
Vetëm 11 ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, është miratuar një ndryshim i rëndësishëm në Protokollin VAR, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si arbitrat do të gjykojnë situatat e krijuara nga goditjet standarde.
Vendimi është marrë nga IFAB (International Football Association Board – Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit), institucioni i pavarur që harton dhe ndryshon rregullat e lojës së futbollit në mbarë botën. IFAB përbëhet nga katër federatat britanike të futbollit (Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut) si dhe FIFA, e cila zotëron katër vota. Asnjë ndryshim në rregullat e futbollit nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin e këtij organi.
Sipas sqarimit të ri të publikuar nga IFAB, VAR-i do të ketë të drejtë të ndërhyjë edhe në rastet kur një lojtar i skuadrës sulmuese kryen një shkelje përpara se topi të vihet në lojë nga një goditje nga këndi ose një goditje dënimi, nëse ajo shkelje ndikon drejtpërdrejt në një gol, një penallti ose një masë disiplinore.
Deri më tani, këto situata shpesh mbeteshin jashtë mundësive të ndërhyrjes së VAR-it, pasi konsideroheshin veprime të ndodhura para rifillimit të lojës. Me ndryshimin e ri, nëse VAR-i konstaton një shkelje të tillë, ai mund ta ftojë arbitrin për një rishikim në monitorin pranë fushës.
Nëse arbitri arrin në përfundimin se shkelja ka ndodhur para se topi të vihej në lojë, atëherë do të merret masa disiplinore përkatëse dhe goditja nga këndi ose goditja e dënimit do të përsëritet.
Ndryshimi synon kryesisht të godasë praktika që janë bërë të zakonshme në futbollin modern, si bllokimet e parregullta ndaj portierëve apo mbrojtësve gjatë goditjeve standarde. Në shumë raste, këto veprime kanë krijuar hapësira për shënimin e golave, pa u ndëshkuar nga arbitrat.
Sqarimi i ri hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet edhe në Botërorin 2026, duke përfaqësuar një nga ndryshimet më të rëndësishme të protokollit VAR në prag të turneut më të madh të futbollit në botë.






















