Sociale 16 March 2026, 11:34 Nga VNA

Shërbimet online, por administrata publike arrin në 185.4 mijë punonjës, rekordi i 23 viteve

Ndaje në Whatsapp

Shërbimet online, por administrata publike arrin në 185.4 mijë

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar numri i punonjësve në sektorin shtetëror u zgjerua më tej duke arritur në 186,581 persona, teksa numri mesatar për të gjithë vitin 2025 ishte 185,386  punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT në krahasim me vitin 2024 administrata publike u zgjerua me rreth 3 mijë punonjës ose me 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë në që nga viti 2002.

Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë. Vitin e kaluar, 23 vite më pas popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë, një tkurrje që reflekton plagët e emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend rënës apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve qindra miliona eurosh në platforma digjitale, numri i punonjësve në administratë ka shënuar rritje të shpejtë sidomos pas vitit 2018.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë. Që nga 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 76 për qind.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, për shkak se shumë shërbime tashmë mund të merren vetëm online. 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, në krahasim me 72% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore këtë vit.

Kalimi i shërbimeve online duhet të kishte sjellë një administratë më të vogël, por shifrat dëshmojnë se për çdo qytetar që largohet nga vendi, barra e administratës mbi ata që mbeten bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në vitin 2003, kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti, ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të ngushtohet në më pak se 13 banorë për një punonjës, duke e kthyer sektorin publik në një strukturë të fryrë që nuk i përgjigjet realitetit të ri demografik dhe as modernizimit të paguar shtrenjtë nga taksapaguesit./Monitor.al/

Video

Grumbullimi i të rinjve dhe studentëve ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit, me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kësaj proteste pritet t'i bashkohen edhe përfaqësues e mbështetës të PD, të cilët e kanë nisur nga Kryeministria. Situata paraqitet aktualisht e qetë dhe pa incidente. Forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke përfshirë edhe praninë e autobotave për mbarëvajtjen e rendit publik.

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme