Sociale 17 November 2025, 14:27 Nga VNA

Promemorie – 17 Nëntori, jo një festë, por një kujtesë e zezë për Tironën

Ndaje në Whatsapp
Promemorie – 17 Nëntori, jo një festë, por një

Sot është 17 Nëntori, data që regjimi komunist e shëndërroi me dhunë në “ditën e çlirimit të Tiranës”. Po tironsit e vërtetë e dinin qysh prej ditës së parë se kjo datë nuk kishte asgjë për t’u festuar. Sepse ajo ditë nuk solli liri, por solli terr. Nuk solli çlirim, por pushtim nga brenda. Nuk solli paqe, por ngjizi atë linjën kriminale që për 50 vjet shkatërroi njerëz, familje, lagje, histori, kulturë – dhe vetë shpirtin e Tironës.

Dhe ironia më e hidhur është se, 74 vjet më pas, Tirona sot është sërish nën të njëjtën frymë, vetëm se instrumentet kanë ndryshuar: atëherë ishin çetat, sot janë oligarkët; atëherë ishin listat e pushkatimeve, sot janë listat e gropave të ndërtimit; atëherë rrënoheshin xhamitë, sot zhduken rrugicat, oborret, shtëpitë karakteristike; atëherë ngrihej “grushti lart”, sot ngrihen kullat – kullat e pasardhësve politikë, ekonomikë dhe kulturorë të atij mentaliteti.

Tirona e moçme, ajo që u gdhi e përgjakur në 17 Nëntor, nuk ekziston më. E kanë rrëzuar copa-copa, deri sa e zhdukën thuasje totalisht. Sot është “Tirana” – më e bardhë në emër, por më e zezë në kujtesë.

Dhe po ta shkosh në thelb, arsyeja është një: kur nuk përballesh me të shkuarën, ajo vjen e të merr peng të tashmen.

Ashtu siç tregojnë dokumentet e kohës, hyrja e çetave në Tironë nuk ishte çlirim por masakër. Në letrën famëkeqe dërguar Enver Hoxhës, Gogo Nushi pranonte qetë e pa turp:

“Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 vetë… numri mund të ketë kaluar 100… asnjëri prej tyre nuk e meritonte këtë dënim.”

Dhe sot përkujtohet një datë ku qyteti u mbulua me terror — ndërsa regjimi që hyri më 17 nëntor i shndërroi rrugët e Tironës në një hartë ku për çdo familje kishte një plagë: të pushkatuar, të burgosur, të internuar, të zhdukur.

Dhe ndërsa pushteti tund flamuj, qyteti real po mbytet nën beton. Tirona e vjetër – ajo me bohemen, mëhallën, pazarin, humorin dhe sqimën e saj – është shndërruar në një Manhattan të lodhur dhe të shpifur, me kullat e një klike që e quan veten moderne, por që në thelb funksionon si një kopje e rafinuar e komisarëve të dikurshëm.

Tirona nuk është më qyteti me lezet dhe krypë por zgjatim i pasardhësve politikë të atyre që e dogjën, e masakruan dhe e flijuan më 17 nëntor.

Prandaj sot nuk festohet. Sot kujtohet.

Sepse një qytet që nuk njeh ditën kur vrau veten, nuk ka si të shpëtojë prej atyre që vazhdojnë vrasjen e tij çdo ditë – me leje ndërtimi, me zhdukje lagjesh, me beton, me kulla e që po zëvendësojnë çdo gjurmë të asaj Tirone që dikur kishte shpirt.

Dhe pikërisht për këtë arsye, 17 nëntori duhet fshirë nga kalendari i Tironës tonë!

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme