Me formatin e ri prej 48 kombëtaresh, Kupa e Botës 2026 pritet të sjellë më shumë ndeshje dhe emocione se kurrë më parë. Sipas “Flashscore”, disa përballje të fazës së grupeve spikasin si duelet më tërheqëse të turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në vendin e parë renditet sfida Angli-Kroaci, një përballje me histori dhe rivalitet, ku të dyja skuadrat synojnë kreun e grupit. Menjëherë pas saj vjen dueli Francë-Norvegji, ku yjet francezë do të sfidohen nga forca sulmuese e norvegjezëve të udhëhequr nga Erling Haaland.
Në podiumin e ndeshjeve më interesante është edhe përballja Gjermani-Bregu i Fildishtë, me gjermanët që kërkojnë të lënë pas zhgënjimet e dy Botërorëve të fundit, ndërsa afrikanët synojnë të surprizojnë.
Mes dueleve që pritet të tërheqin vëmendje janë edhe Kolumbi-Portugali, Francë-Senegal dhe Brazil-Marok. Veçanërisht sfida mes brazilianëve dhe marokenëve konsiderohet një test serioz për “Seleçaon” përballë një kundërshtari të organizuar dhe të rrezikshëm në kundërsulme.
Lista plotësohet nga ndeshjet Uruguai-Spanjë, Argjentinë-Austri, Gana-Kroaci dhe Turqi-Shtetet e Bashkuara, të cilat premtojnë përplasje interesante stilesh dhe emocione që në fazën e parë të kompeticionit.
Botërori 2026 do të jetë edicioni më i madh në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje, duke sjellë një spektakël futbollistik që pritet të zgjasë më shumë se çdo turne i mëparshëm.






















