Ka përfunduar zyrtarisht sezoni 2025/26 në Serie A, me skuadrat italiane që tashmë kanë mësuar fatin e tyre për garat evropiane të edicionit të ardhshëm.
Interi është shpallur kampion i Italisë, ndërsa një vend në Ligën e Kampionëve kanë siguruar edhe Napoli, Roma dhe Como. Në anën tjetër, Milan dhe Juventus do të garojnë në Ligën e Evropës, kurse Atalanta do të marrë pjesë në Ligën e Konferencës.
Pas mbylljes së kampionatit, Sofascore ka publikuar formacionin më të mirë të sezonit në elitën e futbollit italian, ku pjesë e tij është edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
Mbrojtësi kosovar zhvilloi një sezon shumë të mirë me Napolin, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Paraqitjet e tij të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit janë vlerësuar me notën mesatare 7.23.
Në portë është përzgjedhur Marco Carnesecchi i Atalantës, ndërsa në repartin defensiv, përkrah Rrahmanit, janë përfshirë Alexis Saelemaekers i Milanit dhe dy futbollistët e Interit, Alessandro Bastoni dhe Federico Dimarco.
Mesfusha e formacionit dominohet nga emra të njohur si Luka Modric, Manuel Locatelli dhe Nicolo Fagioli. Ndërkohë, në repartin ofensiv vendin e kanë zënë Lautaro Martinez dhe dy talentët e mëdhenj të sezonit, Kenan Yildiz dhe Nico Paz.






















