Sociale 15 May 2026, 15:52 Nga VNA

Rritja e çmimit të karburantit dhe qiratë goditën familjet shqiptare

Ndaje në Whatsapp

Rritja e çmimit të karburantit dhe qiratë goditën familjet

Shpenzimet për familjet shqiptare janë rritur në muajt e parë të vitit 2026, të nxitura kryesisht nga rritja e qirave, karburanteve dhe kostove të jetesës. Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, inflacioni mesatar vjetor arriti në 2.5% në tremujorin e parë të vitit, nga 2.2% që ishte në fund të vitit 2025.

Rritja e çmimeve është ndjerë më fort te strehimi dhe transporti, ndërsa konfliktet në Lindjen e Mesme dhe shtrenjtimi i naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shtuar presionin mbi ekonominë shqiptare.

Qiratë, kostoja që rëndoi më shumë familjet

Kategoria që dha ndikimin më të madh në rritjen e kostos së jetesës ishte strehimi dhe qiratë.

Rritja e çmimit të qirave arriti në 7.5% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, nga 7.1% në fund të vitit të kaluar, duke kontribuar me 1 pikë përqindje në inflacionin total.

Në muajt janar dhe shkurt, rritja e qirave arriti deri në 7.7%, niveli më i lartë historik i regjistruar deri tani. Sipas raportit, vetëm ushqimet dhe qiratë përbënin rreth 70% të gjithë inflacionit në vend, duke treguar se kostot bazë të jetesës vazhdojnë të rëndojnë më shumë familjet shqiptare.

Karburantet u shtrenjtuan me 17%

Goditja tjetër më e fortë erdhi nga karburantet. Në muajin mars, çmimet e karburanteve në Shqipëri u rritën ndjeshëm, duke regjistruar një inflacion prej 17%, krahasuar me vetëm 0.1% në janar dhe shkurt. Rritja lidhet drejtpërdrejt me tensionet në Lindjen e Mesme dhe shtrenjtimin e naftës në tregjet globale.

Karburantet kontribuan me 0.5 pikë përqindje në inflacionin e muajit mars, duke ndikuar drejtpërdrejt te kostot e transportit dhe indirekt te çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Ushqimet vijojnë të mbeten të shtrenjta

Edhe ushqimet mbetën një ndër faktorët kryesorë të rritjes së kostos së jetesës. Ushqimet e përpunuara kontribuan me 0.5 pikë përqindje në inflacion; Produktet e qumështit, djathi dhe vezët mbetën ndër artikujt me ndikimin më të lartë; Mishi vijoi të mbetet në nivele të larta çmimesh; Edhe vajrat dhe yndyrat shënuan rritje të vazhdueshme.

Ndërkohë, çmimet e frutave dhe perimeve patën një stabilizim relativ gjatë muajit mars, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist.

Paga më të larta, por kostot vijojnë të rriten

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare vijon të ketë kërkesë të lartë dhe papunësi në nivele minimale historike, me normën e papunësisë në 8.3%. Pagat në sektorin privat u rritën me 5.1%, por ritmi i rritjes së kostove të jetesës, sidomos për strehimin dhe shpenzimet bazë, vijon të ushtrojë presion mbi buxhetet familjare.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të vijojë të rritet gradualisht drejt objektivit 3% gjatë vitit 2026, ndërsa paralajmëron se tensionet gjeopolitike dhe çmimet e naftës mbeten rreziku kryesor për shtrenjtimin e mëtejshëm të jetesës. /ekofin.al

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme