Sociale 25 November 2025, 19:10 Nga VNA

Qeveria planifikon 10 milionë euro për fushat e mbetjeve në Elbasan dhe Fier

Ndaje në Whatsapp
Qeveria planifikon 10 milionë euro për fushat e mbetjeve në

Transferta e pakushtëzuar e qeverisë e dedikuar për bashkitë në buxhetin e ri për vitin 2026 do të përdoret sipas Ministrisë së Mjedisit për mbylljen e venddepozitimeve të mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, të cilët janë jashtë funksionit.

Në fillim të korrikut, landfilli i mbetjeve që duhej të përpunoheshin në inceneratorin jofunksional të Elbasanit u përfshi nga flakët. Ky nuk ishte një incident i veçuar, por një ngjarje e përsëritur për të disatin vit radhazi, ndërsa drejtuesit e kompanisë publike që menaxhon landfillin fajësuan mbushjen tej kapaciteteve dhe temperaturat e larta.

Pasi shpenzoi miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve që nuk funksionojnë, qeveria ka vendosur që të shpenzojë sërish para të tjera për të mbyllur venddepozitimet e mbetjeve në Elbasan dhe në Fier.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, pranoi të martën në Kuvend se një transfertë e pakushtëzuar e qeverisë, e dedikuar për njësitë e vetqeverisjes vendore do të shkojë në fakt për mbylljen e fushave të mbetjeve në Elbasan dhe Fier, ku një tjetër incenerator i ndërtuar me paratë publike nuk është funksional.

“Në këtë kuadër është evidentuar nevoja për rishikim në shpërndarjen e fondeve në qarkun Fier dhe Elbasan për shkak të mbylljes së venddepozitimeve ekzistuese dhe mungesës së kapaciteve përpunuese me qëllim menaxhim e qëndrueshëm dhe të barabartë territorial,” tha Xhumari duke folur para Komisionit parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Fondi të cilit iu referua zv.ministrja është 1 miliardë lekë, që në buxhetin e ri janë të dedikuara si transfertë e pakushtëzuar për të gjitha bashkitë “për menaxhimin e mbetjeve urbane”. Opozita shprehu shqetësim për rialokimin e këtyre fondeve pa një strategji të qartë për vendosjen në punë të inceneratorëve, ku janë hedhur tashmë miliona euro.

“Pse nuk vini në punë inceneratorët, por harxhoni 1 miliardë lekë për mbylljen e impianteve të mbetjeve,” e pyeti deputeti i PD-së, njëkohësisht nënkryetar i këtij komisioni, Blendi Himçi, i cili nënvizoi se inceneratori i Elbasanit kishte punuar vetëm disa ditë që nga ndërtimi i tij, ndërsa ai i Fierit nuk ishte vendosur asnjëherë në funksion.

Xhumari nuk iu përgjigj pyetjes në mënyrë të qartë, por tha se “është bërë një vlerësim dhe për vitin 2026 është parashikuar që të hartohen planet për të dy venddepozitimet e mbetjeve”.

Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro, ndërsa ai i Fierit rreth 32 milionë euro, ndërsa të dy objektet sot ndodhen nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas zbulimit të një afere korruptive në dhënien e kontratave koncensionare për ndërtimin e tyre.

Bashkia e Elbasanit pranoi krizën e menaxhimit të mbetjeve, dhe në gusht të këtij viti, kërkoi sërish ndihmën e qeverisë për të ndërtuar një landfill të ri ose për të zgjeruar venddepozitimin ekzistues.

Incenerimi u mbrojt fort nga kryeministri Edi Rama si një zgjidhje përfundimtare e problemit me plehrat duke dhënë në një hark kohor të pak viteve 3 kontrata koncensionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Të tre këto objekte janë sot nën sekuestro shtetërore me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), hetimet e së cilës kanë çuar para drejtësisë një dyzinë zyrtarësh shtetërorë me akuzat e korrupsionit, pastrim të parave dhe shpërdorimit të detyrës.

Pasi shpenzoi një dekadë duke investuar qindra-milionë euro për inceneratorët, qeveria shpalli një reformë të re për menaxhimin e mbetejeve duke iu rikthyer hirearkisë së menaxhimit të mbetjeve me prioritet ndarjen në burim, ripërdorimin, riciklimin dhe kompostimin.

Në këtë frymë u miratua në Kuvend një nismë ligjore që parashikon kthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, në një shoqëri aksionere përgjegjëse për menaxhimin fundor të mbetjeve në të gjithë Republikën dhe vendosjen e bashkive në pozitat e klientëve të kësaj shoqërie për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.

Dispozitat ligjore të ligjit të ri i mëshojnë parimit “ndotësi paguan” duke nënkuptuar rritje të tarifave dhe kostove për menaxhimin e mbetjeve, por pa arritur të ofrojnë një faturë transparente financiare se sa realisht do t’u kushtojë taksapaguesve zbatimi i tyre./Reporter.al

 

 

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme