaji i linjës 9 shihet duke hyrë me shpejtësi në kthesë, anohet rrezikshëm dhe brenda pak sekondash del nga shinat. Përplasja me një pallat ndodh me forcë të madhe, ndërsa gjithçka është filmuar nga një makinë që ndodhej fare pranë vendit të ngjarjes. Aksidenti në qendër të qytetit la dy viktima dhe disa të plagosur. Pamjet tregojnë qartë momentin dramatik të daljes nga shinat dhe goditjen fatale.

Një spektakël i rrallë natyror është regjistruar në zonën e Karaburun-Sazan, ku është vërejtur sërish prania e fokës së rrallë të Mesdheut. Sipas specialistëve të mjedisit, kjo specie konsiderohet shumë e rrallë për ujërat shqiptare, ndërsa shfaqja e saj vlerësohet si një tregues pozitiv për biodiversitetin detar në zonë.

Kur gënjen duhet ta bësh po kaq mirë sa Evis Sala…

Punonjës të Urgjencës në Spitali Universitar “Nënë Tereza” kanë ngritur shqetësimin për bllokimin e hyrjes së godinës së urgjencës, duke e cilësuar këtë situatë si një pengesë serioze për mbarëvajtjen e punës së përditshme. Sipas tyre, mbyllja e hyrjes ka ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjen e shpejtë dhe efikase të stafit mjekësor. Ata shprehen se janë të detyruar të përdorin hyrje alternative, duke lëvizur rreth e rrotull ambienteve të spitalit ose duke hyrë nga kati -1, çka rrit rrezikun për vonesa në ndërhyrjet emergjente dhe në dhënien e ndihmës për pacientët në gjendje kritike. Shqetësime kanë ngritur edhe pacientë dhe familjarë, të cilët e konsiderojnë të pajustifikuar bllokimin e hyrjes së urgjencës. Sipas tyre, ky ndryshim po krijon vështirësi të mëdha, sidomos për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, për të cilët çdo metër shtesë në kushte urgjence përbën rrezik.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme