Sociale 5 June 2026, 19:53 Nga VNA

Biznesmeni i lidhur me projektin e Zvërnecit fiton koncesionin Milot-Balldren

Ndaje në Whatsapp

fghnghghnhng.jpg

Kompania "InfraKonsult" e Redi Strugës, një prej personave të lidhur me planet për ndërtim në zonën e Zvërnecit, është pjesë e një konsorciumi kompanish që fitoi koncesionin me vlerë rreth 364 milionë euro për 17 kilometrat e rrugës Milot-Balldren.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi të premten përfundimin e procedurave dhe shpalljen e kompanisë fituese për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Ministria i konfirmoi BIRN-it zyrtarisht se fitues ishte bashkimi i kompanive “Salillari” sh.p.k., “ALB TIEFBAU” sh.p.k., “InfraKonsult” sh.p.k. dhe “ERALD-G” sh.p.k.

Njoftimi për shpalljen e fituesit të koncesionit prej 364 milionë eurosh u bë të premten nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, por në fjalën e tij ministri nuk i përmendi kompanitë fituese. BIRN i mësoi emrat pas pyetjeve të drejtuara ministrit dhe komunikimit me zyrën e shtypit të ministrisë.

Sipas këtij njoftimi, përpos kompanisë “Salillari” dhe dy kompanive të tjera, pjesë e bashkimit të operatorëve është edhe “InfraKonsult”, në pronësi të Redi Strugës. Ky i fundit është një prej emrave të lidhur me planet për zhvillimin e një resorti turistik në Zvërnec, të lidhur me Jared Kushner-in dhe dy vëllezër nga Katari.

Struga, siç zbuloi BIRN në një investigim, bleu përmes kompanisë “South Adriatic Development” 1.2 milionë metra katrorë prona në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe themeloi kompaninë “Albania Land Development”, e cila zotërohet nga dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe që rezulton më pas blerëse e tokave.

Në një prononcim publik, ministri Karakaçi e cilësoi këtë segment si një aks mjaft të rëndësishëm të Korridorit Adriatiko-Jonian. Ai pranoi vështirësitë e procesit, duke u shprehur se procedura nuk ka qenë e lehtë për shkak të tentativave të mëparshme të pasuksesshme.

Historiku i koncesionit të rrugës Milot-Balldren është i mbushur me procedura të anuluara. Projekti për segmentin prej 17 kilometrash u dha fillimisht pas një propozimi të pakërkuar në vitin 2018, me një kosto të përllogaritur në afro 32 miliardë lekë (rreth 364 milionë euro) përgjatë 35 viteve. Ky koncesion është kritikuar vazhdimisht si nga opozita, ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtarë si FMN-ja dhe Banka Botërore, të cilat kanë theksuar se këto lloj kontratash zhvillohen pa garë të mirëfilltë, mbartin rreziqe të larta për financat publike dhe nuk ofrojnë vlerë për të justifikuar kostot./BIRN/

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme