Sociale 4 October 2025, 07:53 Nga VNA

Raporti i OBSH: Vendi, para një alarmi shëndetësor! Rreth 800 mijë shqiptarë vuajnë nga hipertensioni, konsumojnë shumë kripë

Ndaje në Whatsapp
Raporti i OBSH: Vendi, para një alarmi shëndetësor! Rreth 800

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe sidomos hipertensioni e kanë prekur popullatën shqiptare në mënyrë shqetësuese, sipas raportit global të OBSH që u publikua së fundmi.

Të dhënat tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%.

Nga mbi 797 mijë persona të prekur, vetëm 49% janë të diagnostikuar, 38% marrin trajtim dhe vetëm 11% e mbajnë nën kontroll gjendjen. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me përqindjen më të ulët të kontrollit në rajon, shumë larg objektivit global prej 50%.

Trendet historike tregojnë një rritje të vazhdueshme të rasteve të diagnostikuara, por hendeku mes pacientëve që trajtohen dhe atyre që e menaxhojnë mbetet i madh.

Në vitin 2022, sëmundjet kardiovaskulare përbënin gati gjysmën e të gjitha vdekjeve në vend, ndërsa 59 raste për 100 mijë banorë lidhen drejtpërdrejt me presionin e lartë të gjakut.

Megjithëse vendi ynë ka një strategji kombëtare për sëmundjet që lidhen me tensionin dhe ato kardiovaskulare, zbatimi praktik mbetet i dobët.

Sipas OBSH, faktori kryesor i rrezikut për hipertensionin është konsumi i lartë i kripës. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë në ditë, sipas të dhënave për të rriturit mbi 25 vjeç. Ky nivel është më shumë se dyfishi i rekomandimit të OBSH-së (5 gramë në ditë). Teprica lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe është një nga arsyet kryesore pse kjo sëmundje është kaq e përhapur në vend.

Shqipëria ka bërë studime kombëtare për përdorimin e kripës, por mungon ende një sistem i plotë të dhënash klinike që ndihmon në ndjekjen e pacientëve dhe në matjen e rezultateve për ata që e ulin.

OBSH vë në dukje se, për të ulur barrën e hipertensionit, vendi duhet të forcojë kujdesin parësor, të zgjerojë fushatat e ndërgjegjësimit dhe të përmirësojë aksesin në trajtim efektiv.

Shqipëria është para një alarmi shëndetësor me 47% të popullsisë së rritur që vuajnë nga hipertensioni, kur dihet se është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë në vend.

Përveç konsumit të kripës, rreth 26% e të rriturve mbi 15 vjeç në Shqipëri janë duhanpirës aktivë. Ky nivel është i lartë në krahasim me shumë vende të tjera evropiane. Duhan-pirja jo vetëm rrit rrezikun për hipertension, por edhe shumëfishon ndikimin e tij, duke përshpejtuar dëmtimet kardiovaskulare dhe duke rritur mundësinë për infarkt e goditje në tru.

Konsumi i alkoolit dhe inaktiviteti fizik janë faktorë rreziku gjithashtu. Rreth 24% e të rriturve mbi 18 vjeç raportohen si fizikisht joaktivë. Mungesa e lëvizjes lidhet me shtim peshe, obezitet dhe metabolizëm të dobët, faktorë që çojnë në rritjen e presionit të gjakut./ Monitor

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme