Sociale 20 January 2026, 13:48 Nga VNA

Shefi i Reanimacionit: Ndërprerja e energjisë në terapi intensive nuk është normale dhe rrezikon jetën e pacientëve

Ndaje në Whatsapp
Shefi i Reanimacionit: Ndërprerja e energjisë në terapi intensive

Shefi i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, Krenar Lilaj, ka reaguar mbi situatën e krijuar mbrëmjen e djeshme në spital pas shkëputjes së energjisë elektrike, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj kushteve në të cilat funksionojnë shërbimet më jetike.

Duke iu referuar humbjes së jetës së një të dënuari që po trajtohej në njësinë e terapisë intensive, Lilaj sqaroi se gjendja e pacientit ka qenë shumë e rëndë që në momentin e shtrimit.
“Gjendja e tij ishte mjaft e rëndë, jo vetëm natën e mbrëmshme, por ishte e rëndë që në ardhje, që ditën që është shtruar, për t’iu nënshtruar një interventi kirurgjikal”, u shpreh ai.

Sipas Lilajt, pacienti është ndarë nga jeta në orën 04:13 të mëngjesit, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike ishte rikthyer rreth orës 21:40–21:45 të mbrëmjes së mëparshme. Ai theksoi se gjendja e rëndë shëndetësore është e dokumentuar në kartelën klinike: pacienti vuante nga ceroza hepatike dhe kishte pësuar një hemorragji masive intraabdominale, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht.

Por deklaratat e Lilajt nxjerrin në pah edhe një problem serioz strukturor. Ai pranoi se pajisjet rezervë të energjisë kanë kapacitet të kufizuar dhe se konsumi rritet ndjeshëm kur në terapi intensive trajtohen disa pacientë njëkohësisht.
“Në kushtet kur ke 9 të sëmurë, vendimi që morëm për transferimin e tyre ishte pikërisht për të shmangur rënien e njëkohshme të funksionimit të këtyre pajisjeve, që do të shkaktonte probleme serioze për pacientët dhe transportin e tyre”, tha Lilaj.

Sipas tij, pajisjet “back up” sigurojnë furnizim me energji për aparaturat mjekësore vetëm për rreth 5–6 orë, një kufi që, në raste emergjente, e bën situatën tejet të rrezikshme.

Më i drejtpërdrejtë ishte qëndrimi i tij për vetë fenomenin e ndërprerjes së energjisë në terapi intensive:
“Si mund të them që është normale ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive? Detyra ime si mjek është të mbroj jetën e të sëmurëve. Detyra ime dhe e stafit që unë drejtoj.”

Në thelb, reagimi i Lilajt shkon përtej një rasti të vetëm dhe ngre një alarm të qartë: terapia intensive nuk mund të funksionojë me ndërprerje energjie dhe rezerva të kufizuara, sepse çdo minutë pa siguri të plotë teknike përbën rrezik real për jetën e pacientëve.

Video

Në ditën e 20-të, studentët janë mbledhur në protestë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sot shënohen dy vite nga tragjedia e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad të Serbisë, ku shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor u mori jetën 16 personave. Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarë të shumtë u mblodhën sot në vendin e tragjedisë, ku vendosën lule dhe ndezën qirinj në kujtim të viktimave. Ngjarja shkaktoi protesta masive kundër qeverisë serbe. Edhe dy vite më pas, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, hetim të plotë të tragjedisë dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme