Sociale 21 March 2026, 16:16 Nga VNA

Paralajmërimi i ekspertëve: Prodhimi vendas nuk e amortizon dot rritjen e çmimeve

Ndaje në Whatsapp
Paralajmërimi i ekspertëve: Prodhimi vendas nuk e amortizon dot

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se prodhimi vendas, për shkak të dobësive, del me kosto të lartë dhe ka rënie kërkese, dhe si rrjedhojë, nuk do të arrijë të amortizojë rritjen e çmimeve që po vjen nga tregjet ndërkombëtare.

Alban Zusi, ekspert ekonomie, thotë se prodhimi vendas rrezikon të përballet me një goditje të dyfishtë: nga shtrenjtimi i produkteve të importuara dhe nga politikat mbrojtëse që po ndërmarrin vendet europiane për prodhimin e tyre.

Në mungesë të masave mbështetëse për sektorin vendas, sipas Alban Zusit, rritja e kostove të energjisë, karburanteve dhe inputeve bujqësore pritet të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet e produkteve ushqimore dhe në konkurrueshmërinë e prodhuesve shqiptarë.

“Goditja jonë do të jetë e dyfishtë. Së pari, goditja nga shtrenjtimi i çmimeve në tregjet e huaja dhe goditja nga politikat mbrojtëse që do të ndërmarrë Europa, ndërkohë që qeveria jonë nuk po e bën një gjë të tillë.

Do të kemi kosto më të larta të energjisë, karburanteve dhe gazit nga shtrenjtimi i tyre në tregjet e huaja, si dhe nga rritja e çmimit të hekurit.

Kjo rritje do të reflektohet në çmimet e produkteve ushqimore, pasi prodhimi do të vijojë të shfaqë dobësitë e veta, sepse tashmë është i dobësuar. Nëse do ta lëmë pa mbështetje në këtë situatë, ndërkohë që Europa po mendon të nxjerrë rezervat e naftës dhe të ulë taksimin e gazit, prodhimi ynë do të jetë dy herë i ekspozuar: një herë ndaj rritjes së çmimeve dhe një herë ndaj mungesës së konkurrueshmërisë, për shkak të subvencioneve që po japin shtetet europiane.

Kësaj i shtohet edhe zhvlerësimi i lartë i Euros. Do të hyjnë më shumë mallra ushqimorë nga importet, por përfitimet nga rritja e çmimeve, do t’i marrë hallka e mesme e zinxhirit të tregtimit, supermarketet, pikat e shumicës etj. Ato do të marrin produkte gjithmonë e më të lira, do të lënë produktin vendas dhe nuk do të reflektojnë uljen të çmimeve të pakicës, pavarësisht një monedhe europiane prej një kohe të gjatë të dobësuar.

Dhe ky nuk është hamendësim, është fakt. Monedha Euro është zhvlerësuar me 30–40%, dhe pavarësisht kësaj, nuk ka pasur rënie të çmimeve për produktet ushqimore, për shkak të arsyeve që përmenda më lart. Ndërsa mallrat e importit mbeten më tërheqëse për shkak të fitimeve më të larta”, thotë z. Zusi.

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, thekson se një nga pengesat kryesore për prodhimin vendas në përpjekjen për të amortizuar rritjen e çmimeve është edhe periudha ciklike e prodhimit.

“Nëse flasim për mallrat dhe shërbimet, ky është një proces i ndërlikuar, pasi amortizimi i inflacionit të importuar është i vështirë, si nga rritja e çmimeve dhe, edhe nga rritja e kostove të transportit. Kjo ndodh, së pari, sepse produktet kryesore kanë ciklet e tyre të prodhimit. Së dyti, dhe më kryesorja, ne kemi një deficit shumë të lartë tregtar”.

Çfarë masash duhen marrë

Ekspertët e ekonomisë theksojnë njëzëri se Shqipëria është ende i vetmi vend pa një paketë të mirëfilltë antikrizë. Arben Malaj analizon se pothuajse të gjitha vendet përdorin tre kolona kryesore në paketat e tyre kundër krizës: politikat monetare, politikat fiskale dhe masat administrative.

Ashtu si edhe në krizat e mëparshme, siç ishte ajo e vitit 2022, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë, qeveria pothuajse u mbështet vetëm te masat administrative.

Z. Malaj thotë se këto masa shpesh krijojnë hapësirë për korrupsion dhe në fund dëmtojnë konsumatorët fundorë, në vend që të adresojnë në mënyrë të qëndrueshme shkaqet e krizës.

“Masat për prodhimin vendas nuk merren kur ndodh goditja. Ato duhet të jenë të përhershme, përmes harmonizimit midis politikave monetare, fiskale dhe administrative, për të reduktuar deficitet tregtare të mallrave dhe të shërbimeve, duke rritur mbështetjen buxhetore për modernizimin e sektorëve të prodhimit dhe agropërpunimit, si dhe përmes masave kundërciklike ndaj krizave të inflacionit të importuar.

Po të shikoni shembujt ndërkombëtarë, paketat antikrizë nuk kanë në themel të tyre ekipet e monitorimit të tregut, por masa lehtësuese dhe mbështetëse. Çdo paketë amortizuese ndaj goditjeve fillon nga paketat sociale për shtresat lehtësisht të goditshme; në rastin tonë, të ardhurat e shtresave të varfra që përdoren vetëm për kërkesat e ngutshme ushqimore zënë rreth 60% të totalit.

Hapi i parë duhet të jetë një mbështetje e targetuar mirë, jo për të gjithë, por për klasën e mesme dhe shtresimet sociale që meritojnë mbështetje solide të menjëhershme. Së dyti, propozimi për të tatuar më shumë kompanitë që përfitojnë nga rritja abuzive e çmimeve është i domosdoshëm, por këto të ardhura nuk duhet të shkojnë në “thesin e madh” të buxhetit ku keqpërdoren deri në 1.5 miliardë euro në vit, e as për investime publike ku paaftësia dhe korrupsioni i rrisin kostot me rreth 36%”.

Eksperti Alban Zusi thekson se janë shumë të nevojshme masat me karakter fiskal, përfshirë edhe ulje të përkohshme të taksave.

“Deri tani, nga qeveria nuk ka pasur asnjë proces konsultativ me grupet e interesit me qëllim analizimin e efekteve dhe marrjen e masave. Në këtë situatë, ashtu siç po ndodh dhe në shtetet e tjera europiane, duhet të ndërhyhet me masa fiskale dhe me reduktim të taksave. Nëse nga një produkt qeveria arkëtonte 20 lekë taksa, dhe tani po merren 25 lekë, kjo diferencë që krijohet nga rritja e çmimeve duhet të hiqet.

Gjithashtu duhet të kalohet në një tarifë fikse për këtë periudhë për karburantet, përfshirë naftën dhe gazin, me qëllim që të ndihmohen industritë vendase që përdorin gaz si lëndë djegëse dhe ato që përdorin naftë për transport. Për shembull, industria e metaleve dhe e drurit përdorin gaz si lëndë djegëse, ndërsa shumë industri të tjera dhe blegtoria përdorin karburante.

Duhet të merren masa për të lehtësuar industritë prodhuese që të mos falimentojnë në këtë periudhë krize dhe të shërbejnë si mbështetëse dhe amortizuese të çmimeve.

Aty ku shteti po merr taksa më të larta të pamerituara, më shumë sesa është rritur nafta në tregjet e huaja, duhet të kalohet në tarifë fikse. Pra, taksat të mos jenë më 60% e çmimit, por të jenë fikse.

Së dyti, duhet të ketë menjëherë takime me grupet e interesit për t’i pyetur se cilat janë problematikat konkrete dhe si mund t’u vihet në ndihmë.

Së treti, çmimet e inputeve janë rritur nga 10% deri në 30% (ure, DAP etj.).

Në këto kushte duhet të nxitet industria vendase e prodhimit të inputeve. Shteti duhet të vendosë masa rregulluese për këto industri, me qëllim t’i ofrojë bujqësisë inpute me çmime më të ulëta”.

Ndërsa për të mbajtur në kontroll çmimet e karburanteve dhe energjisë dhe për të ulur varësinë e importit, zoti Dogjani, propozon një paketë me 13 masa, duke venë së pari theksin te rëndësia e mbajtjes nga shteti të rezervës fizike të naftës në sasinë e 180 mijë tonëve, diversifikimit të furnizimit dhe zhvillimit të energjive të rinovueshme./monitor.al

Video

Fabrika e kafes në Pogradec është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që ky objekt përballet me një vatër zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll. Nga përfshirja e flakëve fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e objektit ka pësuar dëme të shumta materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme