Massimiliano Allegri po shihet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Napoli, ndërsa e ardhmja e Antonio Conte te skuadra napolitane duket drejt fundit.
Sipas mediave italiane, Conte ka dhënë sinjale të forta se do të largohet në fund të sezonit. Madje, “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore të Napolit është organizuar edhe një barbecue, i interpretuar si një lloj ceremonie lamtumire për trajnerin.
Edhe pse Maurizio Sarri vazhdon të mbetet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, kontaktet me Allegrin janë shtuar ndjeshëm. Dy palët kishin diskutuar edhe verën e kaluar, para se Conte të vendoste të qëndronte.
Sipas “Corriere della Sera”, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka dërguar drejtorin sportiv Giovanni Manna në Milano për të zhvilluar një takim me Allegrin. Raportohet se gjatë ditëve të fundit është organizuar edhe një darkë mes tyre për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.
Manna dhe Allegri njihen prej kohës kur punonin bashkë te Juventusi, ndërsa oferta e Napolit mendohet të jetë një kontratë dyvjeçare, e ngjashme me atë të propozuar verën e kaluar.
Nga ana tjetër, Milani vazhdon të jetë i interesuar për Allegrin, por trajneri kërkon garanci të forta në merkato përpara se të marrë një vendim përfundimtar. Sipas raportimeve, ai nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimović dhe Giorgio Furlani do të vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë sportive të klubit.






















