Bota 11 March 2026, 19:48 Nga VNA

Alarm në FBI: serveri me dosjet e Epstein u komprometua nga një haker

Ndaje në Whatsapp
Alarm në FBI: serveri me dosjet e Epstein u komprometua nga një haker

Një haker i huaj ka depërtuar në dosje që lidhen me hetimin e FBI-së për financieri dhe abuzuesin seksual Jeffrey Epstein gjatë një ndërhyrjeje kibernetike në zyrën e FBI-së në Nju Jork tre vite më parë. Lajmi bëhet i ditur nga dokumente të Departamentit amerikan të Drejtësisë të shqyrtuara nga Reuters dhe nga një burim i njohur me çështjen.

Sipas raportimit, një server në Zyrën e FBI-së në Nju Jork u komprometua në vitin 2023 dhe hakeri ka aksesuar disa prej materialeve që lidhen me hetimin ndaj Epstein. Kjo është hera e parë që raportohen detaje mbi autorin e dyshuar të ndërhyrjes dhe lidhjen me dosjet e këtij rasti.

Në një reagim zyrtar, FBI tha se bëhej fjalë për një “incident kibernetik të izoluar”, duke shtuar se agjencia bllokoi aksesin e personit që kishte depërtuar dhe riparoi rrjetin. Hetimi për ngjarjen, sipas FBI-së, vazhdon.

Burimi i Reuters tha se ndërhyrja duket se është kryer nga një kriminel kibernetik dhe jo nga një qeveri e huaj, megjithatë ekspertët theksojnë se dosjet e Epstein kanë një vlerë të madhe për shërbimet e inteligjencës.

“Kush nuk do të përpiqej të merrte dosjet e Epstein nëse do të ishte Rusia apo ndonjë aktor tjetër i interesuar për kompromate?” tha Jon Lindsay, studiues i sigurisë globale në Institutin e Teknologjisë në Georgia.

Ndërhyrja ndodhi më 12 shkurt 2023, pasi një server në laboratorin e analizës digjitale të FBI-së për shfrytëzimin e fëmijëve në Nju Jork mbeti pa mbrojtjen e duhur për shkak të një gabimi procedural nga një agjent, sipas dokumenteve.

Ajo u zbulua një ditë më vonë, kur në kompjuter u shfaq një mesazh paralajmërues se rrjeti ishte komprometuar. Hetimi më pas gjeti gjurmë aktiviteti të pazakontë në server, përfshirë kërkime në disa nga dosjet që lidhen me hetimin për Epstein.

Jeffrey Epstein, një financier amerikan me lidhje të shumta në politikë dhe biznes, u deklarua fajtor në vitin 2008 për akuza prostitucioni që përfshinin një të mitur. Ai u arrestua sërish në vitin 2019 për trafikim seksual të të miturve dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij në burg, në një rast që autoritetet e shpallën vetëvrasje.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme